Lajme nga vendi
Mickoski në bisedime për koalicionin qeveritar / Milloshoski: Stabiliteti nuk rrezikohet
Kryeministri Hristijan Mickoski do të bisedojë me partnerët e koalicionit pas ndarjes së partnerëve të VLEN-it. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski në intervistën për Alsat theksoi që nuk janë të gëzuar që ka turbulenca në koalicionin VLEN, pasi që kompakti politik ishte një adut i fuqishëm që të fitohet bashkë besimi i votuesve përballë LSDM-së dhe BDI-së.
“Atë që e kam marr si brifing është se kryetari i Qeverisë i cili është edhe mandatar i këtij koalicioni qeveritar sigurisht se pas kthimit do të ketë biseda me çdo partner koalicioni, përfshirë edhe partitë që janë në koalicionin VLEN dhe gjithashtu me ministrin e Shëndetësisë. Tani të shohim se çfarë mundemi ne si parti më e madhe politike të ndihmojmë në menaxhimin e procesit, të mbrohet kompakti i shumicës parlamentare, por në çdo rast stabiliteti i qeverisë nuk është i rrezikuar”, deklaroi Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.
Edhe partnerin tjetër qeveritar, respektivisht Lëvizjen ZNAM, trazirat në VLEN nuk janë kërcënuese për stabilitetin qeverisë. Megjithatë, ata kanë porosi që çdokush që bashkëpunon me BDI-në nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë.
“Çdokush që bashkëpunon mbrapa dyerve të hapura ose të mbyllura me BDI-në e pareformuar për Lëvizjen ZNAM është e papranueshme të jetë pjesë e partnertitetit në të cilën merr pjesë ZNAM”, thonë nga Lëvizja ZNAM.
Gjatë ditës së djeshme kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami paralajmëroi rishqyrtim të marrëveshjes së koalicionin VLEN me partnerët qeveritar, pas largimit të Taravarit. Kasami beson se kjo nuk nënkupton krizë politike dhe zgjedhje të parakohshme duke qenë se numrat garantojnë një qeveri stabile.
“Sigurisht që në rrethanat e reja të krijuara ne do të kërkojmë nga kryeministri që të shqyrtojmë marrëveshjen si koalicion. Pjesa tjetër mbetet të diskutohet se si do të vazhdojë më tutje formati I qeverisë. Por ne sigurisht si VLEN do të kërkojmë të ulemi dhe të bisedojmë edhe një herë për pozitat në qeveri. Ka individë dhe subjekte politike nga opozita të cilët janë të gatshëm të jenë pjesë e shumicës parlamentare”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.
Nga ana tjetër, Arben Taravari në disa dalje publike ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë në qeveri, derisa nuk kërkohet largimi i tij nga kryeministri Hristijan Mickoski. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

