Lajme nga vendi
KUNDËRSHTIME PËR PROVIMIN E JURISPRUDENCËS NË MAQEDONISHT
Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase ka nxitur reagime të forta nga studentët shqiptarë, partitë politike dhe institucionet diplomatike. Studentët, përmes një peticioni të nënshkruar nga 385 juristë të ardhshëm, kërkojnë që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo u garantohen me ligj, ndërsa autoritetet insistojnë se provimi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase si kusht për ushtrimin e profesioneve juridike.
Provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues), thonë nga Ministria e Drejtësisë, pas peticionit të studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që krahas provimit të jurisprudencës në maqedonisht, i njëjti të mbahet edhe në shqip.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se mohimi I të drejtës për testim në shqip të juristëve përbën shkelje të të drejtës kolektive dhe të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik.
“Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se çdo tentativë për relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe orientimin evropian të vendit” thonë nga BDI-ja.
Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN thotë për çështjen e provimit të jurispodencës edhe në gjuhën shqipe po zhvillohen bisedime në kuadër të qeverisë për të gjetur zgjidhje.
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, Kryetari i Kuvendit dhe te zëvendëskryeministri i pare.
Në lidhje me peticionin e parashtruar nga studentët, nga Agjensioni për Zbatimin e Gjuhës theksojnë “se organ kompetent për organizimin, realizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës, përfshirë formimin e komisione e, procedurat përkatëse dhe mbajtjen e evidencës, është Ministria e Drejtësisë”.
“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së mbetet në gatishmëri të plotë institucionale për të ofruar mbështetje për të gjitha kërkesat që i parashtrohen institucionit tonë”, thanë nga AZGJ.
Shqetësimet e studentëve shqiptarë kanë arritur edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup. Ambasadori Denion Meidani tha se e kanë adresuar këtë çështje në instancat relevante.
“Kërkesat e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale janë pjesë e një debati më të gjerë mbi zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj dhe funksionimin efektiv të institucioneve”, tha Denion Meidani.
Ambasadori thotë se këtë shqetësim e kanë adresuar në disa instanca relevante, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me parimet e barazisë qytetare.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

