Lajme nga vendi
Bastisje në Gostivar, drogë tek një studente shtetase e Turqisë
Droga psikotrope metilendioksimetamfetaminë, mefedron dhe marihuanë u gjetën gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Gostivar ku ndodhej një studente, shtetase e Republikës së Turqisë.
Gjatë bastisjes, të kryer me urdhër të prokurorisë kompetente, inspektorët e Departamentit të Hetimeve gjetën gjithsej gjashtë tableta prej 0.29 gramë të ilaçit psikotrop metilendioksimetamfetaminë, 1.63 gramë mefedron, marihuanë dhe dhjetë fara kanabisi, njoftoi Drejtoria e Doganave.
“Gjatë procedurës para-hetimore, u përcaktua se studentja ka marrë dërgesë ajrore të dërguar nga një person fizik nga Belgjika, e regjistruar si “shënim”. Pasi e ka marrë dërgesën, i dyshuari e ka hapur atë dhe ka nxjerrë drogën prej saj. Në të njëjtën kohë, inspektorët doganorë, me urdhër të prokurorit publik, kanë kryer një bastisje, gjatë së cilës janë gjetur drogat”.
“Me urdhër të prokurorit publik, substancat e sekuestruara janë dorëzuar për ekspertizë në MPB, ku është konfirmuar përbërja e tyre kimike. Kundër të dyshuarës, Departamenti i Hetimeve i Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Gostivarit për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, e dënueshme sipas nenit 215, paragrafi 1 i Kodit Penal”, thonë nga Drejtoria e Doganave.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

