Lajme nga vendi
“MODULARI”, “LLASKARCA” E “BESA TRANS”, MICKOSKI KERKON TË MOS FSHIHEN FAJTORËT E VËRTETË
Kryeministri I vendit Hristijan Mickoski kërkoi nga Prokuroria që t’i rihapë çështjet për tragjeditë e “Spitalit Modular”, “Llaskarcën” dhe “Besa Trans”, të cilët siç shprehet ai, janë harruar nga organi i akuzës. Kreu i Qeverisë dyshon se Prokuroria po mbron LSDM-në dhe BDI-në dhe për këtë po i fsheh fajtorët e vërtetë të këtyre tragjedive.
HRISTIJAN MICKOSI – Kryeministër
“Unë ftoj Prokurorinë Publike të merret me zell me këto raste. Pasi ata thanë që do të merren edhe me këto raste, por shoh se disi i kanë harruar, nëse ndoshta kjo është mënyra që të revanshohen ndaj pronarëve politik të tyre të vërtetë nga LSDM dhe BDI, pasi i fshehin kryerësit e vërtetë dhe të gjithë fajtorët të cilët kanë kontribuar që të ndodh Spitali Modular i cili është objekt shtetëror, për shkak të dyshimit të bazuar për lëshime në institucione ka ndodhur Llaskarca, Besa Trans e kështu me radhë.”
Këto komente, Mickoski i bëri duke reaguar ndaj akuzave të LSDM-së opozitare për ndërhyrje në hetimin e Prokurorisë, lidhur me tragjedinë në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona.
“E paralajmërojmë Mickoskin që t’i largojë kthetrat partiake nga prokuroria dhe gjyqësori. Nuk do t’i mbrosh personat tuaj dhe ta fshehësh të vërtetën, pasi që e dimë qëllimi. Hetimi tregon lidhje të drejtpërdrejtë mes tragjedisë në “Puls” dhe udhëheqjen më të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe do t’i publikojmë të gjitha të dhënët nga e para e deri tek e fundit”, thanë nga LSDM.
Kryeministri theksoi se hetimin për Koçanin e udhëheq Lupço Kocevski, i cili është zgjedhur në Kuvend nga deputetët e BDI-së dhe LSDM-së. Opozitarja BDI paraprakisht kërkoi komision të posaçëm kuvendor për Koçanin, pasi edhe ata vlerësojnë se pushteti po ndërhyn në hetim. Megjithatë, shumica parlamentare refuzoi kërkesën e tillë nën arsyetimin se nëse formohet komision për Koçanin, duhet të ketë komision edhe për “Modularin”, “Llaskarcën” e “Besa Transin”.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

