Lajme nga vendi
Banorët e Straçincës kundër hapjes së gurores mbi fshat, Mexhiti: Koncesioni do të anulohet
Banorët e Straçincës prej gati një jave kundërshtojnë një përpjekje të një kompanie për hapjen e një guroreje 300 metra vijë ajrore mbi fshat. Banorët për TV21 treguan se kompania kishte vendosur mjete shpërthyese dhe druanin se shpërthimet mund të shkaktojnë dëme materiale të objekteve. Mbrëmë ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, informoi se ka dhënë vendim negativ për hapjen e gurores, ndërsa ka paralajmëruar se koncesioni do të anulohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë .
Mexhiti, mbrëmë (23.09.2025) vizitoi fshatin Straçincë dhe i njoftoi banorët se ministria që drejton ai ka dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurrores në rajonin e Straçincës.
Ky vendim, tha Mexhiti, vjen si rezultat i shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve dhe analizave të kryera nga institucionet përkatëse mbi ndikimin negativ që do të kishte një aktivitet i tillë në kushte vërshimesh, por edhe për shëndetin dhe jetën e këtyre banorëve.
“Ky është një lajm i shumëpritur për banorët e Straçincës, të cilët me vite kanë qenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm të gurrores në mjedisin dhe jetesën e tyre”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se leje për punë është dhënë vite më parë nga qeveritë e kaluara.
Hapi i radhës, sipas tij, është shfuqizimi përfundimtar i koncesionit, i cili është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Ky vendim do të përmbyllë zyrtarisht çështjen, duke e kthyer drejtësinë në anën e banorëve.
Për më tepër, Mexhiti theksoi angazhimin për pyllëzimin e sërishëm të kësaj zone.
Banorët shprehen se dëmi i gurores mund të jetë i madh mbi popullatën aty.
“Ne shpresojmë se ai ekip që i ka vendosur ato mina të vijë dhe t’i tërheq, sikur i ka vendosur t’i tërheqin dhe lajmet e fundit ne çfarë mendojmë dhe i kemi se në qeveri veçse është lënda prej ministrisë së energjetikës që asaj kompanisë t’i merret koncesioni”, tha një banor i Straçincës.
“Ky dëm do të jetë dëm për të gjithë popullin këtu, e kap edhe Haraçinën, Bërnjancën, Stajkovcin, Creshovën, Vinicën, diku 20-30 mijë banorë do t’i shohin dëmin asaj”, tha një tjetër banor i Straçincës.
Prej më shumë se një dekade ka pasur përpjekje për të vënë në funksion këtë gurore, por kjo u pengua pas kundërshtimeve të forta nga banorët.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

