Lajme nga vendi
“Vendoseshin burra e gra në një dhomë dhe u jepeshin ushqime me afat të skaduar”, paraburgim për pronaret e shtëpive të të moshuarve në Shkup
Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”, përcjell TV21. Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive. Të dy institucionet janë mbyllur, ndërsa në bashkëpunim me organet shtetërore kompetente është siguruar strehim i përshtatshëm për të gjithë banorët.
“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kufijve të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet. Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, thonë nga MPB.
Sipas MPB-së, e akuzuara e parë kishte strehuar 27 persona të moshuar në shtëpinë në Butel, por kishte leje vetëm për 21, ndërsa bashkë me të akuzuarën e dytë, në objektin në Qendrës kishin strehuar 33 persona, ndonëse leja ishte për 17.
“Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhomat kishin strehuar bashkë burra dhe gra. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për të gjithë, ndaj disa persona flinin në divane në dhomën e ditës ose nga dy veta në një shtrat të vetëm. Banorëve u shërbeheshin ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra ushqimi dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin Disa banorë ishin mbyllur në dhoma të veçanta, ndërsa të tjerëve u jepej terapi me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku”, shtojnë nga MPB.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

