Lajme nga vendi
RMV, pa e dhënien e maturës nuk ka regjistrim as në universitet brenda vendit as jashtë tij
Matura shtetërore është kërkesë për regjistrimin në universitete në vend si dhe universitete të huaja. Fakti që procesi është në ngërç dhe organizimi i provimit të maturës shqetëson maturantët të cilët planifikojnë të vazhdojnë arsimin e lartë jashtë vendit ku regjistrimet organizohen kryesisht në muajin qershor. Nëse nuk ka provim të maturës shtetërore, maturantët nuk do të mund të aplikojnë për pranim në ndonjë fakultet jashtë vendit e as në vend ku dokumenti për dhënien e provimit të maturës shtetërore është i detyrueshëm, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Unioni i nxënësve të shkollave të mesme u bën thirrje organeve për zgjidhjen e problemit, ndërsa Qendra Shtetërore e Provimeve njoftoi se nuk arritën marrëveshje me Ministrinë e Financave për të pasur paga më të larta.
“Për regjistrim në pothuajse të gjitha universitetet jashtë vendit kërkohet matura. Unioni i nxënësve të shkollave të mesme shpreh në vazhdimësi mbështetjen dhe simpatinë për grevën e punonjësve të QShP sepse kërkesat e tyre janë të justifikuara dhe meritojnë të marrin atë që kërkojnë. Greva është një e drejtë e garantuar me kushtetutë, por edhe e drejta për arsim është e garantuar me kushtetutë. Matura shtetërore është një proces shumë i rëndësishëm për shtetin dhe për ne maturantët, prandaj do të jetë më e keqja për ata maturantë që planifikojnë të regjistrohen jashtë vendit, sepse aty matura është edhe parakusht për regjistrim në fakultet. Në SHBA, për shembull, universitetet kërkojnë që notat t’i dërgohen sa më shpejt që kandidati të mundet”, thotë për Meta.mk Luka Paviçeviç, kryetar i Unionit.
Ai thekson se institucionet duhet të përfaqësojnë interesin e shkollës dhe të punojnë në gjetjen e një rruge që do të jetë në interes të nxënësve të shkollave të mesme dhe në interes të grevistëve.
“Ne në Union apelojmë që të veprohet me arsye dhe racionalitet dhe të gjejmë zgjidhje për këtë problem. Punonjësit e QShP-së nuk e meritojnë të kenë të ardhura kaq të ulëta, por fajin nuk e kanë maturantët që do të humbinmë shumë. Ne bëjmë thirrje për maturi dhe arsyeshmëri”, thotë Paviçeviq.
Maturantët nga vendi zgjedhin gjithnjë e më shumë të studiojnë në një nga katër universitetet dhe tre institutet në Slloveni. Sipas disa vlerësimeve, në këtë vend studiojnë rreth 5000 studentë nga Maqedonia. Regjistrimi në universitet në Slloveni nuk është klasik, por fillimisht në periudhën 15 janar deri më 15 maj plotësohet dhe dorëzohet aplikacion elektronik, i ashtuquajturi shprehja e interesit. Sipas kësaj, shihet se për cilat studime ka interes më të madh. Inspektimi se ku ka interes, për cilat programe studimi do të zgjasë deri më 15 maj. Mund të aplikoni për maksimum tre programe studimi në universitete të ndryshme. Pas datës 15 maj duhet të dorëzohen dokumentet, gjegjësisht të plotësohet dosja për çdo kandidat dhe ndër dokumentet e nevojshme është edhe ajo për dhënien e provimit të maturës shtetërore.
Ndryshe, Emilia Boshkovska, këshilltareë në QShP, tha se kanë pasur bisedë telefonike me përgjegjësit në Ministrinë e Financave, por nuk kanë marrë premtim për paga më të larta.
“Nuk kemi pasur takim, por në telefon na kanë thënë se u vjen keq që rrogat tona kanë qenë kaq të ulëta dhe se kontrata jonë kolektive ka qenë më pak e favorshme se Ligji për Administratën. Kjo do të thotë se nuk do të ketë rritje të pagave tona. Duke qenë se kërkesës sonë nuk i janë përgjigjur pozitivisht, greva vazhdon”, tha për Meta Boshkovska.
Ajo theksoi se nëse deri të premten nuk marrin zyrtarisht përgjigje pozitive nga Ministria e Financave, do të sigurohen që të gjendet një zgjidhje sipas së cilës do të ndryshohen datat e maturës.
“Nëse do të fillojmë punën nga e hëna, me shumë punë mund të arrijmë në këto data që janë planifikuar tani (27 maj dhe 10 qershor). Nëse jo, kalendari do të duhet të ndryshohet”, thotë ajo.
Matura shtetërore këtë vit do t’i përshtatet gjendjes së arsimit dhe do t’i lehtësohet kësaj gjenerate të maturantëve që u prekën më shumë nga ndërprerjet e procesit mësimor për shkak të kërcënimeve me bombë.
Në të njëjtën kohë, volumi i provimit ekstern duhet të zvogëlohet këtë vit. Do të ketë 60 deri në 80 pikë, në vend të 80 deri në 100 pikët paraprake, që do të thotë se do të ketë ulje të numrit të pyetjeve. Gjithashtu është planifikuar të ketë banka pyetjesh për provimet interne dhe këto provime do të sjellin më shumë pikë gjatë regjistrimit në fakultet.
Lajme nga vendi
SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!
Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.
Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.
Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.
Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.
Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë, sot rezultati po shihet
Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.
Lajme nga vendi
RASTI I LLASKARCËS ËSHTË FYTYRA E DËSHTIMIT TË GJYQËSORIT
Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund.
Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve.
Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë.
Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.
Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

