Lajme nga vendi
VLEN: BDI dhe Jeton Shaqiri kanë shkatërruar arsimin
Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023 është një aktakuzë direkte kundër BDI-së dhe ish-ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri. Ky raport ekspozon qartë nivelin e korrupsionit, paaftësisë dhe papërgjegjësisë kriminale që ka sunduar në Ministrinë e Arsimit nën drejtimin e BDI-së.
3.4 milionë euro janë harxhuar për një konvikt në Tetovë që nuk funksionon, pa ventilim, pa ushqim, pa kushte minimale për studentët. 18 milionë euro kredi studentore të papaguara që nga viti 1998, pa asnjë përpjekje për t’i zgjidhur. 13 milionë euro për libra shkencorë që as nuk janë shpërndarë, as nuk janë regjistruar, thjesht janë kalbur nëpër depo. 2.9 milionë euro për studentë jashtë vendit, pa asnjë strategji për t’i kthyer dhe angazhuar në vend.
Paratë u hodhën, rinia u braktis. Projekte ndërtimore të braktisura që nga viti 2016, që kërkojnë edhe 22 milionë euro të tjera për përfundim, një vrimë e zezë për buxhetin e shtetit.
Këto nuk janë thjesht dështime administrative. Kjo është vjedhje sistematike dhe krim i organizuar kundër arsimit! BDI ka shkatërruar të ardhmen e brezave të rinj dhe ka fundosur arsimin në kolaps të plotë.
Por ky nuk është i vetmi skandal i kohëve të fundit. Brenda një kohe të shkurtër, dy raporte negative nga Enti i Revizionit kanë ekspozuar keqpërdorimet e funksionarëve të BDI-së: Ky raport për Ministrinë e Arsimit dhe Jeton Shaqirin, dhe Raporti për keqpërdorimet në organizimin e samitit të OSBE-së në Shkup, gjatë kohës kur Bujar Osmani ishte ministër i Punëve të Jashtme, një tjetër dëshmi e papërgjegjësisë dhe mungesës së transparencës në menaxhimin e parasë publike.
VLEN kërkon hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi penale për të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet publike. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e hajnisë në arsim dhe institucione ka marrë fund.
VLEN sjell fundin e pandëshkueshmërisë së BDI-së dhe fillimin e llogaridhënies së vërtetë!
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

