Lajme nga vendi
Dëshmitari i sëmurë, u anulua seanca gjyqësore për Muhamed Zekirin
U anulua seanca e sotme gjyqësore për lëndën ku ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”, njofton Portalb.mk.
Siç njoftuan avokatët e Zekirit, dëshmitari i Goran Anastasieviq që duhej të dëshmojë sot, për arsye shëndetësore nuk ka ardhur.
Seanca e radhës vazhdon më 6 qershor në ora 10.
Me propozim të mbrojtjes, në seancën paraprake dëshmuan zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës, Jani Makraduli.
Ata folën për atë se si ka qenë gjendja në Postën e Maqedonisë dhe Hekurudhat e Maqedonisë, pse është porositur studim fizibiliteti dhe çfarë do të bëhej më të në lidhje me këto dy institucione, të cilat ndër vite kanë punuar me humbje.
Detaje nga seanca lexo: Bytyqi, Boçvarski dhe Makraduli dëshmuan për Zekirin: Posta duhet të ketë 56 të punësuar, por ka mbi 250
Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.
Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.
Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zekiri para gjykatës ka deklaruar se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.
Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.
Gjykimi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska dhe gjyqtari Osman Shabani.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

