Lajme nga vendi
Petrova: Nuk është diskutuar për heqjen e masës “TVSH-ja Ime”
“Nuk është diskutuar për një heqje të mundshme të masës “TVSH-ja Ime””, deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova.
“Nuk mund të them se ekziston ndonjë vendim apo qëllim për miratimin e një vendimi të tillë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një masë për të cilën shpenzohen mjete publike, sigurisht që duhet të shqyrtohet dhe të diskutohet efikasiteti i saj dhe nëse masa i ka arritur qëllimet për të cilat është vendosur. Përmes kësaj mase, në nivel tremujor për vitin 2025, ndahen rreth 14,5 milionë euro për, mesatarisht, rreth 502 mijë përfitues”.
“Ky shumë rritet çdo vit krahasuar me vitet e mëparshme. Rritet edhe numri i përfituesve, por për shkak se rritet edhe arkëtimi i të ardhurave, mesatarisht mund të themi se për këtë masë ndahen rreth 4 për qind e arkëtimit vjetor të të ardhurave nga TVSH-ja, ose ekuivalente me afërsisht gjysmën e të ardhurave mujore nga TVSH-ja”, tha Petrova.
Ajo theksoi se masa, e cila u vendos në vitin 2019, kishte për qëllim uljen e ekonomisë gri dhe vendosjen e çdo qytetari në rolin e një inspektori tatimor.
“Nëse duam ta vlerësojmë masën nga ky këndvështrim, gjendjet që i shohim në terren dhe ato që mund t’i konstatojmë edhe brenda institucionit, bazuar në të gjitha të dhënat që kemi në dispozicion, çojnë qartë në përfundimin se masa nuk ka dhënë efektin e dëshiruar”, theksoi Petrova.
Lajme nga vendi
Policia jep detaje nga djegia e një banese në Tetovë, ku humbi jetën një person
SPB Tetovë sot ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në Tetovë, ku nga djegia e një banese ka ndërruar jetë një person.
“Më datë 13.01.2026 në ora 19:20, në SPB Tetovë është raportuar se në rrugën “180” në Tetovë është përfshirë nga zjarri një banesë, pronë e personit O.S. (76) nga Tetova, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje. Mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Ndërsa gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin, lëndime nga djegiet ka pësuar djali i tij, M.S. (51) nga Tetova. Ai është dërguar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Spitalin Klinik të Tetovës për t’iu ofruar ndihma mjekësore.
Zjarri është fikur nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit e Tetovës. Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrje nga Prokurori Publik dhe ekipi inspektues i SPB Tetovë”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Edhe 30 ditë paraburgim për ish-avokatin e Shtetit, Fehmi Stafa
Zoti Fehmi Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, si pjesë e një procedure të nisur kundër tij nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK), për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kreu veper penale – marrje te shpërblimit për ndikim ne menyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit te atehershem te Prokurorise, midis tetorit dhe 13 dhjetorit, i dyshuari Stafa mori gjithsej 50 mijë euro për të ndërmjetësuar dhe ndikuar tek një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, në lidhje me një çështje kundër klientit të tij, pra një personi që ai përfaqësonte si avokat.
Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari Stafa u privua nga liria, ndërsa paratë iu gjetën dhe iu konfiskuan. Personi për të cilin Stafa duhej të siguronte heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Sinxhir”, Ljupço Pecov, i njohur me nofkën Djalli.
Sipas Ligjit për Avokatin e Shtetit, Avokatin e Shtetit emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Dokumentacioni i plotë i aplikantëve do të dorëzohet nga Qeveria në Ministrinë e Drejtësisë këto ditë, pasi shpallja përfundon sot.
Stafa mori detyrën në vitin 2018 si anëtar i stafit të Alternativa dhe mandati i tij gjashtëvjeçar do të përfundonte në vitin 2024. Mirëpo, pa shpjegime nga Qeveria, ai u shkarkua në verën e vitit 2022 dhe po atë ditë dha dorëheqjen edhe vetë.
Lajme nga vendi
Deri të premten mot i qëndrueshëm, gjatë fundjavës shi dhe borë
Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -10 deri në -3 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 3 deri në 10 gradë.
Në Shkup, mot me diell dhe i qetë me vranësira mesatare. Temperatura minimale do të bie deri në -6, ndërsa maksimalja do të arrijë 7 gradë.
Deri të premten do të mbajë mot i qëndrueshëm dhe i thatë me kushte për paraqitje të mjegullës së mëngjesit nëpër lugina. Temperaturat do të jenë në rritje të lehtë graduale. Në ditët e fundjavës do të ketë vranësira të rritura me kushte për reshje lokale të dobëta të shiut, ndërsa në pjesët malore të borës. Temperatura e ditës sërish do të jetë në rënie.

