Lajme nga vendi
Fillkov: Nuk duhet të lejojmë që viktimat e krimeve të dhunshme të mbeten të pambrojtura dhe autorët të mbeten të pandëshkuar
Barazia gjinore nuk është vetëm vlerë morale. Është një shtyllë themelore e një shoqërie moderne ligjore dhe demokratike. Ky koncept është i ngulitur në akte të shumta ligjore dhe nënligjore, por që të realizohet plotësisht duhet ta praktikojmë pa kompromis, pa stereotipe dhe pa paragjykime. Nuk ka përparim në shoqëri pa respektimin e të drejtave themelore të njeriut të çdo individi.
Këtë e theksoi ministri i Drejtësisë Igor Fillkov në fjalimin e tij në Forumin e Tretë Gjyqësor për Barazi Gjinore në Ballkanin Perëndimor, që filloi sot në Shkup. Ai nënvizoi se kërcënimi i barazisë gjinore kërcënon edhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Ne jemi një nga vendet e para që nënshkruam Konventën e Stambollit në vitin 2011. Pas ratifikimit të tij në vitin 2018, bëmë ndryshimet e para ligjore që kriminalizojnë dhunën me bazë gjinore dhe prezantojnë kualifikimin e ri të femicidit, me dënime të përcaktuara rreptësisht. Kodi Penal tashmë është ndryshuar dhe përshtatur me Konventën e Stambollit. Krimi i vrasjes – femicid dënohet me të paktën dhjetë vjet dënim me burg ose burg të përjetshëm për kryerjen e dhunës me bazë gjinore”, tha ministri i Drejtësisë.
Sipas tij, progres është arritur edhe me miratimin e Ligjit për pagesën e kompensimit në para për viktimat e krimeve të dhunshme. Kjo parandalon viktimizimin sekondar si vuajtje shtesë për viktimat, shumica e të cilave janë gra. Në tetor të vitit 2024, kujton ai, u hap zyra e Komisionit për Kompensimin Financiar të Viktimave të Krimeve me Dhunë, i cili po funksionon me sukses dhe i përpunon procedurat.
“Çdo rast i dhunës me bazë gjinore, çdo rast i femicidit është një tragjedi që duhet të na inkurajojë të veprojmë më shpejt dhe më fort. Angazhimi ynë është i qartë: nuk do të lejojmë dështime sistematike. Ne nuk duhet të lejojmë që viktimat të mbeten të pambrojtura dhe autorët të mbeten të pandëshkuar. Gjyqësori, prokuroritë dhe të gjitha institucionet përkatëse duhet të drejtohen drejt një qasjeje efektive dhe vendimtare, me theks të fortë në seriozitetin e këtyre akteve dhe ndikimin e tyre social. Prandaj, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të investojë në sistemin juridik për të ofruar mbrojtje reale për të gjitha viktimat dhe do të vazhdojmë të punojmë në përmirësimin e qasjes në drejtësi”, theksoi ministri Fillkov.
Forumi organizohet nga Qendra AIRE (AIRE Centre), në partneritet me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Maqedoninë e Veriut. Përveç ministrit Fillkov, në hapje të forumit folën edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe Karolin Ziadeh, përfaqësuesja speciale e sekretarit të përgjithshëm të KB-së dhe shefe e Misionit të OKB-së në Kosovë.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

