Lajme nga rajoni
Dënohet në Zvicër “sheh-imami” nga Kosova: Luksin e shfrenuar e financoi, duke mashtruar…
Nga Enver Robelli
120 vetura, vila me qira 24 mijë franga në muaj, targa speciale, 1,5 milionë franga dëm, kredi të papaguara.
Një sheh nga Kosova përfshiu familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy ndihmës, në mashtrime sistematike. Nga një gjykatë zvicerane ai u dënua me 3 vjet e gjysmë burg – dhe 3 vjet ndalimhyrje në Zvicër.
Një skemë mashtrimi në Zvicër ka marrë epilog në Gjykatën e Dietikonit afër Zürichut, duke zbuluar prapaskenat e një jete përrallore të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe keqpërdorime të shtetit zviceran. Në qendër të këtij skandali është një 57-vjeçar nga Kosova, i cili njihet si “sheh-imam” dhe pretendon se udhëheq rreth 8000 besimtarë dervishë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Ai akuzohet se ka organizuar një sistem kriminal familjar duke shkaktuar një dëm total prej 1,5 milion frangash zvicerane.
Hetimet e policisë kishin nisur me një bastisje në një vilë luksoze afër Zürichut, për të cilën shehu paguante qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj. Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm. Sipas prokurorisë, ky sheh luante rolin e një sipërmarrësi të patundshmërive, duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran me bilance të falsifikuara, veçanërisht duke përfituar mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19 (pandemia e koronës).
Ajo që ka lënë pa fjalë opinionin publik është luksi i shfrenuar që familja shfaqte me paratë e vjedhura. Ndonëse para zyrave të shtetit shehu deklaronte se ishte i varfër, familja kishte në pronësi një flotë prej 120 automjetesh. Mes tyre bien në sy vetura të tipit Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Si merakli i veturave shehu shpenzoi rreth 100 mijë franga vetëm për blerjen e tri tabelave të regjistrimit me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankand si simbole prestigji.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili zgjati gjashtë ditë, i akuzuari kryesor u dënua me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori i Zvicrës për një periudhë prej 3 vitesh. Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet dëbim nga Zvicra.
Sa i përket anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, gjykata vendosi t’i lirojë nga akuzat ose t’i dënojë me gjoba minimale. Arsyetimi i gjykatës ishte se brenda familjes mbretëronte një strukturë strikte patriarkale ku shehu vendoste për çdo gjë. Fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente verbërisht për shkak të besimit ndaj babait dhe nuk kishin njohuri për financat. Madje, për shkak të muajve të kaluar në paraburgim, vajza dhe njëri nga djemtë e tij do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga nga shteti, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund të ketë “përgjegjësi kolektive” për mëkatet e kryefamiljarit.
Gjatë procesit, shehu kërkoi falje duke u arsyetuar se si prijës fetar nuk dëshironte të figuronte publikisht si pronar biznesesh, andaj përdori anëtarët e familjes. Gjykatësja ishte e bindur se energjia kriminale e shehut kosovar ishte rritur me kalimin e kohës dhe dënimet e mëparshme me gjoba nuk kishin pasur asnjë efekt reflektimi tek ai. Njëri ndihmës i shehut u dënua me kusht, aktgjykimi për tjetrin do të pasojë më vonë.
Teksti i Tages Anzeiger në komentin e parë.
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi
Lajme nga rajoni
Kapen mbi 250 kg suxhuk në Shtutgart në autobusin e Kosovës
Më shumë se 250 kilogramë sudxuk dhe produkte mishi u sekuestruan dje në Shtutgart Stuttgart në një autobus nga Kosova, raportuan mediat në Prishtina, duke iu referuar mediave gjermane.
Policia gjermani njoftoi se produktet e mishit u ekspozuan nga era.
“Era e fortë që vinte nga disa çanta në zonën e ngarkesës konfirmoi shpejt dyshimin e tyre për produkte ushqimore të paligjshme. Në total, oficerët sekuestruan 252,8 kg produkte mishi gjatë inspektimit”, raportojnë mediat e Kosovës.
Në të njëjtin autobus u gjetën edhe mallra të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas këtyre mediave, kishte cigare, dritare alumini dhe një kondicioner.
Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një qen.
Janë nisur procedura për shmangie nga taksat kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një mbledhësi mallrash në stacionin e autobusëve.
Shoferët e autobusëve do të përballen gjithashtu me gjoba për importimin ilegal të produkteve të mishit.(INA)
-
Lajme nga rajoni2 months agoStudentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës
-
Lajme nga rajoni2 months agoDW: Milanoviçi i mbylli derën Vuçiçit dhe i dëmtoi të gjithë
-
Lajme nga rajoni2 months agoNga Skënderbeu te Nënë Tereza dhe Ismail Qemali, Kryeministri Rama promovon Samitin e Diasporës me videon e realizuar me IA

