Lajme nga vendi
Seanca maratonë për korridoret 8 dhe 10D, vijon dhe sot debat në Kuvendin e Maqedonisë e Veriut
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mesditë duhet të vazhdojë seancën e 115-të, në kuadër të së cilës në mesin e pikave është edhe pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D.
Në të njëjtën kohë në Komisionin Parlamentar për Çështje Evropiane duhet të vazhdojë debati për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për ndërtim me procedurë të shkurtuar. Në rend dite të këtij Komisioni janë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shpronësim dhe Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe emërimi i partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor (pjesa: Tetovë – Gostivar. – Bukojçani dhe projekti i autostradës Trebenishtë – Strugë – Qafthanë) dhe Korridori 10 d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të dyja në procedurë të shkurtuar.
Deputetët dje pasdite në seancën plenare e përfunduan debatin për propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve, ndërsa votimi do të caktohet shtesë.
Deputetët e opozitës gjatë debatit ishin të mendimit se këto ndryshime ligjore janë kundër sundimi të ligjit, sepse, siç thonë ata, ligji i robëron punëtorët në vend që t’i çlirojë. Sipas tyre, miratimi i ndryshimeve ligjore pas një procedure të shkurtuar nën “vellon” e flamurit evropian është dhunë dhe krim, që dëmton tërësisht procesin integrues të vendit në BE.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës thanë se ndryshimet në ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d janë në përputhje me Kushtetutën dhe në drejtim të lehtësimit të punës në terren.
“Ndryshimet bëhen për të përfunduar në mënyrë më efikase, efektive dhe më të lirë projektet me interes strategjik. Dhe kjo nuk është vetëm për korridoret aktuale, por edhe për të gjithë projektet e ardhshme strategjike kombëtare të infrastrukturës”, theksoi Zeqiri.
Përfaqësuesi special i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Saracin, ka zhvilluar dje në Kuvend takime me përfaqësues të disa partive politike. Ai pardje pati takime me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski dhe me zëvendëskryeministrin Artan Grubi, në të cilat ndër të tjera u diskutua procesi i integrimeve evropiane të vendit dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

