Lajme nga vendi
Komunikacion i rënduar në rrugët e Tetovës
Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, ka dyfishuar numrin e automjeteve në rrugët e Tetovës. Kjo ka krijuar kaosin e zakonshëm për këtë periudhë, ku në mungesë të vendaparkimeve dhe dyndjes së qytetarëve kryesisht në pjesën qendrore shpesh herë rrugët bllokohen. Kështu, një vozitësi i duhet të paktën 30 minuta për të arritur nga qendra në njërën nga daljet e qytetit për Gostivar, Shkup ose drejt fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Ajo që ka më shumë punë në këtë kohë është policia rrugore e cila duhet që të kujdeset për mbarëvajtjen e komunikacionit.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se për shkak të periudhës që pason, gjegjësisht gjatë muajve të verës në zonën që mbulon SPB-Tetovë janë kthyer një numër i madh i mërgimtarëve që punojnë dhe veprojnë jashtë vendit, për këtë arsye po ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet në mënyrë të intensifikuar për të mundësuar qarkullimin normal dhe të rrjedhshëm nëpër zonat qendrore të qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, në raport me parkimin e gabuar dhe të paligjshëm të automjeteve.
“Gjatë muajit qershor dhe periudhës së kaluar të muajit korrik të këtij viti, për shkak të parkimit të gabuar dhe të paligjshëm, janë shqiptuar mbi 500 masa, kurse me anë të merimangës janë ngritur mbi 250 automjete që në mënyrë të drejt për drejtë kanë penguar qarkullimin në trafik, si dhe për kundërvajtësit janë përgatitur urdhërpagesat përkatëse dhe do të përballen me gjoba të parapara me ligj”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Njëkohësisht, policia dhe pushteti lokal kanë hapur oborret të disa shkollave fillore dhe të mesme, që gravitojnë në pjesët qendrore të dy qyteteve për të mundësuar parkimin e veturave me qëllim që të mundësohet parkim i rregullt i një numri më të madh të automjeteve dhe të mos ketë parkime të dyfishta.
“Gjatë kësaj kohe kemi liruar për parkim oborret e shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore me qëllim që të ketë më shumë hapësira parkimi për mërgimtarët. Në ndërkohë, në terren në vazhdimësi janë prezent edhe policia dhe shërbimi i merimangës, të cilët marrin veturat e parkuara në vende adekuate dhe e pengojnë qarkullimin e lirë të komunikacionit”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, për shkak të periudhës së ardhshme të kthimit të mërgimtarëve tanë dhe rritjes së frekuencës së trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe tollovinë në trafik.
Edhe nga Policia edhe nga Komuna e Tetovës apelojnë që vozitësit të jenë më të kujdesshëm dhe të mos bllokojnë rrugët për shkak se dukshëm në këtë periudhë është rritur numri i intervenimeve në terren nga njësia e zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, prandaj që të arrijnë në kohë këto automjete është e nevojshme që vozitësit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të krijojnë hapësira për automjetet e emergjencës. (koha.mk)
Lajme nga vendi
DASMAT NË TETOVË: TRADITA VAZHDON, POR KOSTOJA PO NDRYSHON FESTËN
Në Tetovë, në këtë periudhë të vitit, gjithcka të asocon tek dasmat.
Nga veshjet tradicionale, flamujt e rekuizitat e deri tek veshjet elegante të nuses e dhëndrit e bëjnë këtë sezon më të kapshëm për klientët.
Në Tetovë nuk mungojnë as edhe defat apo “dairet” si quhen ndër popull. Ky lloj instrumenti ka mbetur tashmë vetëm për simbolikë, pasi shumë dasma bëhen pa “daire”.
Mungojnë vashat që i bien, është ndryshuar tradita kur dasma niste me “qërrimin e drithit” e përfundonte me ceremonitë e “thyerjes së kulaçit” dhe ditës kur nusja fshinte oborrin.
Por, dasmat në rajonin e Pollogut, vijnë bashkë me mërgimtarët.
“Në kulmin e sezonit veror, Tetova është mbushur me mërgimtarë. Përveç pushimeve me familjen dhe miqtë, axhenda e tyre dominohet edhe nga dasmat dhe ahengjet familjare, të cilat gjatë muajve të verës zhvillohen pothuajse çdo ditë. Megjithatë, organizimi i një dasme sot është bërë një sfidë financiare. Rritja e çmimeve për sallat, muzikën, fotografët, dekorimet dhe shërbimet e tjera ka bërë që industria e dasmave të mos e përjetojë më hovin e dikurshëm, ndërsa shumë familje po detyrohen të kufizojnë shpenzimet ose të organizojnë ceremoni më modeste.”
Se po zbehet “industria e dasmave” dhe po anashkalohen disa tradita që më parë ishin aktuale, dëshmon edhe frekuentimi dhe shitblerja në rrugën e mirënjohur të butiqeve në Tetovë.
Edhe “ustallarët” e tupanave dhe zurlave, duke kujtuar me nostalgji kohërat e vjetra, thonë se puna e tyre bie nga viti në vit.
Nga ana tjetër, vërrehet një shkurtim I sezonit të dasmave, ku interesimi më I madh është nga 20 Korriku deri më 10 Gusht, që përkon më kohën kur mërgimtarët janë për pushime.
Edhe rezervimi I restoranteve paraqet sfidë për një dasëm.
Qytetarët e anketuar nga Tv Koha kanë mendime të ndara rreth dasmave. Disa thonë se dasmat janë pjesë e traditës dhe duhet të bëhen në mënyrën më të mirë, kurse të tjerët nuk I arsyetojnë harxhimet e tepruara për një dasëm.
Edhe pse sezoni veror mbetet periudha kur mërgimtarët sjellin gjallëri në qytet dhe dasmat vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e traditës familjare, kostoja gjithnjë në rritje e organizimit po ndryshon mënyrën se si festohet. Për shumë familje, ruajtja e traditës tashmë kërkon balancim mes dëshirës për një ceremoni të veçantë dhe mundësive financiare, duke bërë që dasmat e sotme të jenë më të kujdesshme në organizim se sa vite më parë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 06 Gusht
Dje në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga një person nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 12:50 në SPB Tetovë, një 18-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga një person nga fshati Dobrosht, pronar i një subjekti juridik. Sipas denoncimit, në periudhën prej 11.06.2026 deri më 02.07.2026 ai ka qenë i angazhuar për punë në firmën e pronarit me premtimin për pagesë të caktuar ditore dhe lajmërim në Agjencinë e Punësimit. Pas përfundimit të angazhimit, pronari nuk e ka lajmëruar dhe nuk i ka paguar mjetet financiare në vlerë prej 350 eurove. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….Dje në ora 13:45 në SPB Tetovë, një 28 vjeçar ka raportuar se rreth orës 12:30 në hapësirën e parkimit pranë Qendrës Klinike në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, është sulmuar fizikisht nga dy persona meshkuj. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….Dje, zyrtarët policorë nga Qendra Rajonale për Çështje Kufitare Perëndim kanë privuar nga liria një 34 dhe një 30 vjeçar, të dy nga fshati Zhirovnicë, pasi që gjatë kontrollit te ta është gjetur dhe konfiskuar kokainë. Ata janë ndaluar në Stacionin Policor Gostivar, ndërsa gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare kanë sulmuar fizikisht një zyrtar policor. Pas dokumentimit të rastit, me parashtresë përkatëse janë nxjerrë para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili u ka caktuar masë kujdesi dhe u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit.
……Dje në ora 12:00 në SPB Tetovë është raportuar se automjeti i udhëtarëve “Mercedes” me targa të Tetovës, pronë e një 47-vjeçari nga fshati Rakovec, më 05.08.2026 rreth orës 22:30 është dëmtuar nga një plumb qorr prej arme zjarri. Është kryer këqyrje në vendngjarje, me ç’rast plumbi është gjetur dhe marrë për procedurë të mëtutjeshme.
Dje në ora 15:30 në Stacionin Policor Tearcë, një 37-vjeçar nga fshati Nerasht ka raportuar se ka shpërthyer zjarr në oborrin e shtëpisë së tij, me ç’rast është përfshirë bari i thatë dhe një pjesë e shtëpisë. Nuk ka persona të lënduar, kurse zjarri është lokalizuar nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Tetovë. Këqyrjen e ka kryer ekipi nga SPB Tetovë.
……Dje në ora 23:45 në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 36-vjeçar nga rajoni i Tetovës, me banim në Tetovë, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 26-vjeçare se rreth orës 21:00 në shtëpinë e tyre e ka dëbuar nga shtëpia së bashku me tre fëmijët e tyre të mitur, e më pas e ka sulmuar edhe fizikisht. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje në ora 21:15 në Stacionin Policor Rostushë është raportuar se një person dhe vëllezërit e tij nga fshati Skudrinjë kanë sulmuar fizikisht një person tjetër nga i njëjti fshat. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….Sot në mëngjes në ora 04:30 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arestuar një 42-vjeçare nga fshati Shemshovë e Tetovës, pasi ka prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive dhe të papërshtatshme. Ajo është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira lokale. Pasdite do të ketë kushte për reshje lokale të shuit.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13 deri 22, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 32 deri 38 gradë celsius.
Në ditët në vazhdim moti do të jetë i ngrohtë dhe me temperatura që do të arrijnë deri 40 gradë celsius.

