Lajme nga vendi
Dorëhiqet drejtori i Postës së Tetovës, Muhamed Zilbeari
Drejtori i deritanishëm i Postës së Tetovës, Muhamed Zilbeari, ka dhënë dorheqje dhe se prej sot nuk do të jetë në krye të këtij institucioni. Në një postim në rrjetet sociale, ai është shprehur për përpjekjet në dhënien e maksimumut për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në dobi të shfrytëzuesve të postës.
“Falënderoj të gjithë ata që më mundësuan të dëshmoj se si duhet udhëhequr një institucion pa ndikime anësore, qofshin ato politike apo të natyrave të tjera, pavarësisht bllokadës së plotë nga qendra dhe indiferencës së skajshme të politikës ndaj zhbllokimit të saj.Falënderoj punonjësit që, përveç punës së tyre profesionale, me angazhimin vullnetar kontribuuan që Posta e Tetovës të duket ndryshe e më mirë. Falënderoj ata punonjës që, pavarësisht problemeve me vonesat e pagave, kontribuuan sado pak në përmirësimin e kushteve të punës, përmes donacioneve të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për donatorët e shumtë, të cilët, duke vërejtur se në Postën e Tetovës po punohej realisht, ndihmuan me materialet e nevojshme për punë. Duke u nisur nga fakti se askush nuk është i pagabueshëm, të gjithë atyre që padashur mund t’u kem shkaktuar ndonjë padrejtësi, ju kërkoj falje”, thuhet në dorëheqjen e drejtorit të Postës së Tetovës Muhamed Zilbeari. (koha.mk)
Lajme nga vendi
VLEN: KUVENDI THEMELUES NË TETOVË ME MESAZHE UNITETI!
Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt Kuvendi Themelues i VLEN-it, ku udhëheqësia e partisë vlerësoi se ky Kuvend paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e bashkimit dhe konsolidimit të subjektit politik. Nga Kuvendi Themelues në Tetovë u dërgua mesazhi se VLEN-i po hyn në fazë të re të funksionimit me organizim më të fuqishëm dhe angazhim në rritje për t`u përgjigjur nevojave të qytetarëve në nivelin qendror e lokal.
VLEN po hyn në një fazë të re të organizimit politik.
Në Tetovë, sipas VLEN-it, në kohë rekord u mblodhën 1.300 nënshkrime për themelimin e VLEN-it me çka ka përfunduar procedura juridike dhe të gjithë kuvendarët e pranishëm nënshkruan që VLEN-i të themelohet si subjekt i vetëm politik.
Ky organizim formalo-juridik vjen pas Kongresit të bashkimit të pesë partive në një subjekt të vetëm më 9 maj.
Sipas VLEN, Kuvendi themelues konfirmoi unitetin e strukturave, energjinë e anëtarësisë dhe përkushtimin për të vazhduar veprimin politik në shërbim të qytetarëve.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e Kuvendit themelues në rrugëtimin e konsolidimit të VLEN-it.
BILALL KASAMI – Bashkëkryetar i VLEN
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, vlerësoi se Kuvendi themelues paraqet etapë të rëndësishme drejt fuqizimit politik dhe organizativ të subjektit.
IZET MEXHITI – Bashkëkryetar i VLEN
Ndërkaq, nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, theksoi se VLEN ka zgjedhur rrugën e bashkimit dhe të interesit qytetar.
MIMOZA MUSA – Nënkryetare e VLEN
Ndryshe, lidhur me themelimin e një partie politike, neni 11 i Ligjit për Parti Politike, parashikon se një parti politike mund të themelohet nga së paku 1.000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë që kanë të drejtë vote dhe që kanë dhënë nënshkrimin e tyre për themelimin vetëm të një partie politike.
Anëtar i një partie politike mund të jetë çdo qytetar madhor dhe me aftësi të plotë juridike i Republikës së Maqedonisë, i cili jep nënshkrimin për anëtarësim vullnetar në partinë politike.
Partia politike është e detyruar që, para skadimit të çdo periudhe katërvjeçare nga dita e regjistrimit, t’i dorëzojë gjykatës themelore të përcaktuar në nenin 17, paragrafi 2 i këtij ligji, nënshkrime individuale të vërtetuara te noteri, në numrin e nevojshëm për themelimin e partisë politike./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Letër e hapur e ish kryetarit të Shkëndijës Samet Rasimi
Kërkesë zyrtare për informacion mbi shpërndarjen e fondeve të UEFA Hat Trick dhe FIFA Forward, zhvillimin e talenteve, projektet sociale dhe investimet infrastrukturore (2024–2026)
Drejtuar: Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, z. Masar Omeragiq
Bordit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM)
I nderuar President,
Të nderuar anëtarë të Bordit Drejtues,
Po ju drejtohem si ish-kryetar i klubeve të futbollit KF Rrufeja dhe KF Shkëndija, si dhe si person i angazhuar prej shumë vitesh në zhvillimin e futbollit, me kërkesë për transparencë të plotë lidhur me fondet e marra dhe të shpërndara nga FFM gjatë periudhës nga viti 2024 deri më sot.
Kjo kërkesë nuk ka karakter politik dhe nuk drejtohet kundër kryesisë aktuale apo ndonjë kryesie të mëparshme të FFM-së. Qëllimi i saj është transparenca institucionale, llogaridhënia dhe sigurimi që fondet e dedikuara për zhvillimin e futbollit të përdoren në përputhje me qëllimet për të cilat janë ndarë.
Me këtë kërkoj që të më vihen në dispozicion ose të publikohen këto informacione:
Shuma totale e fondeve të marra nga UEFA HatTrick dhe FIFA Forward nga 1 janari 2024 deri më sot.
Ndarja e detajuar e fondeve sipas kategorive:
zhvillimi i talenteve të rinj;
grassroots dhe futbolli amator;
projektet sociale;
infrastruktura sportive;
edukimi i trajnerëve dhe arbitrave;
kategori të tjera.
Lista e plotë e përfituesve dhe shumat e ndara për secilin përfitues.
Lista e klubeve amatore, akademive të futbollit, shkollave sportive dhe organizatave të tjera që kanë përfituar mbështetje financiare.
Lista e klubeve profesionale që kanë përfituar fonde zhvillimore dhe baza mbi të cilën është marrë vendimi për këto ndarje.
Vendimet e Bordit Drejtues, Komisionit Financiar dhe organeve të tjera kompetente të FFM-së lidhur me shpërndarjen e këtyre fondeve.
Raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm për fondet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kriteret e përdorura për përzgjedhjen e përfituesve dhe shpërndarjen e mjeteve.
Gjithashtu kërkoj sqarim publik mbi investimet infrastrukturore të realizuara në komunat dhe rajonet më pak të zhvilluara të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në lidhje me:
fushat sportive;
qendrat stërvitore;
programet për të rinjtë;
projektet sociale dhe komunitare;
investimet në zonat rurale dhe rajonet me mungesë infrastrukture sportive.
Duke pasur parasysh se fondet e UEFA-s dhe FIFA-s janë të dedikuara për zhvillimin afatgjatë të futbollit, konsideroj se ekziston interes i ligjshëm publik për të ditur se si janë shpërndarë këto mjete dhe cilat klube, akademi, komunitete dhe të rinj kanë përfituar prej tyre.
Ju lutem që përgjigjja të më dorëzohet brenda afatit të arsyeshëm sipas procedurave dhe parimeve të transparencës dhe llogaridhënies.
Me respekt,
Samet Rasimi
Ish-kryetar i KF Rrufeja (2009–2014)
Ish-kryetar i KF Shkëndija
Republika e Maqedonisë së Veriut
Lajme nga vendi
Mexhiti: Shkupi vazhdon të mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të sportit të mundjes, duke theksuar se Shkupi vazhdon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të këtij sporti në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mexhiti tha se aktiviteti “Vera Kulturore dhe Sportive” ka bashkuar traditën, të tashmen dhe të ardhmen e sportit të mundjes, duke rikujtuar emrat e mëdhenj që kanë lënë gjurmë në historinë sportive shqiptare.
“Shkupi, qyteti që i dha sportit emra të mëdhenj si Mentaz Allajbegu, Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu, vazhdon të mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka veçuar edhe kontributin e mundësit dhe trajnerit Besir Alili, për të cilin tha se po e mban gjallë këtë trashëgimi me përkushtim dhe profesionalizëm, duke bërë që fryma e kampionëve të vazhdojë të jetojë dhe të frymëzojë brezat e rinj.
Sipas Mexhitit, fëmijët që janë pjesë e aktiviteteve sportive përfaqësojnë shpresën për kampionët e së ardhmes, duke dëshmuar se tradita e mundjes në Shkup vazhdon të kultivohet dhe të zhvillohet.
“Këta fëmijë, plot ëndrra dhe vullnet, përfaqësojnë brezin e ri dhe shpresën për kampionët e nesërm”, theksoi ai.

