Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë kryesisht i vranët
Moti sot do të jetë kryesisht i vranët me reshje shiu, por më të dendura në pjesët perëndimore (mbi 40 l/m2). Do të fryjë erë e fortë jugore e cila gjatë natës do të ndryshojë drejtimin në veri (mbi 70 km/h). Gjatë natës reshjet e shiut fillimisht do të kalojnë në borë në male, e më pas në vende më të ulëta dhe do të formohet shtresë bore. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej -3 deri në 4, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 9 deri në 14 gradë.
Në Shkup moti do të jetë kryesisht i vranët, pasdite dhe gjatë natës me reshje shiu herë pas here më të dendura. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga jugu. Gjatë natës me erë të fortë veriore në pjesët më të larta të luginës do të krijohen kushte që reshjet e shiut të kthehen në borë me intensitet të ulët. Temperatura minimale do të zbresë deri në -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 12 gradë.
DPHM informon se të shtunën në mëngjes moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me borë të kohëpaskohshme, kryesisht në pjesët perëndimore. Përgjatë Vardarit do të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi verior. (mbi 70 km/h).
Në ditët në vijim do të mbajë mot stabil dhe i qetë me temperatura të ulëta të mëngjesit dhe paraqitje të mjegullës nëpër lugina.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

