Lajme nga rajoni
Gjermania arreston dy persona nën dyshimin se spiunonin për Rusinë

Dy gjermano-rusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimet për spiunazh. Njëri prej tyre akuzohet se është pajtuar të kryejë sulme ndaj caqeve potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave të ushtrisë amerikane, me qëllim që të sabotohet ndihma për Ukrainën, thanë prokurorët më 18 prill.
Të dyshuarit, të identifikuar si Dieter S. dhe Alexander J., u arrestuan të mërkurën në qytetin Bajrojt të Bavarisë, thanë prokurorët federalë.
Prokurorët thanë se Dieter S. kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori, dhe se qëllimi kryesor ishte të minohej mbështetja ushtarake që Gjermani jep për Ukrainën. I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria dhe ndërtesat industriale në Gjermani, thanë prokurorët përmes një deklarate.
Ai kishte mbledhur informacione lidhur me caqe potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të SHBA-së, thanë prokurorët. Sipas tyre, Alexander J. supozohet se i ka ndihmuar atij që këto sulme t’i kryente më vonë. Dieter S., po ashtu, sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake dhe ndërtesave dhe ia kishte dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.
Dieter S. po ashtu përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Ai dyshohet se kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2016.
Ndryshe, Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe – pas Shteteve të Bashkuara – e armëve për Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj mbi dy vjet më parë. SHBA-ja, ndërkaq, ka prani të madhe ushtarake në Gjermani.
Lajme nga rajoni
Gjermani: Studentët e Juridikut nga Universiteti i Prishtinës zënë vendin e 6-të në botë

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u renditur në vendin e 6-të në botë në garën prestigjioze juridike “Nuremberg Moot Court 2025”, transmeton albinfo.ch.
Rundet finale të garës u mbajtën nga 23 deri më 26 korrik 2025, në sallën historike Nr. 600 të Gjykatës së Nurembergut në Gjermani – vendin ku janë gjykuar figurat kryesore të regjimit nazist pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e parë të garës (shkrimi i memorandumeve), vetëm 40 ekipenga universitete prestigjioze ndërkombëtare u kualifikuan për rundet me gojë. Në mesin e tyre, edhe ekipi i Universitetit të Prishtinës, i cili jo vetëm që u kualifikua, por arriti të renditet në Top 6-shen botërore – një arritje që reflekton përgatitjen e thellë dhe cilësinë akademike të studentëve kosovarë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.
Ekipi i Fakultetit Juridik ishte i përbërë nga studentet: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu, të cilat u përfaqësuan me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë. Mentorimi i tyre u bë nga Nisa Ferati, e cila shoqëroi ekipin në Nuremberg, si dhe nga Ass. Besnik Beqaj dhe Argjira Asllani – pjesë e ekipit të mëhershëm të kësaj gare. Mbështetje të vazhdueshme ofroi edhe Prof. Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik të UP-së.
Ky rezultat tregon se Fakulteti Juridik i UP-së ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme përfaqësimi në forume ndërkombëtare dhe po formon një gjeneratë të re juristësh të përgatitur për sfidat globale.
“Nuremberg Moot Court” është një prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale dhe që nga viti 2022 është pjesë e përhershme e programit të Fakultetit Juridik, e financuar nga buxheti i dedikuar për gara ndërkombëtare. /Albinfo.ch
Lajme nga rajoni
Furgoni përplaset me kamionin, humbin jetën pesë persona! Aksident tragjik në autostradën Maribor-Ljubljanë të Sllovenisë

SLLOVENI- Një aksident tragjik ka ndodhur në autostradën Maribor – Lubjanë të Sllovenisë. Mësohet se nga aksidenti pesë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Siç raportohet një furgon me shtetas të huaj përplasi një kamion të ndaluar në kolonë, duke shkaktuar këtë tragjedi. Aksidenti ndodhi pak para orës 10:30 pranë daljes Slovenske Konjice.
Për shkak të ngjarjes, autostrada është mbyllur plotësisht në drejtim të Lubjanës, ndërsa janë krijuar kolona edhe në drejtim të Mariborit. Policia vendase ka thënë se do të japë më shumë informacion në një konferencë për shtyp në orët e pasdites.
Lajme nga rajoni
“Situata është kritike” – alarm në Kroaci për shkak të përhapjes së antraksit

Instituti Veterinar Kroat njoftoi se një rast i antraksit është konfirmuar në Kroaci, në komunën e Vrlikës. Pas një ngordhjeje të lopës në rajon, mostrat nga kafshët e ngordhura u dërguan për analiza dhe rezultatet konfirmuan se bëhet fjalë për një sëmundje infektive.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve