Lajme nga vendi
Vala e të nxehtit, ISHP me rekomandime për mbrojtjen e të moshuarve
Nën ndikimin e një mase të ngrohtë ajri nga jugu, nga sot deri në mesin e javës së ardhshme, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Temperatura ditore kudo do të jetë mbi 30 gradë Celsius, ndërsa vende-vende do të kalojë 40 gradë Celsius, informojnë sot Drejtoria për Punë Hidrometereologjike.
Të dielën në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, do të ketë kushte për vranësira lokale të paqëndrueshme me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima.
Instituti i Shëndetit Publik këto ditë ka dalë me rekomandime për mbrojtjen e të moshuarve nga moti i nxehtë.
Bëhet apel që të moshuarit të shmangin ekspozimin në diell, si dhe punën në ambient të hapur në periudhën nga ora 11 dhe 17. Të veshin rroba pambuku të lehta me ngjyra të çelëta, syze dielli mbrojtëse, kapelë me strehë të lartë dhe strehë të gjerë dhe krem mbrojtës nga dielli me faktor UV 30+ kur ekspozoheni në diell. të pihet ujë më shumë se zakonisht dhe mos prisni derisa të ndjeni etje për të pirë ujë. Të shmangen pijet alkoolike, si dhe ato që përmbajnë kafeinë, dhe pijet jashtëzakonisht të ftohta. Nëse mjeku juaj ju ka caktuar ndonjë kufizim sa i përket konsumimit të lëngjeve, të konsultohen me të.
Rekomandohet të evitohet përdorimi i sobave, furrave dhe pajisjeve të ngjashme në periudhën nga ora 11 deri në orën 17.
“Personat me sëmundje kronike, e sidomos ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore, duhet të jenë tejet të disiplinuar sa i përket këtyre rekomandimeve dhe ta marrin me rregull terapinë e tyre”, theksojnë nga ISHP.
Për të gjitha ndryshimet në gjendjen shëndetësore, siç theksohet, detyrimisht të konsultoheni me mjekun tuaj amë.
Lajme nga vendi
”Plakat” nuk falin: Rikthejnë të ftohtin, çfarë janë dhe pse ndodh kjo dukuri
Në fillim të muajit prill, në shumë vende të Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, shpesh vërehet një rënie e papritur e temperaturave, e njohur në popull si “Plakat e Prillit”.
Sipas besimeve popullore, këto ditë janë të paparashikueshme dhe shpesh shoqërohen me erë, reshje apo edhe temperatura të ulëta, që mund të ndikojnë në bujqësi dhe në jetën e përditshme.
Megjithatë, nga këndvështrimi meteorologjik, kjo është një dukuri normale. Ndryshimet e shpejta të motit në pranverë ndodhin për shkak të përplasjes së masave ajrore të ngrohta me ato të ftohta që ende zbresin nga veriu.
Ekspertët këshillojnë kujdes gjatë kësaj periudhe, sidomos për fermerët dhe qytetarët që i besojnë motit të qëndrueshëm pranveror, pasi temperaturat mund të luhaten ndjeshëm brenda pak ditësh.
“Plakat e Prillit” mbeten një term i njohur në traditën popullore, por në thelb janë një kujtesë se pranvera nuk është gjithmonë e qëndrueshme.
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës: Problemet me ndriçimin publik mund të raportohen online
Qytetarët e Tetovës tashmë kanë mundësi më të lehtë dhe më të shpejtë për të raportuar problemet me ndriçimin publik në lagjet dhe rrugët e qytetit. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve që çdo defekt apo mungesë të ndriçimit ta paraqesin përmes aplikacionit TE KLIK, në seksionin I-REPORT.
Ky aplikacion është i disponueshëm për përdoruesit e pajisjeve iOS dhe Android, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë dhe efikase për komunikim me institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit, raportimet e qytetarëve ndihmojnë që ekipet përkatëse të reagojnë më shpejt dhe të zgjidhin problemet në kohë, duke përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës në qytet.
Falemnderit për bashkëpunimin!
Lajme nga vendi
Feti Abazi dhe zv/ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli: “U bë dorëzimi i projektit për ujësjellësin e fshatit Pallçisht”
Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ditën e sotme ka mirëpritur në takim, zv/ministren e Transportit, zonjën Kaltrina Zekolli.
Qëllimi i takimit, ishte dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në fshatin Pallçisht.
Postimi i plotë i Feti Abazit, në Facebook:
“Sot pata kënaqësinë të pres në takim zyrtar mikeshën e komunës sonë dhe Zëvendësministren e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli. Gjatë kësaj vizite të rëndësishme u bë dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në vendbanimin Pallçisht, një hap thelbësor drejt realizimit të këtij projekti jetik për banorët tanë.
Tashmë që disponojmë dokumentacionin e nevojshëm, bashkërisht u dakorduam që në fazën e ardhshme të angazhohemi maksimalisht për sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e tij. Projekti i ujësjellësit për Pallçishtin mbetet prioritet i përbashkët i komunës dhe i Zëvendësministres.
Shpreh falënderim të veçantë për znj. Zekolli për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe përkrahjen konkrete ndaj projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar, kryetari Abazi.
Problemi me çështjen e ujit, ka vite që i shqetëson banorët e fshatit Pallçisht, të cilët revoltën e tyre, shpesh e kanë shoqëruar edhe me protesta, ndaj qeverisë dhe administratës së kaluar komunale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme


