Lajme nga vendi
Inspektorati i arsimit kontroll në Çellopek, akuza për keqpërdorim të shfaqjes
Një shfaqje e fëmijëve të shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Komunës së Bërvenicës ku në prapavijë kanë qenë fëmijë me uniforma të UÇK së dhe me armë plastike, ka shkaktuar tensione deri në atë masë sa në terren kanë dalë dy inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Ardhja e tyre në këtë shkollë erdhi pas reagimeve edhe të vet ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, shkruan gazeta KOHA. Dy inspektorët nuk janë prononcuar për mediat, por vetëm konfirmuan se vizita në shkollë është për inspektim. Ndërkohë, para oborrit të shkollës ka pasur forca të shtuara të policisë dhe kjo, sipas informacioneve në rrugë jozyrtare, ka ndodhë për shkak të disa paralajmërimeve se mund të ketë protesta në mbrojtje të drejtorit të shkollës, Jasin Reka.
Ky i fundit thotë se shfaqja ka qenë për fëmijë dhe nuk ka pasur mesazhe për nxitje të urrejtjes ndëretnike. “Është një shfaqje për fëmijë, asgjë më tepër, nuk ka pasur prapavijë politike apo etnike, as nuk ka përcjellë ndonjë ndarje, apo thirrje për luftë. Thjeshtë, ka qenë manifestim për fëmijë, në kuadër të shënimit të datave historike të shqiptarëve që tradicionalisht shënohet jo vetëm në shkollën tonë, por gjithandej”, thotë Jasin Reka, drejtor i shkollës fillore “7 Marsi” në Çellopek.
Ndërkaq, Xhelal Ahmeti, përgjegjës për arsim në Komunën e Bërvenicës, thotë se shfaqja e tillë nuk do të duhej të ndodhte, por megjithatë – nuk është bazë që të dënohet drejtori.
“Tani kjo ka ndodhë dhe dramatizohet, por ne nuk mund ti shmangemi asaj, realisht ka qenë një pikë që nuk është dashur të jetë, ata fëmijë kanë qenë në prapavijë dhe një nxënëse ka recituar para tyre. Nuk ka patur thirrje apo brohoritje. Se kush duhet të mbajë përgjegjësi, për këtë duhet organet të vendosin”, tha Ahmeti. Edhe kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, thotë se raportet ndëretnike në këtë komunë janë të mira dhe tensionet e këtilla nuk i shërbejnë askujt. Ai thotë se shfaqja nuk do të duhej të ndodhte, por nuk kanë ndërmend të dënojnë askënd dhe se përgjegjës për këtë është inspektorati i arsimit.
“Ne si komunë shfaqjen e tillë nuk e përkrahim, por nuk jemi që të ketë sanksione drastike, sepse kemi një bashkëpunim të mirë. Raportet ndëretnike janë të mira dhe nuk jemi që për një shfaqje të fëmijëve të ngriten tensione etnike. Jemi të qëndrimit se çfarëdo që vendos inspektorati, ne do ta respektojmë atë vendim”, tha kryetari i Bërvenicës, Jovica Ilievski. Nga Komuna e Bërvenicës shprehen se që tre muaj – 300 nxënësit maqedonas të shkollës së Bërvenicës mësojnë në Çellopek dhe nuk kanë asnjë problem.
Festa e 22 dhe 28 nëntorit u shoqërua me shumë tensione dhe probleme pas djegies dhe heqjes së flamujve të Maqedonisë dhe atij shqiptar. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska përmes postimit në profilin e saj në Facebook paralajmëroi inicim të procedurës kundër shkollës dhe mësimdhënësve në shkollën fillore “7 Marsi” në Çellopek. Arsye e këtij reagimi është organizimi i shfaqjes shkollore për nder të 28 Nëntorit, në të cilën nxënësit ishin të veshur me uniforma. “U bëjmë thirrje të gjitha shkollave të tjera të distancohen nga aktivitete të këtilla, të promovojnë vlera të vërteta njerëzore dhe të angazhohen të ndërtojnë gjenerata të pajisura me dituri, dhe jo me armë”, deklaroi Janevska.
Lajme nga vendi
Miratohet buxheti i Tetovës, mbi 17 milionë euro për projekte kapitale
Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me vitin paraprak dhe se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.
“Për herë të parë, rreth 40 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale. Në buxhetet e mëparshme, 70 deri në 80 për qind shkonin për paga dhe shpenzime operative. Ky buxhet parasheh ndërtimin e shkollave të reja, pishina, rrugë, kanalizim, ujë të pijshëm dhe projekte të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, deklaroi Kasami.
Ai sqaroi se janë paraparë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e një rruge të re në fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë pjesë e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren.
“Në Shipkovicë do të ndërtohet një qarkore, në mënyrë që rruga të mos kalojë përmes fshatit, pasi rruga ekzistuese nuk i plotëson kushtet. Janë ndarë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e kësaj qarkoreje. Segmenti nga Tetova deri në Shipkovicë i plotëson kushtet, ndërsa pjesa nga Shipkovica drejt fshatrave të tjera do të zgjerohet”, shtoi Kasami.
Këshilltari nga Lista Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi, kritikoi disa zëra të buxhetit, duke theksuar se në të janë përfshirë mjete për rrugë që, sipas tij, janë realizuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Bëhet fjalë për projekte që janë realizuar gjatë vitit 2025 dhe që do të paguhen nga buxheti i vitit 2026. Gjithashtu, kemi punësime me kontrata në Komunën e Tetovës, me një vlerë rreth 570 mijë euro. Propozova një amendament për rregullimin e fushës sportive në Gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’, por nuk u pranua me arsyetimin se aty do të ketë investim privat”, tha Arifi.
Gjatë seancës, këshilltarët e Aleanca Kombëtare për Integrim akuzuan se edhe për vitin 2026 është paraparë një buxhet i konsiderueshëm për punësime, të cilat i cilësuan si punësime të militantëve partiakë. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryetari Kasami, i cili deklaroi se në Komunën e Tetovës askush nuk merr pagë pa kryer punë. Po ashtu, këshilltarët e AKI-së kërkuan që të ndahen mjete edhe për rrugën në fshatin Gajre, duke theksuar se ajo është lënë në harresë dhe ndodhet në gjendje të rënduar infrastrukturore./TV KOHA/
Lajme nga vendi
Adnan Azizi: Puna, ndryshimi dhe transformimi i Tetovës kanë emër – Bilall Kasami
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me një mesazh publik lidhur me përurimin e bulevardit të ri në Tetovë, duke vlerësuar lart punën e kryetarit të Komunës, Bilall Kasami.
Në reagimin e tij, Azizi thekson se puna, ndryshimi dhe transformimi i Tetovës janë të lidhura drejtpërdrejt me emrin e Bilall Kasamit, të cilin e cilëson si “kryetarin më të suksesshëm të të gjitha kohërave”.
“Urime bulevardi i ri të gjithë qytetarëve”, ka shkruar deputeti Azizi, duke nënvizuar se projektet infrastrukturore janë dëshmi konkrete e angazhimit për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve të Tetovës.
Sipas tij, investimet e realizuara në infrastrukturë po e shndërrojnë Tetovën në një qytet më funksional, modern dhe të denjë për qytetarët e saj, ndërsa përurimi i bulevardit të ri paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Lajme nga vendi
Nënshkruhet Marrëveshja për hua me BERZH-in me vlerë 20.9 milionë euro – do të furnizohen lokomotiva elektrike për HRMV Transport
Një marrëveshje për hua midis HM Transport dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 20.9 milionë euro është nënshkruar sot në Qeveri. Me huanë do të do të furnizohen lokomotiva elektrike me pjesë rezervë, ndërsa qëllimi është transport më i madh i mallrave dhe gjenerimi i të ardhurave për ndërmarrjen.
Siç u tha para nënshkrimit, projekti është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të HM Transport, si dhe drejt përmirësimit të sigurisë dhe efikasitetit të transportit hekurudhor të mallrave.
Kushtet nën të cilat u siguruan mjetet – një periudhë afatgjatë e shlyerjes, një periudhë e favorshme grejs dhe një normë interesi konkurruese, janë në përputhje të plotë me strategjinë për menaxhim të përgjegjshëm të borxhit publik dhe sigurimin e financave publike të qëndrueshme.
“Sot po flasim për diçka që është lënë pas dore me dekada, por që është me rëndësi thelbësore për ekonominë, eksportin dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë, dhe kjo është hekurudha. Gjendja që trashëguam ishte katastrofike. Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale”, nënvizoi kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit kjo është një ripërtëritje sistematike e sektorit hekurudhor.
Mickoski informoi edhe se Marrëveshjes për hua i parapriu një analizë e nevojave, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Kochoska, nënshkrimi i Marrëveshjes është një hap kyç për transformimin e plotë të HRMV Transport në një ndërmarrje moderne që do t’u përgjigjet nevojave të klientëve të saj.
“Lokomotivat e reja do ta ndryshojnë plotësisht pamjen dhe, së bashku me ato ekzistuese, do të jenë në gjendje t’i shërbejnë plotësisht transportit”, tha Nikolloski.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi se Marrëveshja për hua është rezultat i negociatave intensive dhe konstruktive dhe është një konfirmim i besimit që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në politikat tona dhe në drejtimin në të cilin po lëviz vendi.
“Me ngjarjen e sotme dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për borxh për financimin e projektit “Rinovimi i flotës së mjeteve” drejtpërdrejtë investojmë në rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë – Transport SHA Shkup, përmes furnizimit të lokomotivave të reja të cilat do të mundësojnë vëllim dhe siguri më të madhe në transportin hekurudhor transportues. Kjo do të thotë lidhshmëri më e mirë, konkurrencë më e madhe e ekonomisë vendore dhe mundësi të reja për gjenerimin e të ardhurave. Veçanërisht është e rëndësishme që projekti përfshin edhe vendosjen e sistemit bashkëkohor ERP, me të cilin krijohet bazë për menaxhim më të mirë me burimet, efikasitet të rritur operativ dhe nivel më të lartë të menaxhimit korporativ në sektorin hekurudhor”, theksoi ministrja.
Ky është një shembull, shtoi, i një qasjeje të integruar – jo vetëm investime në infrastrukturë, por edhe forcim institucional dhe menaxhues.
Në nënshkrim, përveç përfaqësuesve të BERZH-it, morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe menaxhmentit të HRMV Transport.

