Lajme nga vendi
“OFENSIVË” E PARTIVE SHQIPTARE GJATË FUNDJAVËS, A VJEN ERA ZGJEDHJE?!
Lëvizja BESA në takim me strukturat e partisë në Saraj të Shkupit, Aleanca për Shqiptarët mbajti mbledhjen e VI-të të Kuvendit të partisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Dega Tetovë, po vijon në terren procesin e strukturimit dhe konsolidimit të organeve partiake, PDSH-ja mban Kuvendin Zgjedhor në Haraçinë.
Këto ishin aktivitetet në terren të partive shqiptare këtë fundjavë. Edhe pse partitë thonë se këto aktivitete janë pjesë të punës dhe planprogramit partiak, megjithatë vërrehet një mobilizim I theksuar partiak edhe pse viti 2026 nuk është vit zgjedhor.
Nga Lëvizja BESA thonë se me vendimin e Kuvendit Qendror, nisën rrugën pa kthim për bashkimin dhe strukturimin e VLEN-it, krijimin e një shtëpie të përbashkët, të fortë dhe të organizuar mirë.
VLEN-i po bëhet sepse është vullnet dhe kërkesë e aktivistëve, votuesve dhe të gjithë shqiptarëve, vullnet i shprehur në dy palë zgjedhjet e fundit – thotë Kryetari I Besës, Bilall Kasami.
Deklarat – Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa
ASH-ja e Arben Taravarit në Gostivar tha se po fuqizon strukturat dhe konsolidon partinë si alternativë serioze politike. Sipas ASH-së, strategjia synon konsolidimin e brendshëm dhe ripozicionimin politik afatgjatë të partisë, duke u ndërtuar si dokument ideologjik dhe programor. Kryetari i Alenacës për Shqiptarët, Arben Taravari në një deklaratë për media pas mbajtjes së Kuvendit të 6-të të partisë, foli edhe për situatën aktuale politike në vendit. Taravari tha se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por pa precizuar se kur.
Deklarat: Arben Taravari – Kryetar i ASH-së
“Nuk mund ta them me siguri, e kam thënë çdo herë se kjo më së shumti varet nga VMRO-DPMNE pasi që i ka 58 deputetë për të shpallë zgjedhjet duhen 61 vota. Sipas asaj që e shohim, edhe pse deklarativisht kryeministri thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, intuita ime politike thotë se përsëri do të shkohet në në zgjedhje të parakohshme, nuk dua ta them kur, po mendoj se me patjetër do të vijmë në situatë që do të ketë nevojë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Arben Taravari – kryetar i ASH-së.
Në terren ishte edhe Dega e BDI-së Tetovë. Nga kjo degë thanë se vazhdojnë konsolidimin e strukturave, kurse Xhelal Lika zgjidhet kryetar i nëndegës në Jashtë Vardarit.
Degët po I konsolidon edhe PDSH-ja. Kjo parti mbajti Kuvendin Zgjedhor të Degës në Haraçinë. Sic thuhet, me votë unanime, kuvendarët për kryetar të Degës në Haraçinë zgjodhën z. Ismet Sinani. Gjithashtu, në kuadër të këtij kuvendi u zgjodh edhe kryesia e re e degës, e cila do të punojë në koordinim të plotë për realizimin e objektivave programore dhe organizative. Në këtë mbledhje kreu i PDSH-së Menduh Thaçi drejtoi kritika të ashpra për menaxhimin me buxhetin e shtetit, edhe ndaj BDI-së që ishte në qeveri paraprakisht, por edhe për VLEN që tani udhëheq me insititucionet në nivel qëndror.
Deklarat – Menduh Thaçi – Kryetar i PDSH-së
E gjithë kjo “ofensivë” e partive shqiptare me aktivitete në terren vjen në kohën kur Kryeministri Mickoski deklaroi I prerë se në këtë vit nuk do të ketë zgjedhje dhe se vendi do të fokusohet në reformat dhe programin qeveritar.
Mirëpo, ai bëri të ditur se nuk e përjashton mundësinë e rikonstruimit të kabinetit qeveritar. “Përplasjet” e fundit, VLEN – ZNAM, lidhur me Ministrat Limani dhe Filkov ndikuan që në skenën politike të ndjehet një tension në rritje, në prag të rikonstruimit pranveror të Qeverisë.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

