Lajme nga vendi
Dy ish policë dhe një person tjetër arrestohen nga policia, dyshohet se kanë ndihmuar një grup kriminal
MPB njofton se ka arrestuar tre persona, prej të cilëve dy ish-policë, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar “Grupin e Gërçecit” me informacione nga brenda MPB-së. Nga MPB thonë se bëhet fjalë për D.G (58), E.A (58) dhe O.P (44), të gjithë nga Shkupi, ndaj të cilëve edhe është dorëzuar kallëzim penal për shkak të ekzistimit të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “zbulimi i sekretit zyrtar”, “pengim i drejtësisë” dhe “fitim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë”.
Siç thonë nga MPB, i denoncuari D.G. dhe E.A, gjatë periudhës kur kanë qenë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, së bashku me O.P, i janë bashkuar një grupi të organizuar kriminal për të cilin kanë marrë, komunikuar, transmetuar apo vënë në dispozicion të dhëna që përfaqësojnë sekret zyrtar.
“Në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, duke ditur për ekzistimin e interesimit të një numri të madh personash për marrjen e të dhënave dhe informacioneve zyrtare për hetimet aktuale penale, masat dhe aktivitetet e planifikuara për heqjen e lirisë, me theks të veçantë në të dhënat nëse dhe ndaj cilët personave dhe për çfarë arsye kryhen veprimet operative dhe hetimore, si dhe se të dhënat dhe informacionet e tilla mund të merren duke dhënë shpërblime monetare, ishin të lidhur me këtë grup kriminal në të cilin kishin një rol të veçantë për transmetimin e informacionit zyrtar, lidhur me grupet e organizuara kriminale të përfshira në kryerjen e veprimtarive kriminale nga disa fusha, veçanërisht krimet e rënda, disa prej të cilave parashihet dënim me burgim të përjetshëm”.
“Përkatësisht, Byroja për Siguri Publike pranë MPB-së, në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria Publike, nga tetori 2023 deri në janar 2024, kanë kryer hetime ndaj shtetasve të Maqedonisë, të cilët si anëtarë të grupit kriminal ndërkombëtar, negocioi dhe ndërmori aktivitete duke përdorur aplikacionin e koduar SKY/ECC për organizimin e prokurimit dhe transferimit të kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut në vendet e BE-së dhe Maqedonisë dhe mori pjesë në ekzekutimin e veprave të tjera kriminale, e cila përfundoi me kallëzim penal ndaj 16 personave. Pas paraqitjes së kallëzimit penal, Departamenti i Policisë Kriminale ka vazhduar me analizimin e të dhënave të marra nga Europol dhe Eurojust dhe në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria Publike ka ofruar prova në bazë të të cilave është zbuluar se të akuzuarit kanë kryer krimet.
“Mënyra e kryerjes së veprimeve nga të pandehurit ka shkaktuar dëme në punën e organeve shtetërore në procedimin për ndjekjen penale të personave, me rëndësi për sigurinë publike, veprimtarinë e sigurisë dhe të inteligjencës së autoriteteve, si dhe për grumbullimin dhe transmetimin e informacionit që nuk është i destinuar për përdorim publik, zbulimi i të cilave uli efikasitetin e punës së autoriteteve shtetërore”.
“Me datë 03.11.2024, pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operativo-taktike, si dhe në bazë të urdhëresave nga Gjykata Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në shtëpitë e personave, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar disa telefona celularë, një kompjuter laptop dhe dokumentacione të ndryshme. Personat janë arrestuar”, thonë nga MPB.shenja
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

