Lajme nga vendi
Nuk ka rrezik për vizitorët që kanë qenë në Kopshtin zoologjik nëse nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me zogjtë e sëmurë nga gripi i shpendëve
Nga 15 punëtorët e Kopshtit zoologjik të Shkupit për të cilët tashmë ka përfunduar anketa epidemiologjike nga ana e epidemiologëve të Qendrës për Shëndet Publik (QSHP) dhe Institutit për Shëndet Publik (ISHP), për katër prej tyre gjatë ditës së nesërme do të jepen vendime për mbikëqyrje shëndetësore, ndërsa te njëri prej tyre i cili të premten ka shfaqur simptoma të temperaturës së lartë dhe diarre, do të testohet për praninë eventuale të gripit të shpendëve. Për shkak të shpërthimit të “gripit të shpendëve”, Kopshti zoologjik në Shkup është mbyllur për të tretën ditë. Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët sigurojnë se pavarësisht shfaqjes së “gripit të shpendëve” nuk ka nevojë për panik tek qytetarët.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, dje deklaroi se mbikëqyrje shëndetësore sipas protokolleve nuk nënkupton karantinë dhe izolim, por monitorim mjekësor gjatë dy javëve të ardhshme nëse shfaqin ndonjë simptomë që duhet të hetohet më tej dhe nëse bëhet fjalë për grip të shpendëve.
Ata do të kontaktohen çdo ditë nga epidemiologët e ISHP-së dhe do të ndiqet gjendja e tyre shëndetësore, deklaroi Andornovska.
Epidemiologët, siç tha ajo e kanë informuar se njëri nga katër personat për të cilët është kryer anketa epidemiologjike, më 18 tetor ka pasur simptoma të temperaturës dhe diarresë që zgjatën për një ditë, gjë siç tha ajo, “nuk nënkupton se personi ka grip të shpendëve. Ai person do të testohet gjatë ditës së nesërme, sepse rekomandimet e epidemiologëve dhe mikrobiologëve janë që pas shfaqjes së simptomave të para në afat prej pesë ditësh të bëhet testimi
Nuk ka rrezik për vizitorët që kanë qenë në Kopshtin zoologjik nëse nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me zogjtë e sëmurë nga gripi i shpendëve
Kopshti zoologjik Shkup edhe pse ka konstatuar rastin e një kafshe të ngordhur më datë 14.10.2024, nuk ka vepruar sipas procedurave ligjore ku obligohen që çdo dyshim për sëmundje infektive ta paraqesin deri te veterineri kompetent konform nenit 50 të (Ligjit për shëndetësi veterinare nr.113/2007; nr.24/11; 136/11; 123/12;154/15 dhe 53/16), ku duke shkelur detyrimet ligjore, vetvetiu kanë dorëzuar ekzemplarë deri te Fakulteti i mjekësisë veterinare i cili është marrë në përpunim më 15.10.2024, theksojnë nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë (AUV).
“Me datë 18.10.2024, fatkeqësisht morëm një konstatim që konfirmon praninë e virusit të influencës avijare – gripi i shpendëve, lloji H5N1 te një patë. Përkundër këtyre informacioneve përsëri në Kopshtin zoologjik Shkup, duke mos respektuar dispozitat ligjore nuk e ka njoftuar AUV-në sipas mënyrës së përcaktuar me ligj, përkatësisht ka vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Rregullores për masat për çrrënjosjen e sëmundjes së gripit të shpendëve nr. 161/2016, gjegjësisht çdo prezencë apo dyshim për gripin e shpendëve raportohet menjëherë, pra në kohën më të shkurtër të mundshme në AUV”, thuhet në komunikatë.
Me qëllim për t’i demantuar plotësisht informacionet nga portalet e ndryshme, komentet dhe informimin e drejtë ndaj opinionit, shtohet në komunikatë, qartë theksojmë se veprimtarinë veterinare me interes publik në territorin e Republikës së Maqedonisë e kryen Shërbimi veterinar shtetëror në bashkëpunim me organet dhe institucionet e tjera, nëpërmjet Agjencisë, drejtorit dhe laboratorit referues i cili punon për nevojat e Agjencisë në bazë të marrëveshjes.
Më datë 19.10.2024, veterinari kompetent nga AUV së bashku me personin e autorizuar nga u.d drejtori Oliver Milanov kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm në Kopshtin zoologjik në Shkup.“Njëherësh në Kopshtin zoologjik Shkup, veterinari kompetent ka shqiptuar ndalesë për hyrjen e vizitorëve, ndalesë për qasje në pellgun ku është gjetur shpendi i ngordhur me përjashtim të tre punonjësve që me pajisje mbrojtëse bëjnë mbytjen e shpendëve. Pastaj, bëhet marrja, paketimi dhe dërgimi i mostrave për analizë laboratorike konform me protokollin diagnostikues të Rregullores për masat për çrrënjosjen e sëmundjes së gripit të shpendëve. Pastrim dhe dezinfektim i hapësirës përreth pellgut në të cilin lëviz ky lloj i shpendëve. Ndalesë e lëvizjes së shpendëve brenda dhe jashtë fermës. Shërbimi veterinar kompetent obligohet që të bëjë paraqitjen e ndryshimit të masave të biosigurisë së shepndëve deri te veterineri kompetent dhe të zbatojë masat e biosigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve”, theksojnë nga AUV.
Poashtu, theksohet në komunikatë, veterineri kompetent gjatë kryerjes së detyrës mund të kërkojë ndihmë nga personi i autorizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Fatkeqësisht është kërkuar ndihmë për shkak të pranisë së një personi i cili është paraqitur si punonjës i administratës së qytetit dhe i njëjti ka penguar punën e shërbimeve të inspektimit për të cilin MPB ka proceverbal. Megjithatë, duhet të falënderojmë punonjësit e KZ Shkup të cilët dhanë mbështetjen e plotë dhe morën pjesë aktive në zbatimin e masave”, thonë nga AUV.
Shtohet se AUV punon në shërbim të qytetarëve dhe do të angazhohemi, siç pohojnë “që të vendosen standardet e shoqërisë sonë në nivelin më të lartë, Kopshti zoologjik Shkup është një nga vendet më të vizituara nga vizitorët më të vegjël, ndërsa fëmijët dhe shëndeti i tyre janë në fokus të ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë”.
Qëllimi i vetëm dhe primar i AUV-së, thuhet mes tjerash në komunikatë është të ofrojë kujdes të vazhdueshëm për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenien e kafshëve dhe kujdesit të vazhdueshëm për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve nga sëmundjet që barten nga kafshët dhe ushqimet.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

