Sport
Klisman Cake, 100 ndeshje me Shkëndijën
Mbrojtësi i majtë Klisman Cake ka arritur një moment historik në karrierën e tij me fanellën kuqezi, duke kompletuar 100 ndeshje zyrtare me Shkëndijën.
Ndeshja kundër Tikveshit për futbollistin Klisman Cake ishte e 89-ta për të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa bilanci i tij përfshin edhe 10 paraqitje në Kupat e Evropës dhe 1 ndeshje në Kupën e vendit.
Me këtë rast, para fillimit të takimit, drejtori sportiv i klubit, Ardian Cuculi, në emër të Shkëndijës i dorëzoi Cake-s një fanellë të personalizuar me numrin 100, të vendosur në kornizë, si simbol i këtij arritjeje të rëndësishme.
Gjatë këtyre 100 ndeshjeve, Cake ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në fazën ofensive, duke realizuar 11 gola, 10 prej tyre në kampionat dhe 1 në Evropë.
Sport
LIGA E TRETË PERËNDIM: KAMJANI NUK DORRËZON KREUN
Klubi i futbollit Kamjani dhe Vëllazërimi i Kërçovës edhe pas xhiros së 16-të, mbeten dy skuadrat pretendente për titullin kampion në Ligën e tretë grupi Perëndim
Gjatë vikendit janë zhvilluara ndeshjet e javës së 16-të në Ligën e tretë grupi Perëndim, ku skuadrat vendase kanë regjistruar 2 fitore po aq edhe skuadrat mysafire. Lideri në renditjen e tabelës klubi futbollit Kamjani ka shënuar fitore të thellë 6-0 në përballjen me ekipin e Renovës. Për ekipin e Kamjanit ishte kjo fitorja e 13 sezonale në 15 ndeshje të zhvilluara. Fitore të sigurt 3-0 ka shënuar edhe Vëllazërimi Kërçovës në përballjen me ekipin Skënderbeu të Porojit. Ekipi i Reçicës ka befasuar Dobroshtin duke e mundur 3-2 në cilësinë e mysafirit. Në transfertë fitore të thellë ka regjistruar Vardari i Bërvenicës kundër Lubotenit 7-2. Ndeshja Drita – Naperdoku është anuluar. Pas ndeshjeve të djeshme tabelën e kryeson Kamjani me 40 pikë e ndjekur nga Vëllazërimi me 38 pikë por me një ndeshje më tepër.
Rezultatet: Luboteni – Vardari 0-7, Vëllazërimi – Skënderbeu 3-0, Dobroshti – Reçica 2-3 dhe Kamjani – Renova 6-0
Sport
LIGA E DYTË: “NDIZET” LUFTA PËR TITULL – HARAÇINASIT DYSHOJNË PËR PRAPASKENA!
Java e 24 në Ligën e dytë të futbollit nxori në sipërfaqe se katër ekipet e para Bregallnica, Ohri, Skopje dhe Shkëndija e Haraçinës mbeten kandidat për tre vendet e para. Shkëndija e Haraçinës ka dyshon për prapaskena në ligë të dytë duke drejtuar akuza ndaj arbitrit Fatmir Bafto për ndeshjen e fundit në Koçanë.
Është ndezur gara në Ligën e Dytë në “betejën” për promovim në elitën e futbollit. Katër ekipe janë në garë për një vend që çon në Ligën e Parë dhe dy të tjerat në balotazh.
“Betejat” do të zhvillohen midis Bregallnicës, Ohrit, Skopjes dhe Shkëndisë së Haraçinës.
Kjo e fundit në javën e 24-të fitoi vetëm një pikë në Koçanë, por kanë ngritur shqetësime për referimin e arbitrit Fatmir Bafto. Shkëndija e Haraçinës, përmes një reagimi zyrtar, madje parashtron dilemën se si të vazhdohet, siç thonë, pas kësaj kërdie në Koçanë?
Si është e mundur që fati i sezonit për një ekip të varet nga një individ? A ka kuptim të luhet në këtë ligë kur renditjen e përcakton referimi? Nëse në një kohë tjetër ky dëmtim i qëllimshëm i ekipeve “të padëgjueshme” ishte normal, si ta pranojmë sot si dukuri normale, kur çdo ndeshje xhirohet dhe shihet nga mijëra njerëz?
Kërkojmë nga Federata e Futbollit të analizojë referimin e Fatmir Baftos dhe përfundimin le ta sjellë vetë. Sa i përket klubit tonë… e dini që Shkëndija nuk e di çka është dorëzimi. Betejat i kemi qejf dhe zakonisht nuk humbim.” – thuhet në reagimin e klubit nga Haraçina, të shoqëruar edhe me video-material të momenteve kontestuese të ndeshjes së fundit.
Pas kompletimit të xhiros së 24-të tabelën e kryeson Bregallnica me 55 pikë e ndjekur nga Ohri, Skopje dhe Shkëndija e Haraçinës që kanë nga 53 pikë.
Rezultatet e javës së 24-të: Pobeda – Bellasica 0-5. Teteksi – Prespa 2-0, Bregalnica – Golemo Konjari 6-1, Novaci – Skopje 0-1, Kozhufi – Slloga 5-2, Kamenica Sasa – Ohri 1-1, Vardari – Detonit Plaçkovica 0-3 dhe Osogova Shkëndija (H) 1-1
Sport
VEDAT MURIQI HYN NË HISTORINË E MAJORKAS!
Vedat Muriqi e ka shënuar me gërma të arta emrin e tij në historinë e Mallorcas. Sulmuesi i Kosovës, është bërë zyrtarisht golashënuesi më i mirë në histori të klubit spanjoll në La Liga.
Përmes dy golave të shënuar në pjesën e parë kundër Rayo Vallecanos, sulmuesi dardan arriti kuotën e 55 realizimeve, duke thyer rekordin e mbajtur prej vitesh nga legjenda Samuel Eto’o, me 54 gola.
Ky sukses e pozicionon “Piratin” si figurën qendrore të ekipit ishullor në elitën e futbollit spanjoll.
Përveç rekordit historik, Muriqi po zhvillon një sezon mbresëlënës edhe në aspektin personal, duke u ngjitur në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit.
Me 21 gola të shënuar deri më tani, ai ndodhet vetëm dy realizime larg yllit të Real Madridit, Kylian Mbappe.
Pas ndeshjes, Muriqi u prit me nderime në muzeun e klubit, ku vendosi edhe këpucët e tij si simbol i momentit historik.
Mallorca publikoi edhe një video nga vizita e tij, duke shkruar: “Këpucët historike shkojnë direkt në muzeun e Mallorca-s.”
Ky rekord i madh i ish-futbollistit të Barcelonës ka qëndruar për vite me radhë, por tashmë Muriqi ka hyrë fuqishëm në librat e historisë së Mallorcas dhe pritet të mbetet aty për një kohë të gjatë.
Edhe klubi spanjoll e ka konfirmuar këtë arritje, duke theksuar se “Muriqi është golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga”.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

