Lajme nga vendi
“U bëjmë thirrje të gjithëve të reflektojnë”, BDI-ja i përgjigjet pyetjes “kush destabilizon vendin?”
Pas deklaratave të djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se “BDI-ja është faktor destabilizues”, reaguan sot integristët, përcjell TV21. Nga BDI i janë përgjigjur disa herë pyetjes “kush destabilizon vendin?”, ndërsa akuzojnë qeverinë aktuale se po godasin multietnicitetin dhe barazinë në Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Në përgjigje të deklaratave të fundit që adresojnë BDI-në si një faktor destabilizues, theksojmë se është shqetësuese lehtësia në përdorimin e retorikës ndarëse dhe akuzat që në realitet godasin multietnicitetin dhe barazinë në vendin tonë.
Prandaj, shtrojmë disa pyetje për të ndriçuar të vërtetën:
Kush destabilizon vendin? Ata që thonë “ta kthejmë vendin për maqedonasit” apo ata që mbrojnë multietnicitetin dhe barazinë?
Kush destabilizon vendin? Ata që shkelin vullnetin e mbi 40% të komuniteteve etnike në një vend multietnik apo ata që promovojnë demokraci të barabartë dhe funksionale?
Kush destabilizon vendin? Ata që përjashtojnë diasporën nga llogaritjet politike dhe financiare, megjithëse ajo diasporë ruan stabilitetin financiar të vendit, paguan taksa dhe është ambasadorja më e madhe e këtij vendi?
Kush destabilizon vendin? Ata që urdhërojnë Gjykatën Kushtetuese të heqë zemrën e Marrëveshjes së Ohrit – të drejtën për identifikim etnik – apo ata që respektojnë këtë të drejtë për të gjithë qytetarët?
Kush destabilizon vendin? Ata që anulojnë mekanizmat që integruan një popull të tërë në institucionet e shtetit unitar në vend të krijimit të institucioneve paralele apo ata që ndërtojnë një shtet dhe shoqëri të barabartë?
Kush destabilizon vendin? Ata që përpiqen të fshijnë dhe të anulojnë më të shenjtën, gjuhën shqipe, apo ata që zyrtarizuan shqipen në vend dhe maqedonishten në Bashkimin Evropian?
Kush destabilizon vendin? Ata që për vite të tëra bllokuan integrimin në NATO apo ata që e integruan vendin në NATO? Ata që bllokuan rrugën drejt Bashkimit Evropian apo ata që hapën negociatat dhe mbajtën Konferencën e Parë Ndërqeveritare?
BDI-ja mbetet e përkushtuar për të mbrojtur barazinë, multietnicitetin dhe Marrëveshjen e Ohrit si një themel të paqes dhe stabilitetit. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të reflektojnë mbi këto pyetje dhe të ndërmarrin veprime që promovojnë unitet dhe barazi, në vend të përçarjeve që rrezikojnë të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Lajme nga vendi
NDOTET LUMI VARDAR, KOMUNA E GOSTIVARIT NIS HETIMET PËR ZBULIMIN E AUTORIT
Lajme nga vendi
Studentët kërkojnë mbështetje për protestën: Jurisprudenca edhe në shqip
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë intensifikuar thirrjet për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar më 6 prill në ora 12:30 në Shkup.
Në një komunikatë publike, ata i janë drejtuar mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve, duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje për kauzën e tyre. Studentët theksojnë se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u lejohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një të drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Protesta do të nisë me një marsh nga Ura e Gurit në Shkup. Çështja ka tërhequr vëmendje të shtuar kohët e fundit, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet kanë nënshkruar një peticion që kërkon organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
Lajme nga vendi
Ilaçi palbociklib do të jetë së shpejti në dispozicion në Onkologji, për dy javë thirrja për vitin 2026-2027
Për pacientët onkologjikë për momentin mungon vetëm një ilaç – palbociklibi të cilin e përdorin 142 nga gjithsej 7000 paciente femra me kancer në gji.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski deklaroi se ilaçi së shpejti do të jetë në dispozicion dhe se sasitë për vitin 2026 janë rritur për 50 për qind.
Në konferencën për shtyp në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji ku u shpallën rezultatet për rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve me tre lloje kanceri, që është për shkak të terapisë efikase dhe një buxheti më të madh për trajtim, Klekovski tha se mungesa e palbociklibit është për shkak të faktit se në dhjetor 2025 u përballën me një nevojë dukshëm të shtuar për këtë ilaç (për 142 pacientë), ndërsa vitin e kaluar sasitë ishin planifikuar për 80 pacientë.
“Kur ka një numër dukshëm më të madh pacientësh se sa është planifikuar, nuk është e lehtë të plotësohen nevojat, kështu që buxheti për vitin 2026 do të rritet për 50 për qind për dy barna në këtë kategori, ku përveç këtij është edhe një ilaç tjetër. Presim që thirrja e re për barna të shpallet brenda dy javësh që do të mbulojë vitet 2026-2027”, tha Klekovski.
Së shpejti në Onkologji do të jenë të kapshëm edhe markerët- tumoralë që janë në mungesë, por Klekovski theksoi se kjo nuk është mungesë në të gjithë vendin dhe se pacientët mund të bëjnë markerë- tumoralë në spitale dhe laboratorë të tjerë.
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

