Lajme nga vendi
Zgjedhjet lokale/ Tërhiqet shorti i radhitjes,AKI me numrin 4, VLEN me numrin 7
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancë, në të cilën me short u përcaktua lista e vetme e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2025. Partia në pushtet VMRO-DPMNE në fletëvotim do të jetë me numrin 9, ndërsa opozitarja LSDM me numrin 5. Qytetarët që dëshirojnë të votojnë për Aleancën Kombëtare për Integrim duhet të votojnë për numrin 4, ndërsa VLEN-i është me numër 7. Përndryshe, lista me numrat rendorë nën të cilët do të paraqiten kandidatët e partive për kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale është si vijon:
- Përvojë për sukses
- ZNAM
- Partia Demokratike e Serbëve
- Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI
- Koalicioni për zgjedhjet lokale 2025 – LSDM
- E Majta
- Koalicioni VLEN
- Koalicioni për të Ardhme të Gjelbër
- Koalicioni “Maqedonia Jote” – VMRO-DPMNE
Fushata zgjedhore për zgjedhjet fillon të hënën më 29 shtator dhe përfundon më 17 tetor, pra 24 orë para ditës së votimit. Qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash dhe këshillat komunalë më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor. Përndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në kuadër të seancës së rregullt të 136-të, miratoi edhe Planin për zhvillimin e trajnimeve për anëtarët e këshillave zgjedhorë me orar sipas të cilit ato do të mbahen dhe që do të fillojnë javën e ardhshme, në lidhje me zgjedhjet lokale që po afrohen.
Komisioni gjithashtu miratoi Vendimin për publikimin e përshkrimeve të të gjitha 3480 vendvotimeve në vend. Pas marrjes së këtij vendimi, Komisioni do t’i publikojë këto përshkrime në faqen e tij zyrtare të internetit. Siç sqaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, do të publikohet numri i saktë, adresa dhe lokacioni i vendvotimeve. Ai tha se ka pasur disa ndryshime tek disa vendvotime, ose për shkak të tejkalimit të kufirit prej 1000 votuesish, ose sepse nuk i plotësonin kushtet. Për këtë, shtoi ai, janë informuar me kohë edhe komisionet komunale zgjedhore. Anëtarët e Komisionit miratuan gjashtë formularë propozimesh për përmbledhjen dhe publikimin e rezultateve nga Komisionet Zgjedhore Komunale dhe Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi gjithashtu kërkesat për vëzhgim të zgjedhjeve nga ODIHR për 24 vëzhgues dhe nga Shoqata për Zhvillim Rural “Agrolider” nga Krivogashani për pesë vëzhgues. Kondarko theksoi se miratimi i vëzhguesve bëhet në mënyrë të vazhdueshme në çdo seancë, sipas mbërritjes së kërkesave. Ato mund të dorëzohen më së voni 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Anëtarët e Komisionit vendosën edhe për kërkesat për përjashtim të kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre nga komisionet zgjedhore komunale dhe Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit, të paraqitura për arsye personale, shëndetësore ose për shkak të konfliktit të interesit. Në total u shqyrtuan 25 kërkesa për përjashtim, prej të cilave 24 u pranuan për shkak të bazës ligjore, ndërsa një u refuzua. Pas kësaj, Komisioni, me short, zgjodhi anëtarë të rinj në vend të tyre, duke u udhëhequr nga parimi i përfaqësimit të drejtë etnik dhe gjinor. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

