Connect with us

Lajme nga rajoni

Kush i ka votat për Qeverinë e ardhme në Kosovë?

Published

on

Rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike. Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota, shkruan Radio Evropa e Lirë. 

Kjo parti ka fituar rreth 41.14 për qind të votave, duke mos arritur të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur mori mbi 50 për qind të votave.

Me 21.99 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.68 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.65 për qind të votave.

Lista Serbe ka fituar 4.05 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.

Advertisement

Rezultati përfundimtar i votimeve do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit me 120 ulëse, ndërkaq deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.

Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.

“Kalkulimet” pas votave nga diaspora dhe me kusht

Rezultati preliminar aktual krijon situatë të paqartë dhe jopërfundimtare lidhur me atë se sa do të jetë numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik, si dhe kush do t’i qaset formimit të Qeverisë së re, vlerësojnë nga Grupi Ballkanik për Politika në Prishtinë.

Drejtori i këtij grupi, Naim Rashiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.

“[Lëvizja Vetëvendosje] ka [rreth] 42 për qind, që do t’i bie 47 deputetë. Me votat e diasporës [votat nga jashtë] mund të kemi edhe dy ose tre deputetë. Nëse Vetëvendosje arrin në 49-50 [ulëse të Kuvendit] do të kemi kalkulime të tjera. Nëse subjektet tjera e ulin dallimin me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë sërish do të kemi kalkulimet tjera”, konsideron Rashiti.

Advertisement

KQZ-ja ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.

Përderisa numri i votuesve me postë mbetet të verifikohet, në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë kanë votuar 15.552 persona.

Numri i personave që kanë votuar me kusht ende nuk është bërë i ditur nga KQZ-ja.

Rezultati “imponon kompromise”

Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se rezultatet aktuale preliminare të subjekteve politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, krijojnë paqartësi lidhur me konfiguracionin e saktë të Kuvendit dhe Qeverisë së ardhshme të vendit.

Bazuar në këto rezultate, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar.

Advertisement

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe”, thekson Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë dhe shton:

“Nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë e deritashme opozitare.

Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare është e dyta, nuk e ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet eventuale pas zgjedhjeve.

Advertisement

Muhaxhiri konsideron se rezultatet preliminare të zgjedhjeve i bëjnë të paqëndrueshme deklaratat e mëhershme të partive politike lidhur me koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve.

“Ky rezultat imponon kompromise. Nuk ka asnjë gjasë teorike që të ketë një qeveri të qëndrueshme pa bërë kompromise”, shprehet Muhaxhiri dhe shton se në ditët në vijim, kur rezultatet përfundimtare do të shpallen nga KQZ-ja, “do të kemi pasqyrë më të qartë se cilat janë ato parti më të gatshme për të bërë kompromise”.

Çfarë thanë partitë politike?

Duke iu referuar rezultateve preliminare, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën vonë ka deklaruar se “edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”.

Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të qeverisë me partitë Guxo dhe Alternativa, të cilat garuan brenda listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3… Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.

Advertisement

Partia Demokratike e Kosovës pozicionimin si forca e dytë politike pas zgjedhjeve e ka konsideruar si rezultat të mirë për këtë parti.

Zëdhënësi i saj, Blerand Stavileci ka deklaruar se ky rezultat është “një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën”.

Megjithatë, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse PDK-ja është e hapur për koalicione.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si “rezultat demokratik”.

Megjithatë, ai e ka pranuar se për LDK-në “rezultati nuk është i kënaqshëm” në përmasat që e ka pritur kjo parti si dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve.

Advertisement

Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “opozita i ka fituar këto zgjedhje”, duke shtuar se pret me padurim “që të bashkëpunojmë për krijimin e Qeverisë”, duke iu referuar një koalicioni të mundshëm pas zgjedhjeve të tri partive të deritashme opozitare.

Në anën tjetër, Lista Serbe, e cila ishte në garë me pesë parti të tjera nga komuniteti serb, ka deklaruar se i ka fituar të dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, që nga zgjedhjet e vitit 2014 dhe në të gjitha proceset zgjedhore të pastajme, ka fituar të gjitha mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvend si dhe ka qenë pjesë e ekzekutivit, përveç në mandatin e kaluar të cilën e drejtoi kryeministri i deritashëm, Albin Kurti.

A është e domosdoshme Lista Serbe për krijimin e Qeverisë?

Tensionet e shpeshta në veri të Kosovës që nga viti 2022 e deri në zgjedhjet e sivjetme, e kanë pozicionuar Listën Serbe si kundërshtare të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit.

Advertisement

Artan Muhaxhiri thotë se mbetet të shihet nga rezultatet përfundimtare nëse Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvend.

Por, edhe në rast se Lista Serbe ka fituar jo të gjitha, por shumicën e mandateve të garantuara, atëherë ajo është përfaqësuesja më legjitime e komunitetit serb në Kosovë, e cila, sipas tij, nuk do të duhej të anashkalohet nga përfshirja në qeverisje nga kushdo që e formon ekzekutivin e ardhshëm.

“Nëse bëhet një krahasim në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare aktuale si partnere të Listës Serbe, atëherë pakrahasueshëm më lehtë do ta bëjë Lista Serbe një koalicion me partitë opozitare”, thekson Muhaxhiri.

Por, ndryshe mendon Naim Rashiti. Ai nuk beson që subjektet politike shqiptare, cilado qoftë, do të llogarisin në Listën Serbe për formimin e Qeverisë së re.

“Ky precedent tashmë është krijuar edhe me situatat e fundit kur Qeveria kishte emëruar ministra që nuk vinin nga Lista Serbe. Besoj se Lista Serbe do të mbetet jashtë ekuacionit të formimit të Qeverisë”, thekson Rashiti.

Advertisement

Ai shton se kushdo që do ta formojë Qeverinë e ardhshëm do të llogarisë që të krijojë partneritet me partitë tjera serbe të Kosovës dhe jo me Listën Serbe.

Edhe Rashiti, por edhe Muhaxhiri, kritikuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për siç thanë, “joseriozitet” në informimin e opinionit “përmes faqes së internetit”.

Derisa priteshin rezultatet preliminare nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe numërimi i fletëvotimeve me rezultatet e partive politike, qasja në faqja e internetit të KQZ-së, disa herë ishte e pamundur.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.

Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind.

Advertisement

Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote.

Për herë të parë kanë votuar 125 mijë votues të rinj.

Lajme nga rajoni

Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës

Published

on

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë që do të protestojnë sot në Shkup për mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një sinjal të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe respektimin e të drejtave themelore.

Në reagimin e saj, Spiropali thekson se kërkesa për të drejta që janë të garantuara në Kushtetutë dhe në ligj, por që ngrihen në formë proteste, tregon qartë se ekziston një hendek mes parimit dhe zbatimit në praktikë. Sipas saj, të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në dokumente zyrtare, por duhet të reflektohen në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Gjuha shqipe nuk mund të jetë objekt diskutimi apo kompromisi institucional, por përbën një të drejtë themelore që duhet të respektohet. Në këtë kontekst, protesta e studentëve shihet jo vetëm si një reagim, por si një thirrje për të forcuar standardet demokratike dhe për të garantuar barazi reale”, tha ish-kryediplomatja shqiptare transmeton Klankosova.tv.

Ajo shtoi se një shtet që mbron dhe garanton përdorimin e gjuhës, kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e barazisë dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve.

Tutje, ajo shpreh mbështetje për studentët, duke theksuar se ata po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin dhe parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.

Advertisement

Në përfundim, ish-ministrja e Jashtme shqiptare, e konsideron këtë situatë si një provë të rëndësishme për funksionimin real të shtetit dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike, veçanërisht në kontekstin e aspiratave të përbashkëta europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Continue Reading

Lajme nga rajoni

DW: Milanoviçi i mbylli derën Vuçiçit dhe i dëmtoi të gjithë

Published

on

Vendimi i Presidentit kroat Zoran Milanoviq për të anuluar takimin e planifikuar të majit në kuadër të nismës Brdo-Brioni me qëllim parandalimin e ardhjues së Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kroaci, ka shkaktuar reagime të ndara në publik për një javë të tërë.

Duket se mbizotërojnë kritikat, ndërsa në anën tjetër janë kryesisht e djathta ekstreme kroate dhe vetë Aleksandar Vuçiq. Ai e komentoi këtë për mediat, duke thënë se pajtohet “plotësisht” me veprimin e Milanoviqit, sepse “ai nuk ka vend atje”.

Një deklaratë nga Zyra e Presidentit të Kroacisë deklaroi se “deklaratat dhe veprimet politike” të Presidentit serb “në ditët dhe javët e fundit” janë në kundërshtim me “qëllimin e procesit të Brdo-Brioni”, të cilit Milanoviq është bashkëkryetar.

Kujtohet se ky proces u iniciua nga Kroacia dhe Sllovenia me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe përshpejtimin e integrimit evropian në Evropën Juglindore. Më pas u raportua nga burime të tjera se kabineti i Presidentes sllovene Natasha Pirc Musar, gjithashtu bashkëkryetare e nismës, po shqyrton një vend alternativ për takimin që bashkon krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

DW: Milanoviçi i mbylli derën Vuçiçit dhe i
Takimi Vuçiq dhe Milanoviq nga viti 2022

“Në parim, mendoj se është gjithmonë shumë më e zgjuar të flasësh sesa të mos flasësh”, tha për DW Tomislav Jakiq, komentator i politikës së jashtme dhe ish-këshilltar i politikës së jashtme i Stjepan Mesiq, ish-Presidentit kroat.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë, ai beson se nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me fqinjë.

Advertisement
“Për një numër arsyesh, ne jemi të varur nga njëri-tjetri”, thotë ai. “Ndërtimi i marrëdhënieve më të mira të mundshme është padyshim në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Nëse jo fqinjësi të mirë, atëherë të paktën marrëdhënie të drejta. Anulimi i takimit brenda procesit Brdo-Brioni, të cilin Kroacia duhej ta priste, nuk kontribuon në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve në asnjë mënyrë”, shton ai.

Sidomos duke pasur parasysh se ato kanë qenë në një nivel shumë të ulët për një kohë të gjatë. Jakiq thotë se ka përshtypjen, në mungesë të treguesve më konkretë, se Presidenti kroat “ndjeu nevojën, për arsye që i di vetëm ai”, për ta bërë veten disi të pranueshëm përsëri për krahun e djathtë të elektoratit kroat.

Kjo pavarësisht faktit që Zoran Milanoviq nuk ka më mundësinë të kandidojë për president të Kroacisë.

“Nga pikëpamja e ruajtjes së dinjitetit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kroacisë,” është kategorik Jakić, “ai nuk ka nevojë të favorizojë askënd.”

“Në të njëjtën kohë, në javët e fundit, për çështje të tjera të politikës së jashtme, ai ka treguar se mund të marrë qëndrimin e duhur, të vendosur dhe të qartë, edhe kur kjo nuk i sjell pikë politike në skenën e brendshme. Kjo është arsyeja pse është edhe më e vështirë për mua të kuptoj pse ai po lëviz në drejtim të ruajtjes së tensionit midis Kroacisë dhe Serbisë,” thotë Jakiq.

Ai mendon se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të amnistojë atë që tha ose bëri Vuçiq. “Por nëse marrëdhënia me Serbinë do të vihet në pah, do të ishte më e mençur dhe politikisht më e pastër të krijohej një mundësi në të cilën Presidenti Vuçiq do të duhej të legjitimonte veten,” beson Jakiq.

Advertisement

Takimi i iniciativës Brdo-Brioni, sipas mendimit të tij, ishte një hapësirë ​​e mirë për diçka të tillë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të tensioneve midis Kroacisë dhe Serbisë në javët e fundit, pasi Ushtria e Serbisë shfaqi publikisht raketat kineze ajër-tokë CM-400.

Continue Reading

Lajme nga rajoni

Prishtinë: Kafe dhe çaj falas për tifozët turq në ditën e finales historike të Kosovës

Published

on

“Sot rivalë, por gjithmonë MIQ”: Kafe dhe çaj falas për tifozët turq – e keni paguar “borxhin” në vitin 1999!

Në prag të një ndeshje historike për Kosovën, një bar në Prishtinë ka ndërmarrë një iniciativë simbolike, të ofrojë kafe dhe çaj falas për të gjithë tifozët e Turqisë.

Ky gjest vjen si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës në vitin 1999. Mesazhi i shpërndarë është i qartë: “E keni paguar në vitin 1999 – sot nuk keni asnjë borxh”.

Edhe pse sot dy ekipet përballen si rivalë në fushë, ky veprim rikujton se lidhjet mes popujve mbeten të forta përtej sportit. Atmosfera në kryeqytet pritet të jetë festive, me tifozë nga të dyja palët që do ta ndjekin ndeshjen në një frymë respekti dhe miqësie.

Ky gjest i vogël, por domethënës, po vlerësohet si një shembull i bukur i solidaritetit dhe respektit ndërmjet dy popujve./TVShenja

Advertisement

Continue Reading

Më të lexuarat