Lajme nga vendi
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve duhej të ishte “gardian” i shqipes por veproi si “dezertor”!
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i themeluar në vitin 2019, duhej të ishte mekanizmi kryesor për mbrojtjen e shqipes në institucionet shtetërore, por në praktikë ka dështuar. Inspektorët nuk u panë në terren, shkeljet u bënë të përditshme dhe sot ky organ nuk ekziston më si i pavarur, pasi kompetencat iu morën dhe kaluan nën Ministrinë e Drejtësisë, shkruan Zhurnal.
Kur u themelua Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe pse?
Inspektorati u themelua në bazë të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar më dhjetor 2019 dhe i publikuar në “Gazetën Zyrtare” nr. 220/19.
Kujtojmë që, me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u themeluan dy institucione, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.
Roli i tyre ishte i qartë njëri të monitoronte zbatimin e ligjit dhe të ndëshkonte shkeljet, tjetri të ofronte asistencë teknike dhe mbështetje aty ku kishte nevojë. Në teori, këto institucione duhej të ishin “gardianët” e gjuhës shqipe, por në praktikë, Inspektorati u shndërrua në “dezertor”.
Në themelimin e këtij institucioni shkruan qartë se qëllimi është ky: “Mbikëqyrja e zbatimit të Amandamentit V të Kushtetutës dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha institucionet shtetërore”.
Inspektorati ka pasur disa drejtorë të emëruar politikisht, por asnjëri nuk arriti të krijojë një strukturë funksionale me inspektorë aktivë në terren. Dhe, natyrshëm lind pyetja si në vijim.
Pse nuk ka funksionuar ky institucion?
Se ka munguar funksionimi i këtij institucioni e dëshmon mungesa e inspektorëve në terren, qytetarët nuk kanë parë inspektorë që të kontrollojnë zbatimin e ligjit. Por, jo vetëm qytetarët as gazetarët askush tjetër. E mungesën e inspektorëve në terren e ka dëshmuar edhe vet drejtuesi i institucionit sipas të cilit nuk kanë veturë.
Shkelje të përditshme janë evidentuar ku dokumente, tabela, komunikime zyrtare shpesh nuk përfshinin gjuhën shqipe, duke e bërë ligjin një normë të shkruar por jo të zbatuar. Politizimi dhe mungesa e transparencës kanë sjellë në këtë situatë. Drejtuesit e emëruar nuk krijuan mekanizma të qartë raportimi dhe ndëshkimi.
Në vend që të ishte një organ i fuqishëm mbikëqyrës, Inspektorati mbeti një strukturë formale pa ndikim real. E sot është edhe më keq se kaq.
Cili është fati sot i këtij institucioni?
Inspektoratit i janë hequr kompetencat e pavarura. Sot nuk është organ i veçantë, por është vendosur nën Ministrinë e Drejtësisë, duke humbur autonominë që duhej ta kishte si “gardian” i gjuhës shqipe.
Kur flasim për fuqinë politike të faktorit politik shqiptar, në kohën e BDI-së ky institucion ka qenë i pavarur por pa veprim në praktikë, tani me VLEN-in në pushtet Inspektorati vazhdoi me avazin e njëjtë pa veprim në praktikë por edhe më keq i varur nga Ministria e Drejtësisë.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është shembulli tipik i një institucioni që u krijua me mision të lartë, por dështoi në praktikë. Në vend që të ishte “gardian” i shqipes, u shndërrua në “dezertor”, duke lënë hapësirë që shkeljet të bëhen rutinë. Sot, me kompetencat e tij të zhvendosura nën Ministrinë e Drejtësisë, ky organ nuk ka më peshën që ligji i kishte dhënë fillimisht./Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
100 MILIONË € NË VIT PËRFUNDOJNË NË TETOVË NGA ANA E MËRGIMTARËVE
Mërgimtarët e Tetovës mendohet të kenë shpenzuar qindra miliona euro gjatë sezonit të verës. Shpenzimet më të mëdha janë në industritë e lidhura me dasmat, si restuarnatet, ari, butiqet e të tjera. Sezoni i verës kur edhe bëhet shumica e dasma, vazhdon të mbetet “infuzioni” më i mirë ekonomik për bizneset që gravitojnë në zonë të Pollogut. Pronarët e bizneseve thonë se gjatë muajve të verës, dukshëm rritet puna, interesimi dhe shitjet ndërsa muajt e tjerë, punojnë sa për të mbijetuar. Këtë e konfirmojnë edhe tregëtarët që veprojnë në Tetovë.
Profesori Ali Maksuti thotë se në Tetovë përfundojnë mbi 30% e remitencave vjetore që kapin shifrën e mbi 300 milionë euro. Megjithatë, ai thotë se shumica e këtyre mjeteve nuk shkojnë në investime kapitale por në shpenzime ditore ndërsa në mungesë të prodhimeve vendore, këto mjete përsëri përfundoojnë në blerjen e produkteve të importuara që i dërgojnë paratë përsëri jashtë shtetit.
Sipas statistikave, mbi 100 milion euro si remitenca në vit, përfundojnë në Tetovë, pa llogaritur edhe shenzimet që bëjnë mërimtarët kur kthehen në vendlindje. Megjithatë, gjenerat e re që ndjenë më pak nostalgji, mund të sjell deri në zvogëlimin e këtij numri, thotë profesori Maksuti.
Mërgimtarët vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në rajonin e Tetovës, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur rritet ndjeshëm konsumi dhe qarkullimi i parave. Shpenzimet e tyre gjallërojnë bizneset lokale, sidomos sektorët e dasmave, gastronomisë, tregtisë dhe shërbimeve. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se ndikimi afatgjatë ekonomik mbetet i kufizuar, pasi një pjesë e madhe e remitencave përdoret për konsum dhe jo për investime produktive. Për më tepër, varësia nga produktet e importuara bën që një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve të dalë sërish jashtë vendit. Nëse trendi i uljes së lidhjes së gjeneratave të reja të mërgimtarëve me vendlindjen vazhdon, rajoni mund të përballet me një rënie graduale të këtij burimi të rëndësishëm financiar në të ardhmen./Tv Koha/
Lajme nga vendi
VAZHDON VAPA AFRIKANE – TEMPERATURA MBI 40 GRADË!
Vala e të nxehtit do të vazhdojë të përfshijë vendin edhe gjatë kësaj jave, ndërsa temperaturat jashtëzakonisht të larta do të mbeten të pranishme deri në fund të javës.
Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e valës shumë të nxehtë dhe të thatë ajrore, që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika, gjatë periudhës 3 deri 9 gusht. Temperaturat më të larta priten nga e mërkura, 5 gusht, deri në fund të javës.
Do të vazhdojnë edhe të ashtuquajturat netë tropikale, që do të thotë se temperaturat do të mbeten shumë të larta edhe gjatë natës.
Nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë nga jugu, moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare në disa zona. Temperaturat maksimale ditore kudo do të jenë mbi 33 gradë Celsius, ndërsa në disa pjesë të vendit do të kalojnë edhe 40 gradë.
Lehtësim nuk pritet as gjatë natës, pasi temperaturat do të mbeten të larta, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e vapës.
Një situatë e ngjashme pritet edhe në pjesën më të madhe të Evropës, ku vala e të nxehtit vazhdon të sjellë temperatura ekstreme, thatësirë dhe rrezik të shtuar nga zjarret pyjore. Më të prekura janë vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore, ndërsa temperaturat e larta po vazhdojnë edhe në rajone të tjera të kontinentit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.
Lajme nga vendi
“BOTA SERBE” DHE “OHRI”, PËRPLASJE BDI – VLEN
Prej kur VLEN-i, si humbës u bë pjesë e qeverisë, “bota serbe” është më e pranishme se kurrë në Maqedoninë e Veriut – këtë e konfirmon për dy vite me radhë edhe Raporti i Parlamentit Evropian – thuhet në një reagim nga BDI-ja.
Sipas tyre, për dy vite me radhë, Raporti i Parlamentit Evropian evidenton shqetësimin për rritjen e ndikimit të “botës serbe” në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe apostrofon qartë promovimin e këtyre politikave nga përfaqësues të pushtetit.
Nuk është aspak rastësi që paralelisht me këtë ndikim po vazhdon edhe gërryerja sistematike e Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik, thonë nga BDI.
Faktet flasin vetë. Nga roli dhe ndikimi politik i Ivan Stoilkoviqit brenda qeverisë, deri te deklaratat e tij publike se ka “shpëtuar” përfaqësuesit e VLEN-it nga turpi politik; nga afrimi me strukturat politike të Milorad Dodikut, deri te kontratat në sektorin energjetik me kompani të lidhura me interesat e tij; nga zgjerimi i pranisë së kapitalit bankar serb në vend e deri te një sërë vendimesh institucionale që kanë krijuar hapësirë për forcimin e këtij ndikimi – të gjitha këto përbëjnë një mozaik që nuk mund të mohohet.
Kanë reaguar nga VLEN. Sipas tyre, BDI nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng.
VLEN përmes reagimit thotë se BDI-ja nuk mund t’ua falë shqiptarëve që e dërguan në opozitë, prandaj tani po u hakmerret duke e bllokuar Ligjin për përfaqësim të drejtë.
Shqiptarët nuk ua kanë borxh pushtetin e përjetshëm karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Nuk u kanë borxh a ministra, as drejtorë dhe as tenderë. Aq më pak ua kanë dhënë të drejtën që, vetëm pse mbetën pa kolltuqe, ta bllokojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe ta rrënojnë Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Plot 25 vjet e kishin edhe gurin, edhe arrën në dorë, por nuk u shkoi mendja që këtë të drejtë ta mbronin me ligj. Më të rëndësishme i kishin tenderët, pasurimin personal dhe pazaret e pista. Tani, kur dikush tjetër po e kryen punën, nga dëshpërimi kapen pas një fijeje kashte dhe kërcënojnë se do ta bllokojnë gjithë Kuvendin.
Sipas VLEN, Shqiptarët nuk janë plaçkë partiake e askujt dhe të drejtat e tyre nuk janë monedhë për kusure politike. Marrëveshja e Ohrit, sic thonë nga VLEN, nuk është tapi as e Ali Ahmetit dhe as e karrigexhinjve të tij të përjetshëm. Ajo u përket qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng për shkak të etjes së shfrenuar për pushtet, thuhet në reagimin e VLEN-it./Tv Koha/

