Lajme nga vendi
GRUBI NË ARREST SHTËPIAK – PARTITË ME AKUZA PËR SKENARE!
Nuk kanë të ndalur reagimet në opinion pas kthimit të Artan Grubit në vend. Partitë me akuza e kundërakuza për skenare të dakorduara, por edhe për marrëveshje sekrete. Një pjesë e tyre vlerësojnë se është duke mbretëruar panikë në qarqe të ndryshme politike, për shkak të pretendimeve se “Grubi din shumë gjëra” kurse arresti shtëpiak lidhet me gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me institucionet.
LSDM-ja vazhdon të insistojë se ngjarjet e djeshme që lidhen me Grubin paraqesin skenare të dakorduara në regji të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, kurse po realizohen para syve të opinionit.
Gjëja e vetme që pritet, sipas socialdemokratëve, është përgjigja në pyetjen se cfarë fiton BDI-ja.
ALEKSANDAR DIMITRIJEVIQ – LSDM
“U varros shteti juridik. Gjithcka është e dakorduar. Arrest shtëpiak për personin që një herë u arratis. Për këtë shkak e larguan Prokurorin Publik, zgjodhën gjykatës dhe prokurorë nën kontrollin e tyre. Vendimin për arrest shtëpiak e miratoi Prokurori I Prokurorisë së Shkupit ku para një muaji si shef u zgjodh Anel Fidanoski. Është e qartë se cfarë po ndodh”
VMRO-DPMNE thotë se e kupton revoltën e qytetarëve, sic thonë, pas vendimit të organeve të gjyqësorit me 2% besueshmëri. Sipas tyre, kjo pakënaqësi vjen pas agonisë 7-vjecare të sundimit LSDM-BDI dhe serisë së pandëshkueshmërisë.
Partia në pushtet siguron qytetarët se përgjegjësi për Grubin do të ketë.
VMRO – DPMNE
“Sa i përket hipokrizisë së LSDM-së, shihet në faktin se deri dje thonin se pushteti e lejoi të arratiset, kurse sot pohojnë se është dakorduar ndalimi i tij nga organet e ndjekjes. E vërteta është se Artani është ortak në krimet e Zaevit, Filipçes, Spasovskit dhe të gjithë së bashku do të përgjigjen. Procesi gjyqësor kundër Artanit po nis, kurse së shpekti do të fillojë edhe për partnerët e tij. Drejtësi do të ketë”
Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi – thuhet në reagimin e koalicionit VLEN duke pohuar se është fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por, sipas VLEN, sa të thella do të jenë ato.
VLEN
BDI e di shumë mirë pse e ka kapluar paniku. Frika nuk është nga drejtësia, por nga shumë gjëra që Artan Grubi di dhe nga gjithçka që ai mund të nxjerrë në dritë. Ai është dëshmitar i aferave të errëta, pazareve politike, e i marrëveshjeve që për vite me radhë janë bërë në dëm të qytetarëve. Arresti shtëpiak është pasojë e gatishmërisë së Grubit për t’u përballur institucionalisht me mëkatet e tij. Thelbi është se institucionet më në fund po e hapin temën që BDI e ka varrosur prej vitesh, si është ushtruar pushteti dhe ku kanë përfunduar vendimet dhe paratë.
Por, nga BDI shprehin pakënaqësi nga sjellja e partive të ndryshme politike të cilët përmes paraqitjeve publike kanë politizuar skajshmërishtr rastin me Artan Grubin. Integristët, përmes komunikatës, gishtin e drejtojnë tek partitë që janë pjesë të qeverisë, që sipas tyre, paraqet implikim të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor.
BDI
“I bëjmë thirrje Gjykatës, Prokurorisë dhe organeve kompetente që të mos bien pre e presioneve politike dhe të veprojnë ekskluzivisht në bazë të ligjit dhe dëshmive. Pavarësia e gjyqësorit është themeli i sundimit të së drejtës dhe obligim kushtetues, e jo çështje interpretimi nga ana e opinionit, aq më pak të partive politike. Presim që procesi të zhvillohet me respektimin e plotë të prezumimit të pafajësisë, të drejtave procesuese dhe dinjitetit të çdo personi të implikuar në procedurë”
Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”.
Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Lajme nga vendi
RASTI “GRUEVSKI”: VMRO DHE LSDM ASHPËRSOJNË RETORIKËN!
Kryeministri Mickoski deklaroi sot se ka një parandjenjë, por mohoi se ka informacione, se ish-funksionarë të lartë që kanë qenë pjesë e qeverive të LSDM-së do të përballen me ndjekje.
I pyetur rreth çështjes së Nikola Gruevskit, ai u shpreh për parandjenjën e tij se do të ndiqen anëtarë të opozitës.
Sipas tij, shqetësues është fakti se opozita nuk i bën thirrje Vasko Kovaçevskit që të kthehet në vend për t`u përballur me drejtësinë.
Kovaçevski si ish-Drejtor i EMV-së është në mesin e 13 të dyshuarve për keqpërdorime me furnizime të mazutit dhe larje parash dhe për momentin është në arrati.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Pres që opozita të sillet me kritika edhe kur ish-funksionarë të qeverive të LSDM-së, ish-Kryeministra dhe të afërm të tyre, do të përfshihen me përndjekje të caktuara. Nuk them se kam informata, kam një parandjenjë. Pres që atëherë do të kenë press-konferenca të këtilla dhe nuk do të thonë se bëhet fjalë për ndjekje politike por do t`u bëjnë thirrje të përgjigjen para organeve për të dëshmuar pafajësinë e tyre”
LSDM-ja sot përmes një komunikate duke u thirrur në shkrimet e mediave gjermane pohojnë se rënia e Orbanit paraqet lajm të keq për Mickoskin.
Socialdemokratët vazhdojnë të insistojnë se po bien regjimet autokratike duke pretenduar se radhën e ka regjimi i Vuçiqit në Serbi, kurse më pas edhe i Mickoskit në Maqedoni.
LSDM-ja, duke u thirrur në paralajmërimet e pushtetit të ri në Hungari, i bëri thirrje direkte Ministrisë së Drejtësisë për procedurë urgjentë për ekstradimin e Gruevskit.
ANDREJ ZHERNOVSKI – LSDM
“Pas deklaratës së fundit të Kryeministrit të ri të Hungarisë, Peter Magjar, se Hungaria nuk do të jetë oazë strehe për kriminelë të arratisur, dërgojmë mesazh të drejtpërdrejtë në Ministrinë e Drejtësisë, pas zvarritje dhe menjëherë të qaset drejt kërkesës që Gruevski të kthehet aty ku bëri krimin – në Maqedoni”
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, dje përmes një komunikate njoftoi se për ish-Kryeministrin në arrati, Nikola Gruevskin, deri tani është dorëzuar vetëm një kërkesë për ekstradim që mban datën 20 Nëntor 2018, kurse kërkesa është plotësuar edhe në Qershor të vitit 2019.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Hungaria kishte refuzuar kërkesën e ekstradimit më 05 gusht 2019, me arsyetimin se Nikola Gruevskit i është miratuar azili, konform ligjeve hungareze, që nuk lejon dorëzimin e personit që gëzon statusin e këtillë në vendin nga ku është arratisur.
Ministria e Drejtësisë, siguron se në vazhdimësi ndjek rastin dhe ndërmerr të gjitha masat konform ligjit që t`i sigurojë dokumentet e nevojshme.
Lajme nga vendi
Mucunski bisedë me Anita Orbán: Fokus te marrëdhëniet bilaterale dhe integrimi në BE
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, zhvilloi një bisedë telefonike me Anita Orbán, këshilltare e partisë TISZA.
Ai e uroi për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, ndërsa të dy bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në politikë, ekonomi dhe tregti.
Në fokus të bisedës ishte edhe rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut, për të cilën u ritheksua mbështetja e fortë nga Hungaria. Gjithashtu, u diskutuan edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë.
Zgjedhjet e fundit në Hungari sollën ndryshim pushteti, pasi Fidesz e Viktor Orbán u mposht nga TISZA.
Lajme nga vendi
LSDM: Rënia e Orbanit lidhet me zhvillimet politike në rajon, e konfirmojnë mediat gjermane
Sipas LSDM-së, analizat e mediave gjermane mbi humbjen e Viktor Orbánit përforcojnë qëndrimet që kjo parti ka shprehur gjatë muajve të fundit.
Nga LSDM vlerësojnë se rënia e Orbánit nuk përbën vetëm një çështje të brendshme politike në Hungari, por një zhvillim me pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë rajonin. Sipas tyre, kjo ndikon veçanërisht te politikanët që kanë qenë nën mbështetjen e tij, si Hristijan Mickoski, si dhe Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik, të cilët i cilësojnë si pjesë e një “vëllazërie autoritare”.
Më tej, LSDM i referohet edhe gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila thekson se Orbán ka ndërtuar një rrjet qendrash analitike joliberale, mediash dhe partish, të mbështetura financiarisht dhe politikisht, ndërsa e ardhmja e këtij rrjeti tani paraqitet e pasigurt.
Sipas LSDM-së, rënia e Orbánit shërben si dëshmi për ekzistencën e një rrjeti ndikimi, financimi dhe manipulimi mediatik jashtë standardeve demokratike evropiane, duke shtuar se “ombrella” politike që mbështeste këtë model në Ballkan po zbehet.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

