Lajme nga vendi
Më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, MPB vendos kamera përgjatë korridoreve 8 dhe 10
Edhe më pak se një muaj na ndan nga zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10. Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.
“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tani ndodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat.”, – deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Periudha e deritanishme e testimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar rezultate të shkëlqyera. Sipas autoriteteve, qytetarët nga dita në ditë kanë përmirësuar sjelljen dhe mënyrën e vozitjes në rrugët e vendit, duke u treguar më të përgjegjshëm dhe duke respektuar rregullat e komunikacionit. Gjatë zbatimit të këtij sistemi parashihet të ketë një tolerancë të vogël të shpejtësisë, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për tejkalime minimale dhe nuk do të përjashtojë përgjegjësinë penale apo administrative për shkeljet që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion. Përfaqësuesit e MPB-së vlerësojnë se përmes këtij sistemi do të rritet siguria e qytetarëve në komunikacion dhe do të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve të rënda në trafik me pasoja fatale.
Sipas statistikave botërore, kur një automjet lëviz me shpejtësi prej 60 kilometrash në orë, shanset për mbijetesë të një personi të aksidentuar janë minimale; nga 10 persona, mesatarisht mbijetojnë vetëm dy, ndërkaq, kur shpejtësia e automjetit është 30 kilometra në orë, në raste të tilla mund të mbijetojnë deri në tetë persona të aksidentuar në trafik.
Lajme nga vendi
Mungojnë mbi 7.800 kilogramë kanabis mjekësor, kallëzim penal ndaj një kompanie në Strumicë
SPB Strumicë ka ngritur kallëzim penal ndaj një personi juridik nga fshati Borisovë dhe drejtuesit të tij, V.K., nga Novo Sella, me banim në Strumicë, për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.
Gjatë një inspektimi në ambientet ku ruhej kanabisi mjekësor i tharë, policia dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë konstatuan mungesë të dokumentacionit për personelin dhe dokumenteve të tjera të detyrueshme.
Gjithashtu, u konstatua mungesa e 7.813,49 kilogramëve kanabis mjekësor të tharë, për të cilin kompania nuk kishte dokumentacion dhe mbulim përkatës, njoftojnë nga SPB Strumicë.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 27 Tetor
Dje, sipas një denoncimi paraprak se në rrugën magjistrale Gostivar – Tetovë një automjet pasagjerësh “Shkoda” me targa të Tetovës po lëvizte në drejtim të kundërt, u ndërmorën masa dhe në pikën e pagesës rrugore Tetovë punonjësit e policisë e ndaluan automjetin dhe pas kontrolleve të kryera u konstatua se shoferi një 33-vjeçar nga fshati Dobrosht ishte nën efektin e alkoolit, përkatësisht iu matën 2,06 promilë alkool në gjak, pas së cilës u privua nga liria. Punonjësit e policisë privuan nga liria edhe pasagjerët e tij nga fshati Nerasht dhe nga fshati Dobrosht, sepse janë sjellë në mënyrë agresive dhe arrogante ndaj punonjësve të policisë që po kryenin veprime zyrtare. Ata janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të ketë parashtresa përkatëse.
……..Dje, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë privuan nga liria një 46-vjeçar nga fshati Sellcë, e Tetovës. Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij dhe hapësirat ndihmëse, të kryer me urdhër gjyqësor, u gjet dhe u sekuestrua marihuanë. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ketë parashtresë përkatëse.
…….Dje në orën 14:05 para Institucionit Ndëshkimor-Korrektues Burgu i Tetovës, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë privuan nga liria një 44-vjeçar nga f.Sellarcë e Epërme. Pasi iu tha se nuk është ditë vizitash, ai sulmoi fizikisht komandantin dhe punonjësit e burgut që po kryenin veprime zyrtare. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë një parashtresë përkatëse.
………Dje në orën 17:25 në SPB Tetovë, nga Qendra Mjekësore e Gostivarit është raportuar se tek ata me lëndime ishte sjellë një 22-vjeçar nga fshati Çegran, i Gostivarit. Pas masave të ndërmarra dhe kontrolleve të kryera u konstatua se ai i ka marrë lëndimet gjatë një rënieje nga mopedi në fshatin Çegran, të cilin e ka drejtuar pa patentë shoferi. Është kryer inspektimi dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë një kallëzim përkatës.
…….Dje në orën 17:50 në DPB Gostivar, një 64-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 16:00 në rrugën “Beliçica” në Gostivar është sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
…….Dje në orën 22:55 në Stacionin Policor Jegunovcë, një 46-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se një shok 17-vjeçar i djalit të tij 16-vjeçar i ka marrë portofolin nga lokali i tij dhe e ka përdorur kartelën e tij të pagesave për të paguar në një market në fshat. Sipas denoncimit, ai me djalin e tij ishin duke pastruar lokalin dhe me një rast të përshtatshëm ia ka marrë portofolin, kurse pasi ka marrë një mesazh për transaksionin e kryer, është bërë një kontroll i kamerave të sigurisë në market dhe është konstatuar se 17-vjeçari e ka përdorur kartelën. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Sot në mëngjes në orën 04:10, punonjësit e policisë nga Stacioni Policor i Grupçin kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak nga babai i tij 61-vjeçar se rreth orës 01:00 e ka sulmuar fizikisht dhe i ka thyer xhamin e derës. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të pasojë një parashtresë përkatëse.
Lajme nga vendi
Dogana me aksion te madh sekuestrimi, Dauti jep detaje
Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar për intensifikimin e kontrolleve kundër tregtisë së paligjshme të duhanit dhe produkteve të tjera, pas goditjes së një grupi ndërkombëtar të përfshirë në krimin e organizuar dhe importin e paligjshëm të cigareve.
Dauti bëri të ditur se kontrollet janë shtuar jo vetëm ndaj importeve të duhanit dhe produkteve të tij, por edhe në tregun e brendshëm.
Gjatë kontrolleve të realizuara nga zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile, janë konstatuar raste të shitjes së produkteve të duhanit dhe alkoolit pa pulla akcizore dhe pa paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë sekuestruar 135 kilogramë duhan i prerë dhe 30 litra alkool, ndërsa vlera e akcizës së papaguar për këto produkte arrin në 337.558 denarë.
Sipas njoftimit të Dautit, për dy persona janë ngritur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa ndaj një personi, në rastin ku shmangia e akcizës arrin rreth 257 mijë denarë, do të parashtrohet kallëzim penal në përputhje me Kodin Penal.
Dauti theksoi se kontrolli i tregtisë së ligjshme është i rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik, respektimin e ligjit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt.
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

