Lajme nga vendi
Për dy javë MPB-ja sekuestroi 90 automjete në mbarë Maqedoninë – Tetova lider!
Drejtimi i automjetit pa patentë shoferi është vepër penale dhe sipas ligjit, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike, Ministria e Punëve të Brendshme ka të drejtë të sekuestrojë mjetin. Si drejtim pa patentë konsiderohet rasti kur shoferi nuk ka dhënë kurrë provimin, kur i është hequr leja përgjithmonë ose kur drejton mjetin gjatë kohës që ka ndalesë të përkohshme. Për pak më shumë se dy javë, përkatësisht që nga fillimi i projektit “Safe City”, policia ka sekuestruar gjithsej 90 automjete në mbarë vendin.
Në periudhën prej 1 deri më 16 shkurt, me udhëzim të prokurorit publik, numri më i madh i mjeteve është konfiskuar në territorin e SPB Tetovë (14 automjete), pasuar nga SPB Veles (13), SPB Manastir (12), si dhe nga 11 automjete në Strumicë dhe Kumanovë.
Siç sqarojnë nga MPB-ja, automjetet aktualisht ruhen nëpër stacionet policore, ndërsa procedura e mëtejshme është në kompetencë të prokurorisë dhe gjykatës. Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se gjatë javës së kaluar është shënuar rënie e numrit të kundërvajtjeve në trafik të regjistruara nga sistemi “Safe City”.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri 19, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 33 deri 39 gradë celsius.
Nën ndikimin e një mase të ngrohtë ajri nga jugu, moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare gjatë fundjavës së zgjatur dhe deri në fund të javës së ardhshme.
Lajme nga vendi
ISHP apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Mos qëndroni në diell nga ora 11:00 deri në 17:00
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u ka përsëritur qytetarëve thirrjen për të treguar kujdes dhe për të zbatuar masat mbrojtëse, pasi gjatë këtyre ditëve temperaturat pritet të ngjiten mbi 40 gradë Celsius.
Sipas rekomandimeve të ISHP-së, nga ora 11:00 deri në 17:00 duhet evituar qëndrimi drejtpërdrejt nën rrezet e diellit, si dhe kryerja e aktiviteteve fizike në ambiente të hapura, sepse në këtë interval rrezatimi diellor arrin intensitetin më të lartë.
Për daljet jashtë këshillohet përdorimi i veshjeve të holla dhe me ngjyra të çelëta, syzeve mbrojtëse dhe një kapeleje me strehë të gjerë. Kur ekziston mundësia, preferohet qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar, ndërsa personat që duhet të qëndrojnë jashtë duhet të pushojnë shpesh në vende me hije.
Marrja e lëngjeve, sidomos e ujit, duhet të jetë e rregullt dhe të mos shtyhet deri në shfaqjen e etjes. ISHP rekomandon evitimin e alkoolit, sasive të mëdha të kafeinës dhe pijeve tepër të ftohta. Gjithashtu, duhen shmangur ushqimet e rënda, me shumë yndyrë dhe me përmbajtje të lartë kalorike.
Gjatë ditës rekomandohet që perdet dhe dritaret të mbahen të mbyllura, kurse ajrosja e dhomave të bëhet gjatë natës, atëherë kur temperaturat bien. Për të freskuar trupin mund të përdoren kompresa të ftohta ose të bëhet një dush me ujë të vakët.
ISHP tërheq vëmendjen se fëmijët, të moshuarit dhe kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen në automjete të parkuara, pasi brenda një kohe të shkurtër temperatura në kabinë mund të rritet deri në nivele të rrezikshme.
Vëmendje e shtuar kërkohet për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, në veçanti nga probleme kardiovaskulare, pulmonare dhe neurologjike. Këta persona duhet ta përdorin rregullisht terapinë e përshkruar dhe, nëse vërejnë ndonjë ndryshim në gjendjen shëndetësore, të kontaktojnë pa vonesë mjekun e kujdesit parësor./Telegrafi/
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/

