Lajme nga vendi
Dauti: Ranë maskat e partive maqedonase dhe u dëshmua mashtrimi që ju kanë bërë shqiptarëve
Edhe sot në komisionin për punë sociale, demografi dhe rini, deputetët e VMRO-së dhe LSDM-së, insistuan që të fusin në rend dite ligjin për “branitella”, duke penguar zhvillimin e seancës për pika të tjera të rendit të ditës. Kryetarja e Komisionit, Ilire Dauti, përsëriti se sipas Rregullores janë kaluar afatet për të rikthyer atë pikë në rend dite, ndërsa shtoi se çështja e ligjit të propozuar mund të diskutohet në një tryezë tjerë bashkë me të gjitha forcat politike për të gjetur zgjidhje për të gjitha palët e përfshira në konfliktin e vitit 2001. Dauti shtoi se me qasjen e tanishme VMRO dhe LSDM dëshmuan se kanë mashtruar shqiptarët dhe se nuk janë të gatshëm për ti parë qytetarët të barabartë edhe përkundër slloganeve të ndryshme me të cilat ajo tha se i kanë mashtruar disa herë shqiptarët.
“Ne kemi qëndrime krejtësisht të kundërta për atë çështje. Ajo është një temë të cilën duhet të ulen gjthë palët dhe ta shohin një një pikëpamje shumë më të gjërë dhe nuk është çështke e dëshirave tona individuale. Ne kemi thënë, për sa kohë që shteti ëshyë i përbashkët, së paku ju e nderuar kolege jeni nga përfaqësueset e subjektit politik që në zgjedhjet e vitit 2016, por edhe më vonë keni pasur moton “Shoqëri për të gjithë”. Ne kemi thënë që ne shqiptarët kemi nevojë për “Shtet për të gjithë”, ju keni insistuar shoqëri për të gjthë dhe fundja çdi e keqe ka një të mirë. E keqja është de nuk arrini ta kuptoni se shqiptarët ose ushtarët e UÇK duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në ligjin të cilin ju e keni propozuar, mirëpo është e mira se në sytë e opinionit keni mundësinë që të paraqiteni dhe tu njohin shqiptarët së paku ata 50 mijë shqiptarë që ju votuan në vitin 2016 dhe më pas edhe në vitin 2020 duke arritur që nën ombrellën tuaj të futni edhe parti politike shqiptare. Së paku, koha po vërteton tani që krejt ajo ka qenë një farsë vetëm për t’i mashtruar shqiptarët, ju asesi shtetin nuk e shihni të përbashkët pavarësisht prej motove të cilat i nxirni, herë njëri subjekt herë tjetri subjekt në kohë të ndryshme. Ju kisha lutur që të keni mirëkuptim edhe një herë që çështjen që është tërësisht politike dhe e cila kërkon zgjidhje në tjetër vend, mos e bëjmë objekt diskutimi këtu”, tha deputetja Ilire Dauti.
Lajme nga vendi
VLEN: 600 SPECIALIZANTË NË SHËNDETËSINË PUBLIKE
Gjatë këtyre 24 muajve kemi arritur rezultate të dukshme në shumë fusha, ndërsa në shëndetësi nisëm ndryshime që prekën drejtpërdrejt mjekët, pacientët dhe familjet e tyre – thanë në një press-konferencë nga VLEN. Sipas tyre, një nga premtimet kryesore ishte punësimi i 600 specializantëve privatë në shëndetësinë publike. Tani, sic thonë nga VLEN,me vendimin e Qeverisë për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh, ky premtim po përmbushet.
KALTRINA BEQIRI – Grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa vazhdon procesi për punësimin e grupit të dytë. Synimi është që ky proces të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kjo është një mundësi që 300 mjekë të rinj, të cilët e kanë nisur specializimin me shpenzimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre. Në të njëjtën kohë, spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specialistësh do të përforcohen me kuadrin që u nevojitet. Përparësi do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimet ku mungesa e mjekëve është më e madhe.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve tjera. Ata nuk duhet të humbin një ditë të tërë, të shpenzojnë për rrugë dhe të udhëtojnë drejt Shkupit për një kontroll që mund dhe duhet ta marrin pranë shtëpisë.
Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë spitale dhe të blejmë pajisje. Spitalet kanë nevojë për mjekë. Prandaj, krahas investimit historik prej 74 milionë eurosh në Spitalin klinik të Tetovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, po investojmë edhe te njerëzit që kujdesen për shëndetin dhe shpëtojnë jetë.
Ne premtuam punësimin e 600 specializantëve dhe po e përmbushim zotimin. Mjekët e rinj do ta ndërtojnë të ardhmen këtu, spitalet do të përforcohen, ndërsa qytetarët do të marrin shërbime shëndetësore më pranë vendbanimit të tyre.
Lajme nga vendi
BDI: DËSHTIM SERIOZ I KËSAJ QEVERIE – HUMBIN 60.77 MILIONË EURO GRANT NGA BE-ja!
Përmes një press-konference, BDI është prononcuar, sic thonë, për një dështim serioz të kësaj qeverie – humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. BDI thotë se, sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend, këto fonde IPA nuk janë më të disponueshme sepse tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të përcaktuar.
“Për këtë arsye, BDI vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie krijojnë dyshime serioze për qasjen e saj ndaj projekteve strategjike euroatlantike. Zvarritja e Korridorit 8 dhe humbja e fondeve evropiane krijojnë përshtypjen se projektet me rëndësi për NATO-n dhe Bashkimin Evropian po lihen në plan të dytë. Sot kërkojmë përgjigje të qarta: Kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove? Pse nuk u përmbushën afatet për realizimin e projektit? A do të duhet tani që qytetarët ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian ishte i gatshëm ta financonte si grant? BDI do të vazhdojë të mbrojë orientimin euroatlantik të vendit dhe realizimin e Korridorit 8, sepse ky projekt nuk është pronë e asnjë partie politike. Është interes strategjik i shtetit dhe i qytetarëve. Ne e siguruam financimin. Ne e vendosëm Korridorin 8 në agjendën evropiane. Sot kërkojmë përgjegjësi për humbjen e një mundësie historike” – tha në press konferencë, ish-Zv/Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi.
Lajme nga vendi
TETOVA N’FESTË NDEZ ATMOSFERËN, MIJËRA TË RINJ MBUSHËN SHESHIN “ILIRIA”
Në kuadër të organizimit “Tetova n’Festë”, mbrëmja e kaluar u shndërrua në një festë të vërtetë të muzikës dhe argëtimit, duke mbledhur mijëra qytetarë, veçanërisht të rinj, në sheshin “Iliria”. DJ NIKK, ELGID DODA, SAMM, Melinda Ademi dhe Shkumbin Ismaili sollën një atmosferë të jashtëzakonshme me performancat e tyre, duke interpretuar hitet më të njohura dhe duke e mbajtur publikun të entuziazmuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Energjia e artistëve dhe pjesëmarrja masive e publikut e shndërruan sheshin në epiqendrën e festës, ku muzika, vallëzimi dhe atmosfera pozitive krijuan një mbrëmje të paharrueshme. Çdo interpretim u shoqërua me duartrokitje, këndim në kor dhe entuziazëm të madh nga të pranishmit, duke e bërë koncertin një nga ngjarjet më të spikatura të këtij edicioni të festivalit.
Një nga momentet më mbresëlënëse të mbrëmjes ishte numri i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve. Sheshi “Iliria” ishte i mbushur me mijëra të rinj, duke krijuar një pamje që rrallë është parë në Tetovë. Atmosfera festive, energjia e publikut dhe pjesëmarrja masive bënë që shumë qytetarë ta cilësonin këtë si një nga mbrëmjet me praninë më të madhe të rinisë në shesh.
Entuziazmi i tyre, këndimi i çdo kënge dhe emocionet e ndara me artistët krijuan një atmosferë unike, duke dëshmuar se “Tetova n’Festë” po shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe argëtuese të qytetit.
Interesimi i madh i publikut dëshmoi edhe një herë rëndësinë e organizimeve të tilla për jetën kulturore dhe sociale të Tetovës. Ky festival jo vetëm që sjell emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, por krijon edhe një hapësirë ku qytetarët dhe vizitorët mund të kalojnë mbrëmje të mbushura me muzikë, argëtim dhe atmosferë festive.
Programi i “Tetova n’Festë” vazhdon edhe sonte me një mbrëmje të dedikuar adhuruesve të muzikës ndër vite. Në skenën e sheshit “Iliria” do të performojnë Sabri Fejzullahu, Grupi Minatori, Naser Berisha dhe DJ Shock. Organizatorët presin një tjetër mbrëmje madhështore, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe një atmosferë festive që do të bashkojë breza të ndryshëm përmes muzikës dhe argëtimit./Tv Koha/

