Lajme nga vendi
Përmbaruesit “zhveshin” qytetarët e varfër, kamata më e lartë se borxhi si ka mundësi?
Qytetarët e varfër janë cak i shtypjes dhe presionit në emër të ligjit nga përmbaruesit. Ata që më së shumti kanë nevojë të marrin para hua apo borxh nga banka ose shoqëri të tjera juridike për arsye jetike e për të plotësuar ndonjë nevojë të tyre esenciale, por për shkaqe të tjera nuk mund ta paguajnë borxhin në kohë, fundosen dhe përfundojnë nga intervenimi ç’njerëzor i përmbaruesve. Pra, në emër të ligjit përmbaruesit shkelin ligjin me dy këmbë, dhe i “zhveshin” qytetarët, pra gjithçka i marrin vetëm shpirtin ua lënë. E kjo është shkelje e ligjit duke marrë edhe mjetet shtëpiake, si televizor e frigorifer, duke ndërprerë e bllokuar burimet e vetme financiare si rrogën apo pensionin, shtesat për fëmijë, e të tjera. Nga ana tjetër kamata sipas dispozitave ligjore aktuale nuk ka tavan, dhe një qytetarë që ka borxh 3 mijë euro zhytet deri në 15 mijë euro e më shumë, kjo i bie që qytetari vdes e nuk mund ta paguajë borxhin, por kamata vazhdon të jetojë e të rritet pa ndërprerje, madje t’i bartet edhe trashëgimtarëve. Kjo nënkupton që me ligjet që duhet të jenë në shërbim të qytetarëve shkatërrohen qytetarët. Avokati i popullit, Naser Ziberi, gjatë prononcimit të tij për Zhurnal, tha që kanë ngritur procedurë për ndryshime në këtë ligj për kamatën, si dhe ankesat që vijnë nga qytetarët deri te avokati i popullit për dëmet që ua shkaktojnë përmbaruesit janë rrëqethëse, shkruan Zhurnal.
Përmbaruesit në mbrojtje të interesit të bankave shkatërrojnë dhe fundosin qytetarët –
Përmbarimi është i paraparë si instrument me qëllim që të mos dëmtohen bankat apo kreditorët ato që kryesisht japin hua. Dhe, si i tillë paraqet instrument efikas sepse në të kaluarën gjyqet kanë qenë të mbushura me lëndë dhe këto shoqëri bankare nuk kanë mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, prandaj është paraparë përmbarimi si shërbim publik i cili ushtrohet nga përmbaruesit. Por, në realitet ky shërbim publik kur shkelet nga vetë përmbaruesit kjo shkon krejt në kurriz të qytetarëve duke dëmtuar deri në palcë si pasojë e ngarkesës dhe shtimit të borxhit, deri në afat të pa caktuar.
Avokati i popullit, Naser Ziberi, për Zhurnal tha se nuk është problemi te ekzistenca e përmbaruesve, por te shkeljet e dispozitave ligjore që bëhen pikërisht nga këta përmbarues. Sepse, sipas tij përmbaruesit marrin mjete që nuk janë të parapara për përmbarim, kamata nuk ka tavan, bllokohet burimi i vetëm financiar e të tjera, që krejt këto rëndojnë jetesën e qytetarëve.
“Nuk paraqet problem sistemi, por keqpërdorimi sistemit. Do të thotë rastet kur përmbaruesit nuk respektojnë dispozitat ligjore për përmbarim, ligjeve për marrëdhënie obligative të cilat shpesh herë shkelen nga ana e përmbaruesve. Këto shkelje shpesh herë ndodhin në rastet kur përmbaruesi nuk e bënë informimin në kohë të kreditorit apo atij që ka borxh, pra mos njoftimi në kohë ja shkurton mundësinë qytetarit që ta shlyejë borxhin dhe mos t’i bllokohet llogaria, mos t’i rritet kamata. Problemi i dytë paraqitet kur përmbaruesi merr mjetet të cilat me ligj janë të ndaluara të preken siç janë ndihma sociale, shtesat fëmijërore, e kështu me radhë, ose merren më shumë mjete se sa me ligj është e lejuar. Kur një qytetarë e ka burim të vetëm financiar rrogën apo pensionin, përmbaruesi nuk guxon ta ndalojë më shumë se një të tretën, por në praktikë ndodhë e kundërta”, tha avokati popullit, Naser Ziberi, për Zhurnal.
Ai shtoi se, problem tjetër shumë serioz janë edhe mjetet që përmbarohen, pasi shpesh herë ndodhë të përmbarohen mjete që janë ekzistenciale si kushte elementare për jetesë, duke përfshirë këtu edhe mobiljet e shtëpisë, aparate të ndryshme si televizor, frigorifer, mjete të cilat ligjërisht janë të përjashtuara nga përmbarimi.
Por, nuk është kjo e tëra pasi çështja kryesore dhe shumë problematike e dëmtuese për qytetarët është edhe mungesa e një tavani për kamatën. Pra, në mënyrë legjitime kamata rritet pa ndërprerë dhe kalon shumën e borxhit, dhjetëfishohet deri në pa kufi. E kjo rëndon dhe shton borxhin sa më shumë, që qytetarët mos të kenë mundësi kurrë në jetë ta shlyejnë atë borxh, që i bie edhe nëse paguajnë me këste paguajnë vetëm kamatën por jo edhe borxhin. Më e trishtë se kaq, qytetari vdes por borxhi vazhdon të jetojë dhe i transferohet trashëgimtarëve.
“Kamata me ligjin për marrëdhënie obligative dhe ligjin për përmbarim nuk është e kufizuar, kur bëhet fjalë për kamatën ndëshkuese ajo nuk ka tavan. Nëse një qytetarë për një vit, dy, tre nuk ka mundësi për ta kthyer borxhin e ecën pa ndërprerë kamata, dhe në këtë mënyrë qytetari asnjëherë nuk mund të lirohet nga borxhi. E për këtë çështje ne kemi dërguar propozim deri në Qeveri që të ndryshojnë dispozitat e ligjit për marrëdhënie detyrimore, neni 286A, dhe të thuhet se: kur kamata ndëshkuese do ta arrijë shumën e borxhit kryesor të ndërpritet që të mos rritet më tutje. Ky propozim edhe pse me vonesë është pranuar, tani ka kaluar fazën e parë në Kuvend dhe pritet faza e dytë”, tha Ziberi.
Kur flasim për përmbarues dhe qytetarët si palë të dëmtuar, avokati i popullit tha për Zhurnal se ka jashtëzakonisht shumë ankesa nga qytetarët të cilat janë rrëqethëse, një borxh prej 3 mijë eruove, i bëhet 10 mijë e deri 15 mijë euro, ose mos të flitet për shumë më të mëdha kur borxhi është 20 mijë apo 30 mijë euro, qytetarët vdesin dhe nuk arrijnë ta paguajnë borxhin, madje u bartet edhe trashëgimtarëve borxhi.
Nuk ka mundësi logjike që një qytetarë me një pagë minimale përnjëherë të paguajë një shumë aq të lartë të borxhit, edhe nëse paguan me këste i bie që paguan vetëm kamatën por jo edhe borxhin, prandaj mos kufizimi i kamatës ndëshkuese paraqet problem serioz për qytetarët. Prandaj, kur kërkohen shkaqet tjera pos mungesës së punës se përse qytetarët braktisin vendin, në këtë shkaqe mund të llogaritet edhe kjo “përdhosje” e dinjitetit të qytetarët që në emër të ndihmës e mbrojtjes ligjore shkatërrohen, fundosen dhe dëmtohen maksimalisht qytetarët. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

