Lajme nga rajoni
Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë vërshime në disa komuna të Kosovës
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Vërshime në Drenas
Telegrafi ka kontaktuar me Nexhmendin Grudën nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, i cili ka thënë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por që zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit.
“Aktualisht në komunën tonë nuk është gjendja kritike, por që në bashkëpunim me zjarrëfikësit, jemi duke u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga reshjet e shiut. Zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit, por që situatën e kemi nën kontroll”, tha Gruda.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.
Ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme. Më e rrezikuar situata është pranë lumenjve, të cilët po përballen me prurje të mëdha të ujit. Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi është vështirësuar nga rritja e nivelit të lumit Erenik.
Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.

Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.

Fshati Fortesë në Rahovec
Vërshime janë raportuar edhe në Gllarevë, më saktësisht në pjesën ku është duke u punuar në rrugën Klinë-Pejë, ku veturat janë duke hasur në vështirësi të kalojnë.

Situatë e rënduar raportohet edhe nga Lipjani, ku lexuesit e Telegrafit kanë dërguar edhe video se si veturat e kanë të vështirë të qarkullojnë lirshëm.
Lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, përfshirë Erenikun, Bistricën e Pejës, Bistricën e Deçanit dhe Lumin e Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.
Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik me 231.5 mm, Gllogjan me 151.6 mm, Kuqishtë me 130.4 mm dhe Radoniq me 124.7 mm. Ndërkohë, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, një nga nivelet më të larta të matura gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet komunale dhe institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë rrjedhave lumore, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata mbetet e ndjeshme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme.
Lajme nga rajoni
Tragjedi pranë pikës kufitare të Bullgarisë : Aksidentohet autobusi me 39 shtetas ukrainas,dy persona kanë humbur jetën dhe disa të lënduar
Të paktën dy persona kanë humbur jetën, ndërsa disa pasagjerë janë plagosur në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët këtë mëngjes në juglindje të Bullgari, pranë pikës kufitare Malo Tërnovo.
Gjashtë persona të plagosur rëndë janë dërguar në spitalet e Burgas, ndërsa edhe dhjetë të tjerë janë trajtuar në shërbimin emergjent në Malo Tërnovo. Të gjithë të lënduarit janë nxjerrë nga automjeti.
Në autobus ndodheshin gjithsej 39 shtetas ukrainas — 37 pasagjerë dhe dy shoferë, njoftoi Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Burgas. Sipas autoriteteve lokale, autobusi ishte ndalur në mes të rrugës për shkak se i kishte mbaruar karburanti. Sipas kryetarit të komunës së Malo Tërnovos, mjeti më pas ka filluar të lëvizë mbrapa dhe është përmbysur, duke shkaktuar tragjedinë.
Policia dhe urgjenca kanë ndërhyrë shpejt në vendin e ngjarjes, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital në Burgas. Disa prej pasagjerëve janë strehuar përkohësisht në një qendër lokale të kujdesit ditor.
Autoritetet përkatëse aktualisht po zhvillojnë hetime për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në aksident.
Lajme nga rajoni
Shqipëria përballë një vale të re,një rritje shqetësuese të rasteve me HIV : Të rinjtë më të prekur, një në tre raste zbulohet vonë
Pas një dekade luhatjesh dhe një stabilizimi, Shqipëria po dëshmon një rritje shqetësuese të rasteve të reja me HIV. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), viti 2025 ka shënuar 125 raste të reja deri në muajin tetor, duke sinjalizuar një rikthim në nivelet më të larta të regjistruara që nga viti 2016. Që nga viti 1993, numri total i personave të prekur në vend ka arritur në një total prej 1,973.
Studimi i institutit të Shëndetit Publik tregon se infektimi me HIV mbetet kryesisht një fenomen i përqendruar në qendrat e mëdha urbane, aty ku lëvizshmëria e popullsisë dhe densiteti janë më të larta. Pothuajse gjysma e të gjithë rasteve në vend banojnë në kryeqytet.
Ky përqendrim lidhet me mundësitë më të mëdha për testim, por edhe me stilin e jetesës urbane. Pas Tiranës vjen Durrësi me 7.8% të rasteve, Elbasani me 7.1%. Shkodra (4.5%) dhe Vlora (3.4%) ndjekin listën, ndërsa qytete si Lushnja, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Saranda luhaten midis 2% dhe 3%.
Ekspertët vërejnë se ndonëse numrat janë më të ulët në rrethe, kjo mund të maskojë mungesën e qasjes në testim dhe frikën nga paragjykimi në komunitetet e vogla.
Studimi konfirmon se HIV po prek kryesisht moshën më aktive dhe produktive të shoqërisë. Raporti gjinor mbetet i lartë, me 3.5 meshkuj për çdo 1 femër të diagnostikuar. Incidenca kulmon në grup-moshën 25–29 vjeç, me 24 raste për 100,000 banorë. Kjo tregon një ekspozim të lartë të të rinjve ndaj sjelljeve me rrezik.
Ndryshe nga meshkujt, te femrat rreziku shfaqet më i lartë në moshë më të pjekur, konkretisht në grup-moshën 40–49 vjeç. Ndonëse pas moshës 40-vjeçare shihet një rënie progresive, rastet mbeten të pranishme në çdo grup-moshë, duke treguar se askush nuk është plotësisht i imunizuar nga rreziku i transmetimit.
Studimi gjeti se rruga kryesore e përhapjes në Shqipëri nuk është përdorimi i drogave me injektim, por marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Transmetimi Heteroseksual mbetet rruga dominuese, duke arritur në 87% të rasteve vetëm për vitin 2025. Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj mbeten një grup me rrezik të lartë. Megjithatë, specialistët e ISHP-së ngrenë alarmin se kjo shifër mund të jetë e nënraportuar për shkak të stigmës së fortë, që i shtyn këta individë të fshehin mënyrën e infektimit ose të shmangin testimin.
Edhe pse në nivele të ulëta, në vitin 2025 u regjistrua 1 rast i kalimit të virusit nga nëna te fëmija, gjë që thekson nevojën për testim të detyrueshëm gjatë shtatzënisë.
Problemi i madh, diagnostikimi i vonë
Një nga sfidat më kritike të sistemit shëndetësor shqiptar është diagnoza e vonë, vëren iSHP. Në vitin 2025, 34% e rasteve të reja u zbuluan kur pacienti ishte tashmë në stadin AIDS. Kjo ndodh sepse individët paraqiten në spital vetëm kur shfaqin simptoma të rënda, duke humbur mundësinë për të nisur Trajtimin Antiretroviral (TAR) në kohë, i cili do t’u siguronte një jetë normale dhe do të parandalonte përhapjen e mëtejshme.
Deri në fund të tetorit 2025, janë kryer rreth 60,000 testime në shkallë vendi. Megjithatë, shumica e tyre (59.3%) vijnë si referime mjekësore dhe jo si dëshirë vullnetare e individit.
Shteti ofron testim falas dhe konfidencial në institutin e Shëndetit Publik dhe Klinikën Ambulatore në QSUT, në njësitë Vendore të Shëndetit Publik në 12 prefektura dhe spitalet rajonale dhe laboratorët privatë të certifikuar.
Ekspertët e ISHP-së bëjnë thirrje se njohja e statusit nuk është vetëm mbrojtje për veten, por edhe një akt përgjegjësie ndaj shoqërisë, pasi testimi i hershëm shpëton jetë./MONITOR
Lajme nga rajoni
Partia e ish-presidentit Radev fiton zgjedhjet në Bullgari me 37,5 për qind
“Bulgaria Progresive” e Rumen Radев fiton zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pjesëmarrje e lartë dhe sinjale për qeveri të re
“Bulgaria Progresive” e presidentit Rumen Radев ka dalë fituese në zgjedhjet e tetë të parakohshme parlamentare në pesë vitet e fundit, raportoi BGNEС.
Sipas rezultateve fillestare:
“Bulgaria Progresive” – 37,5%; GERB-SDS – 16,2%; PP-DB – 14,3%; DPS – “Fillim i ri” – 8,4%; “Vazrazhdane” – 14%; BSP – 4,1%.
Në ndarjen e mandateve parlamentare:
105 deputetë për “Bulgaria Progresive”; 46 për GERB-SDS; 40 për PP-DB; 24 për DPS – “Fillim i ri”; 14 për “Vazrazhdane”; 11 për BSP.
Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00 sipas Alfa Research ishte 46,7%, ndërsa Market Links raportoi 47,2%.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, liderët politikë dhe zyrtarët e lartë kanë votuar dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së drejtimit të ardhshëm të vendit dhe formimit të një qeverie stabile.
Presidentja Ilijana Jotova deklaroi se një problem i shkurtër teknik gjatë votimit u zgjidh shpejt dhe shprehu besim në sistemin e votimit elektronik, duke e konsideruar situatën si normale.
Sipas saj, vendit i nevojitet një parlament stabil dhe një qeveri që mund të përballet me rritjen e çmimeve dhe sfidat e brendshme ekonomike.
Kryeministri në detyrë Andrej Gjurov theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, duke paralajmëruar kundër manipulimeve dhe duke kërkuar një proces të lirë dhe të ndershëm.
Lideri i GERB-SDS, Bojko Borisov, shprehu skepticizëm për formimin e një qeverie stabile dhe kritikoi procesin zgjedhor dhe votimin elektronik, duke paralajmëruar se partia e tij mund të mbetet në opozitë konstruktive.
Nga ana tjetër, Rumen Radев u bëri thirrje qytetarëve për ndryshim politik, duke theksuar nevojën për luftë kundër korrupsionit dhe reformë të sistemit gjyqësor, si dhe gatishmërinë për bashkëpunim me forcat që ndajnë të njëjtat ide.
Liderë të tjerë politikë, përfshirë “Vazhdimin e Ndryshimit” dhe “Po, Bullgari”, kanë theksuar nevojën për pjesëmarrje të lartë dhe zgjedhje që garantojnë zhvillim evropian dhe rritje të standardit të jetesës.
Ndërkohë, lideri i DPS – “Fillim i ri”, Deljan Peevski, deklaroi se vota e tij ishte për siguri dhe prosperitet, ndërsa Kostadin Kostadinov nga “Vazrazhdane” kërkoi një Bullgari të lirë dhe të pavarur.
Sipas mediave ndërkombëtare, Rumen Radев shihet si një figurë politike me qëndrime të balancuara por me perceptime proruse, ndërsa debati mbi raportet me Rusinë dhe luftën në Ukrainë mbetet një nga temat kryesore të fushatës dhe analizave politike.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

