Lajme nga vendi
Legalizimi kanabisit do të thotë rritje të varësisë ndaj substancave narkotike!
Fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike nga të miturit është tejet shqetësues në Maqedoninë e Veriut, ambientet ku të miturit përdorin këto lëndë janë të ndryshme, përfshirë edhe ambientet shkollore. Kjo flet për një situatë drithëruese ku vendet edukative janë shndërruar në vende degjeneruese dhe degraduese të nxënësve. Në vend të edukatës dhe arsimimit në shkolla “servohen” lëndët narkotike. Kjo nënkupton se tashmë ky fenomen është bërë shprehi e rutinë, mungesa e një strategjie të mirëfilltë për trajtimin e rasteve të tilla, mungesa e qendrave speciale, si dhe vakumi në edukim krijon terren të pastër për degjenerim. Përderisa rastet e përdorimit të narkotikëve janë shtuar me të madhe kohëve të fundit duhet të merren masa preventive për parandalimin e përshkallëzimit të kësaj situate katastrofale, e kjo të lëshohen deklarata paushallë që legalizimi kanabisit nuk qenka i dëmshëm, shkruan Zhurnal.
Zajkova: Legalizimi i kanabisit nuk do të thotë që të gjithë do të bëhen të varur nga droga –
PLD ishte partia e parë që deklaroi në programin e saj se mbron dekriminalizimin dhe legalizimin e kanabisit. Si liberal demokratë, ne u nisëm nga të drejtat e njeriut dhe e drejta për të zgjedhur, por edhe nga përfitimet ekonomike. Legalizimi nuk do të thotë, siç mendojnë shumë, që të gjithë të bëhen narkoman apo të kemi të varur në rrugë, tha kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova.
Sipas Zajkovës, në shumë vende numri i përdoruesve të drogave të forta është në rënie.
“Nuk shoh se çfarë është e diskutueshme për të pasur një sistem të rregulluar ku shteti do të përfitojë prej tij. Tani nuk e dini se çfarë vjen nga tregu i zi dhe shteti nuk ka kontroll mbi të. Në këtë mënyrë shteti do të ketë kontroll mbi cilësinë dhe do të ketë taksim, rritje të BPV-së nga kompanitë e shërbimeve, ulje të tregtisë së zezë dhe krimit, përfitime për fermerët dhe industrinë…”, tha Zajkova për “Sloboden Peçat”.
Për Zajkovën, duhet të jemi fleksibil për atë se çfarë do të thotë përdorimi rekreativ i drogës për vete, deri në një sasi të caktuar.
Përderisa në shkolla përdoren me të madhe narkotikët Zajkova lëshon deklarata “paushalle” –
Në vend të masave preventive apo parandaluese të përshkallëzimit të kësaj situate kandidatja për deputete e degradon edhe më shumë situatën. Kujtojmë, që kohëve të fundit narkotikë të shumtë u bënë “mjete shkollore” për shumë nxënës në tërë territorin e vendit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Sektori i punëve të brendshme të Tetovës, ka regjistruar gjithsej 93 vepra penale për prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve.
“Sa i përket veprës penale prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve dhe pre kursorëve, në SPB Tetovë gjatë vitit 2022, janë regjistruar gjithsej 93 vepra penale për të cilat, ne si sektor deri në prokurori kemi dorëzuar 87 kallëzime penale kundër 111 shkelësve”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Nga Sektori i punëve të brendshme i Tetovës, thonë se po bëjnë gjithçka për luftimin e kësaj dukurie dhe se çdo ditë ky sektor ndalon të paktën një shitës apo përdorues të drogës.
Mbase, nuk është vetëm qyteti Tetovës, pasi ky fenomen është i përhapur gjithandej në vend. Shkollat si institucione edukative – arsimore janë shndërruar në vend takime për përdorim, shitje të lëndëve narkotike. Nxënësit janë në moshën më delikate ku kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje të madhe për të mos devijuar nga ajo që është normale dhe që kërkohet prej tyre. Nga ana tjetër institucionet arsimore dhe ato të sigurisë duhet të jenë në gjendje gatishmërie për të garantuar edukim adekuat dhe siguri në hapësirat e shkollës, që mos të jetë liria absolute që nxënësit të mbajnë armë në çantat e tyre e shkollat t’i kenë vend takime për shkëmbime të lëndëve narkotike.
Mungon një strategji e mirëfilltë për siguri dhe edukim –
Shkollat janë institucione edukative – arsimore, nxënësit janë në meshën më delikate dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre. Fenomeni i përhapur tashmë në çdo shkollë që pas çdo aksioni policor të kapen nxënës me substanca narkotike është tregues se në çfarë niveli ndodhen shkollat në vendin tonë. Shqetësuese dhe tmerruese kur dëgjohet që të rinjtë viktimizohen si pasojë e mungesës së informimit për dëmet që vijnë nga përdorimi i substancave narkotike.
Prandaj, duhet një mobilizim i gjithanshëm për krijimin e një strategjie e cila do të ishte efikase dhe do të prodhonte rezultate produktive në reduktimin e këtij fenomeni tashmë të përhapur. Ministria e Arsimit, OJQ-të e ndryshme, institucionet e sigurisë duhet që njëzëri nëpërmjet takimeve informuese, fletushkave të ndryshme, të senzibilizojnë nxënësit për dëmet dhe pasojat që shkaktojnë përdorimi i klëndëve narkotike.
Nga ana tjetër, trekëndëshi fëmija – prindi – mësimdhënësi duhet të fuqizohet edhe më shumë që rastet e tilla të parandalohet, të merren masa preventive dhe të jenë në kontakt të përhershëm për kohën se si fëmijët e kalojnë në shkollë, dhe ndihma që i ofrohet nga stafi. Mes tjerash vlen të theksohet që është më se e nevojshme pikërisht në këtë epokë të ketë prindërim më të përgjegjshëm. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
ZGJEDHJET NË SERBI – REAGIME NGA MAQEDONIA E VERIUT!
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
“Urime për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi! Qytetarët serbë treguan pjekuri demokratike përmes transferimit paqësor të pushtetit politik”, shkroi Siljanovska-Davkova në platformën X.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, uroi qytetarët e Serbisë fqinje për zgjedhjet e zhvilluara parlamentare, ndërsa Listës Studentore i dëshiroi sukses për rezultatin e arritur.
Në një postim në platformën “X”, Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të miqësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë.
VLEN përmes një komunikate ka uruar Koalicionin Shqiptar për rezultatin e arritur teksa ka përshëndetur edhe ndryshimin politik në Serbi.
Presim që qeveria e re të formohet sa më shpejt, të respektojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe t’i japë fund diskriminimit sistematik, përfshirë pasivizimin e adresave. Shpresojmë që qeveria e re e Serbisë të gjejë forcën dhe vullnetin politik për dialog e bashkëpunim me Republikën e Kosovës. Një dialog mes të barabartëve, që duhet të kulmojë me njohjen reciproke mes dy shteteve të pavarura.
Përmes rrjeteve sociale rezultati I zgjedhjeve është komentuar edhe nga liderë partiak dhe parti politike.
Urime qytetarëve të Serbisë për fitoren e madhe historike! – shkroi kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Ashtu siç paralajmëruam, në vijim vjen çlirimi nga strukturat kriminale të pushtetit. Ra Orbani. Ra Vuçiqi. Të gjithë e dimë se kush është i radhës. Pres që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të ndërtojnë marrëdhëniet më të mira të mundshme, të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin. Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut u them se na pret një betejë aspak e lehtë, sepse po luftojmë kundër pjesës së mbetur të kësaj grupi kriminal ballkanik” – shkruan Filipçe.
Por, nga ana tjetër, krahu i LSDM-së që kërkon dorëheqje të Filipçes, pas zgjedhjeve në Serbi, ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës.
Nuk kanë munguar postimet nëpër rrjetet sociale edhe nga eksponent të BDI-së.
“Fillimisht Orbani, tani Vuçiqi. Kremlini ka humbur papritur dy nga aleatët e tij kryesorë në Evropë… P.S Vuçiqi paska fituar në Maqedoninë e Veriut” – ka shkruar Bujar Osmani në Facebook./Tv Koha/
Lajme nga vendi
NGA E ENJTJA LETËRNJOFTIMI DHE PATENT SHOFERI EDHE NË CELULAR!
Nga e enjtja, qytetarët do të mund t’i përdorin letërnjoftimet dhe patentë shoferët përmes telefonit mobil, me fillimin e zbatimit zyrtar të portofolit elektronik. Aplikacioni do të promovohet të mërkurën, më 28 tetor.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sqaroi se aplikacioni është i sigurt dhe u mundëson përdoruesve të zgjedhin vetë se cilat të dhëna personale dëshirojnë të ndajnë.
Gjatë identifikimit në bankë, bar apo në ndonjë lokal tjetër, qytetarët nuk do të kenë nevojë t’i zbulojnë të gjitha të dhënat që përmbajnë dokumentet e tyre.
Në vend të kësaj, ata do të mund të ndajnë vetëm informacione të caktuara përmes një kodi QR për përdorim të vetëm.
Kodi mund të skanohet, ndërsa të dhënat do të jenë të qasshme vetëm me lejen e përdoruesit. Pas 10 deri në 15 sekondash, kodi skadon dhe nuk mund të përdoret përsëri.
Andonovski theksoi se kjo është faza e parë drejt krijimit të një portofoli digjital evropian, i cili synon të mundësojë digjitalizimin e plotë të dokumenteve.
Ai shpreson se me zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit do të shtohen shërbime, mundësi dhe dokumente të reja për qytetarët.
Ministri i bëri këto deklarata para fillimit të panel-diskutimit me temë „Parakushtet dhe sfidat për digjitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat“.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga vendi1 month agoDaut Memishi mban premtimin, ndahen vendimet e para – çerdhja “Foleja” në Përshefcë drejt hapjes

