Lajme nga vendi
Mexhiti: Arsimi, shtylla mbi të cilën ndërtohet e ardhmja e Çairit
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot shtyllën e dytë të programit të tij zgjedhor – arsimin, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përparimit të komunës.
“Vizioni ynë është i qartë dhe i pakompromis: të krijojmë një komunë ku çdo fëmijë do të ketë qasje në arsim cilësor, në shkolla moderne dhe të sigurta, ku do të mund t’i zhvillojë talentet dhe të realizojë plotësisht potencialin e tij. Për këtë qëllim, kemi paraparë projekte konkrete, të realizueshme dhe financiarisht të siguruara.”, theksoi Mexhiti në fjalën e tij para qytetarëve, mësimdhënësve dhe mediave.
Ai prezantoi një sërë projektesh konkrete, të realizueshme dhe financiarisht të siguruara, të cilat do të transformojnë tërësisht sistemin arsimor në Çair, edhe atë:
Investime në arsimin parashkollor dhe fillor:
– Ndërtimi i tre çerdheve të reja: “Fjollëza”, “Vesëza” dhe një çerdhe e përbashkët me Komunën e Karposhit për fëmijët e Çairit.
– Shkollë e re fillore “Victory” në Teneqe Mahallë për 1300 nxënës.
– Shkollë e re për fëmijët me nevoja të veçanta “Idnina” dhe ndërtimi paralel i shkollës “Mit’hat Frashëri”.
– Zgjerimi i kapaciteteve në shkollat “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”.
– Sallë sportive moderne për nxënësit e SHFK “Jashar Bej Shkupi”.
Modernizim dhe siguri në çdo shkollë:
– Zbatimi i mësimit në një ndërrim dhe mësimit tërë ditor.
– Rikonstruim i plotë i oborreve, rrethojave dhe sallave sportive.
– Qasje për nxënësit me aftësi të kufizuara përmes rampave dhe ashensorëve.
– Fasada energjetike efikase dhe pajisje moderne informatike në çdo klasë.
Investim në nxënës dhe mësimdhënës:
– Bursa për nxënës të talentuar dhe shpërblime për mësimdhënësit e dalluar.
– Pajisje shkollore falas për çdo nxënës të klasës së parë.
– Trajnime falas IT dhe organizim të ligave shkollore sportive.
Në fund të fjalimit, Mexhiti theksoi projektin më madhor arsimor për Çairin, ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza”, një investim kapital prej 40 milionë eurosh me mbështetje të Qeverisë.
“Dhe për në fund, projekti që e transformon Çairin në një qendër akademike rajonale. Me mbështetje nga Qeveria, fillon ndërtimi i kampusit universitar “Nënë Terezë”-një investim kapital prej 40 milionë eurosh. Ky nuk është vetëm një objekt, kjo është dije, zhvillim, vende të reja pune dhe prestigj për komunën tonë”, u shpreh ai.
Në përmbyllje të prezantimit, Mexhiti theksoi se plani arsimor i VLEN-it nuk përbën një listë dëshirash, por një program konkret, të realizueshëm dhe financiarisht të siguruar. Ai vlerësoi se investimi në arsim është investimi më i sigurt në të ardhmen e fëmijëve dhe të komunës së Çairit, duke theksuar se përmes këtij programi nuk ndërtohen vetëm objekte fizike, por ndërtohet e ardhmja, dije dhe mundësi të reja për çdo fëmijë e familje në komunë.
Lajme nga vendi
Dhunon fizikisht të dashurën, pas denoncimit dorëzohet vetë në polici
Më 29.07.2026 në orën 01:10 në SPB Tetovë, një grua 32-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 përpara ndërtesës ku banon në Bllokun 70 është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj B.I. nga Tetova. Këtë mëngjes, ai vetë është paraqitur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
VLEN: Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim po e çon vendin drejt rrënimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit
Skema e Ali Ahmetit është zbuluar. Atij nuk i bëhet vonë as për të drejtat e shqiptarëve, as për Marrëveshjen e Ohrit, e aq më pak për përfaqësimin e drejtë, të cilin, meqë ra fjala, pati plot 25 vjet kohë ta shndërronte në garanci ligjore.
Karrigexhinjtë e përjetshëm nga Reçica e vogël kanë vetëm një qëllim: të bllokojnë gjithçka që është në dobi të shqiptarëve dhe, me këtë politikë, t’i shkojnë për shtat të djathtës maqedonase, duke e zhvlerësuar politikën shqiptare.
Partia që për plot 25 vjet nuk lëvizi as gishtin për ta mbrojtur përfaqësimin e drejtë me ligj, sot po e bllokon pikërisht ligjin që e shndërron atë nga një mjet partiak në një detyrim ligjor. Kjo nuk është kujdes për shqiptarët. Kjo është frikë se ka përfunduar koha kur vendet e punës ndaheshin me fletore partiake dhe shiteshin për 5.000 euro.
Nuk mund ta pranojnë që diçka e mirë për shqiptarët të kalojë pa vulën e BDI-së. Nëse nuk është projekti i tyre, le të dështojë. Deri këtu u shkon mendja.
Udhëheqësia e korruptuar dhe e izoluar e BDI-së, me gjysmën e funksionarëve në listat e zeza, përpiqet të krijojë një perceptim të rremë se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm pse ata nuk janë pjesë e Qeverisë. Për ta, duket se nuk ka të drejta të shqiptarëve pa karrigexhinjtë e përjetshëm Bujarin, Artanin, Blerim Bexhetin dhe shoqërinë.
Por populli ua ka kuptuar prej kohësh këtë lojë. Prandaj do të mbeten edhe për një kohë të gjatë në opozitë.
Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim mund të vazhdojë të pengojë, të bllokojë dhe të bëjë sikur nuk kupton. Por një gjë do të mbetet e shkruar: pas 25 vitesh mashtrimi, pikërisht BDI-ja po e rrënon Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
Lajme nga vendi
Klekovski: 71 raste të reja në Gostivar, shifër brenda incidencës para shpalljes së epidemisë
Janë regjistruar 71 raste të reja në kontaktin e parë, shifër që është brenda incidencës së regjistruar para shpalljes së epidemisë, përkatësisht mes 50 dhe 100 rasteve në ditë, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke folur për gjendjen epidemiologjike në Gostivar gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Portalb.mk.
“Vlerësojmë se epidemia po qetësohet. Përfundimi formal i epidemisë mund të shpallet vetëm kur, në bazë të anketave epidemiologjike, do të konstatohet se nuk ka më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit në Gostivar. Mendoj se ky përmirësim është rezultat i përmirësimit të cilësisë së ujit në ujësjellësin e qytetit, pasi prej disa ditësh ai klorifikohet në mënyrë adekuate. Natyrisht, presim që kjo shifër të ulet sapo të arrihet niveli i duhur i klorit rezidual në të gjitha pikat matëse”, tha Klekovski.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

