Lajme nga vendi
Është ndërprerë testimi i 4500 nxënësve për shkak të grevës për paga më të larta në Qendrën Shtetërore të Provimeve
Qendra shtetërore e provimeve ka ndërprerë testimin ndërkombëtar të 4500 nxënësve të shkollave fillore për shkak të grevës për paga më të larta dhe ka lënë në harresë mbi 15 mijë maturantë që duhet t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore.
Mbrëmë mësuesit e klasave të katërta dhe të teta, klasat e të cilëve u përzgjodhën për testim, morën mesazhe se anketa ndërkombëtare TIMSS që ishte paraparë të mbahej më 5 maj është shtyrë dhe do të mbahet pas datës 14 maj. Ky testim madhor duhet të përfundojë deri më 25 maj.
TIMMS (Trends in International Mathematics and Science Study) është një studim ndërkombëtar i matematikës dhe shkencës që mat njohuritë në klasat e katërta dhe të teta. Për këto studime shteti paguan një tarifë pjesëmarrjeje.
Javën e kaluar 29 punonjës të DBI-së kanë nisur grevën deri në miratimin e Ministrisë së Financave për rritje pagash, por nga asnjë ministri nuk ka pasur përgjigje nëse punonjësit e qendrës së provimeve do të marrin paga më të larta.
– Mësuesit kanë marrë rritje prej kohësh dhe rrogat tona janë harruar. Me rritjen e pagës minimale tashmë dy herë, janë rritur vetëm ata me pozicionin më të ulët. Dhe ne jemi baza, d.m.th. strumbullari i një sërë procesesh që ndodhin në arsim. Kemi ardhur në një situatë ku punonjësit nuk mund të mbijetojnë me rritjen e çmimeve. Ne kemi një rol shumë më serioz se sa na vlerëson qeveria. Shpresojmë të marrim një përgjigje pozitive sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk është vetëm provimi i maturës shtetërore, ka procese që kufizohen me afate. Këta punëtorë janë në procese kyçe, secili prej tyre është i rëndësishëm dhe është e rëndësishme të stimulohen, të marrin rrogë për një jetë dinjitoze, tha Emilia Boshkovska, kryetare e organizatës sindikale të DIC.
Greva la në harresë 15620 maturantë të cilët nuk e dinë nëse do t’i nënshtrohen në kohë provimit të maturës shtetërore, që është një kërkesë ligjore për pranimin në universitet.
Më 27 maj do të jepet provimi i parë i jashtëm – Gjuhë amtare dhe letërsi, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët. Gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar për të marrë 10.768, gjuhë dhe letërsi shqipe 4380, gjuhë dhe letërsi turke 357 maturantë.
Testimi i provimit të dytë të jashtëm është caktuar për datën 10 qershor. Është fakultative dhe maturantët patën mundësinë të zgjedhin nga shtatë lëndë. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe rreth 1700 testues do të përfshihen në zbatimin e provimit të maturës shtetërore. Nëse sesioni i qershorit realizohet (në kohë), maturantët të cilët nuk do ta kalojnë provimin e maturës ose jo të plotë, do të mund ta japin provimin në seancën e provimit të gushtit – më 9 dhe 11 gusht.
Ministri Jeton Shaqiri ka kërkuar nga punëtorët që të mos e vënë në dyshim provimin e maturës shtetërore. Ai apeloi që bashkë me drejtorin të komunikojnë me institucionet e tjera dhe të presin Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
Lajme nga vendi
Radiologu Argjend Imeri: Diagnoza e historisë – Gjenocidi nuk shërohet me harresë

Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

