Lajme nga vendi
Kërstevska: Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Palevski janë të pabaza
Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Lupço Palevski -Palço janë të pabaza, deklaroi prokurorja publike Zhaklina Kërstevska.
Sipas Kërstevskës, është e qartë se i akuzuari Lupço Palevski kërkesën e parashtruar për përjashtim e ka shfrytëzuar për të paraqitur të gjitha pretendimet e tij që në parim i shkojnë mbrojtjes së tij.
“Provat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës dhe duket se me prezantimin e video-incizimeve po i afrohemi pjesës kur opinioni do të informohet për veprimet konkrete të ndërmarra nga i akuzuari Lupço Palevski i cili gjatë gjithë kohës ka mohuar se ka marrë pjesë në ngjarjet në fjalë”, deklaroi Kërstevska duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përfundimit të seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
E pyetur mbi pretendimet në kërkesën për përjashtim se i akuzuari Bore Videvski ka poseduar armë, Kërstevska ka thënë se prokuroria i ka siguruar të gjitha provat dhe të njëjta janë dorëzuar në listën e provave.
“Të gjitha aktivitetet janë ndërmarrë nga prokuroria”, ka thënë Videvski.
Lidhur me deklaratën e mbrojtësit të Palevskit se të akuzuarit e tjerë kanë negociuar me prokurorinë, Kërstevska ka thënë se asnjë mbrojtës nuk ka folur me prokurorinë jashtë aktiviteteve zyrtare.
“Është shumë e çuditshme se si i akuzuari Lupço Palevski i ka procesverbalet e marrjes në pyetje të të dyshuarve Velibor Manev, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski në Prokurori, sepse këto janë dokumente që janë vetëm për prokurorinë dhe nuk janë dorëzuar për mbikëqyrje ose mbrojtje, andaj është shumë e çuditshme se si i ka ardhur deri te të njëjtat dhe i prezanton para opinionit”, tha Kërstevska.
E pyetur nëse do të hetojnë se kush nga prokuroria ua ka dhënë këto dokumente, Kërstevska tha se nuk mund të komentojnë derisa të ndërmarrin aktivitete konkrete për person të caktuar.
“Nëse kemi prova, sigurisht se do të prononcohemi”, ka thënë Kërstevska.
I akuzuari i parë për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Lupço Palevski Palço, në fillim të seancës së sotme, kërkoi përjashtimin e prokurores publike Zhaklina Kërstevska dhe të gjithë Prokurorisë Publike të Shkupit, në rastin për shkak të një hetimi të kryer në mënyrë jo të duhur.
Gjyqtari Ivica Stefanovski, gjykimin e shtyu për më 3 shkurt, duke theksuar se duhet t’i lërë hapësirë prokurorit publik republikan Lupço Kocevski duke u shprehur për pretendimet e kërkesës për përjashtim.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

