Lajme nga vendi
Nexhmedin Sadiku – kandidat i VLEN për Likovën
Të nderuar qytetarë të Likovës sonë,
Komuna e jonë, e cila i dha më së shumti shqiptarisë atëherë kur kishte nevojë, mori më së paku në më shumë se 20 vite keqqeverisje të BDI-së në nivel qendror dhe lokal. Likova u bë shembull i pabarazisë në zhvillim, i ndarjes së padrejtë të buxhetit, i neglizhencës e i papërgjegjësisë.
Premtuan infrastrukturë, kulturë e sport, ndërsa e lanë Likovën pa nevojat themelore: PA UJË TË PIJSHËM, pa kanalizim, të mbytur në mbeturina e të helmuar nga deponi e qe besa edhe nga materiale të rrezikshme kancerogjene.
E premtuan ujësjellësin, e premtuan kanalizimin, premtuan pastrimin e deponive e fabrikë për mbeturinat. Asnjërën nuk e bënë.
Likova nuk ua pati borxh këtë nënçmim. Likova ua dha djemtë më të mirë, ua dha edhe votat, por mori vetëm përbuzje, nënçmim e neglizhencë.
Prandaj, të nderuar,
Kemi dalë para jush që ta kërkojmë besimin tuaj për ta ndalur këtë nënçmim që po i bëhet vendit tonë. Vetëm për një vit në Qeveri, ne e dëshmuam se Likovën nuk e lëmë pas dore siç bënin ata. Qeveria VLEN ndau 250 milionë euro në vit për komunat, ndërsa 1/3 e këtyre fondeve u investuan në komunat shqiptare.
Qeveria financoi me 1,8 milion euro rrugën Orizare – Sllupçan, të cilën kryetari aktual ka kohë që po e premton, por nuk e realizoi kurrë.
Gjithashtu ndamë 30 milionë denarë për rikonstruimin e rrugës Gllazhnje-Gushincë.
Financuam me 5 milionë denarë fushën e hapur sportive pranë Shkollës Fillore në Ropalcë.
Financuam rregullimin e shtratit të rrjedhës ujore në Orizarë, dhe
Mbi 110 milionë denarë për rrugë lokale në Likovë, Nikushtak, Vaksincë dhe Sllupçan.
Të gjitha këto në vetëm 1 vit qeverisje.
Ne kërkojmë besimin tuaj edhe në nivel lokal, ta rrumbullakësojmë Ndryshimin e filluar në maj të vitit 2024 dhe t’i vazhdojmë punët e mira për Likovën.
Me mbështetjen e Qeverisë, të sigurojmë UJË TË PIJSHËM për çdo familje të fshatrave të Likovës brenda vitit të parë të mandatit tim. Secili qytetar i Likovës meriton dinjitet, e jo të përballet me mungesë elementare të ujit, edhe atë në Likovën e dy pendave.
Kërkojmë besimin tuaj për ta përmbyllur ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për të gjithë Likovën.
T’i heqim deponitë nga vendbanimet tona, ta pastrojmë tokën nga arseni dhe ta ndalim katastrofën ekologjike dhe shëndetësore që po na rrezikon çdo ditë.
Të sjellim investime dhe zhvillim, ta përkrahim bujkun, blegtorin, arsimtarin dhe për çdo qytetar të Likovës të krijojmë kushte jete NË LIKOVË. Ta ndalim migrimin masiv në Perëndim dhe ta mbajmë rininë në vendin tonë.
Bashkëqytetarë të mi të dashur,
19 tetori është dita kur mund ta ndalim këtë nënçmim. Ju i keni pa këta që ishin 20 vjet, na keni pa edhe neve. Ju dini të bëni dallimin mes të mirës dhe të keqes. Dhe këtë do ta dëshmojmë bashkë më 19 tetor. Do të zgjedhim dinjitetin, krenarinë, zhvillimin dhe para se gjithash, respektin për Likovën. Respektin për fjalën e dhënë, respektin për të mirën e përbashkët, respektin për taksat tuaja. Ju më njihni mua dhe unë ju njoh juve. E dini siç e di unë se ky është kombinimi me të cilin LIKOVA FITON!
Ju faleminderit.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

