Lajme nga vendi
DJALOSHI NGA ÇEGRANI PJESË E MISIONIT HËNOR “ARTEMIS II” TË NASA-s!
Ish-Studenti, Alumni, i Universitetit të Evropës Juglindore, Albon Rexhepi, po kontribuon në një nga projektet më të rëndësishme të hulumtimit hapësinor në botë.
Rexhepi, i cili aktualisht ka funksion drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pjesë e ekipit të kompanisë që kontribuon në misionin Artemis II të NASA.
Me origjinë nga Çegrani i Gostivarit, ish-studenti i UEJL-së, Albon Rexhepi, ka bërë krenar çdo shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Nëpër rrjetet sociale “vlojnë” përgëzimet për suksesin e tij që vijnë nga Gostivari me rrethinë dhe jo vetëm.
Djaloshi nga Çegrani i Gostivarit, është pjesë e ekipit të kompanisë që kontribuon në misionin Artemis II të NASA.
“Në DEWETRON, jemi krenarë që jemi një furnizues i besueshëm që mbështet teknologjinë pas këtij misioni – duke ndihmuar inxhinierët të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të besueshme në disa nga mjediset më sfiduese që mund të imagjinohen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo kompani.
Rrjeti televiziv amerikan “12 News” i ka kushtuar një storje Albon Rexhepit.
Ishte një eufori e vërtetë pranë Kennedy Space Center në Florida javën e kaluar, kur misioni Artemis II nisi me sukses udhëtimin drejt Hënës. Ndër ata që festuan këtë moment historik ishte edhe Albon Rexhepi, i cili tha se ky është kulmi i viteve të tëra pune për ekipin e tij.
“Që raketa të niset me sukses… është një përjetim shumë surreal,” u shpreh Redzepi.
Ai dhe ekipi i tij prej 23 personash punojnë nga një zyrë në South County Trail. Sipas Rexhepit, teknologjia e tyre është një nga sistemet kyçe që ndihmon në kthimin e sigurt të astronautëve në Tokë.
“Një sistem ndodhet në kapsulë dhe një tjetër në Tokë; ato janë të lidhura përmes GPS-it, duke mundësuar ndjekjen në kohë reale të vendndodhjes dhe duke siguruar që kapsula, si gjatë nisjes ashtu edhe gjatë kthimit, të ulet aty ku duhet,” shpjegoi ai.
Sipas një njoftimi për shtyp nga kompania, dega e tyre në Rhode Island zhvillon gjithashtu mjete matëse që u mundësojnë inxhinierëve dhe astronautëve të analizojnë me saktësi performancën, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e komponentëve thelbësorë në kushte ekstreme.
“Siç thonë, është vërtet shkencë raketore,” shtoi Redzepi.
Rexhepi, i diplomuar në Westerly High School, tha se kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të arrinte të ishte pjesë e një projekti të tillë.
“Kur isha i vogël, shikoja E.T. the Extra-Terrestrial dhe filma të tjerë për hapësirën, ndaj kjo është jashtëzakonisht emocionuese,” tha ai.
Tani ai shprehet krenar që edhe një copëz e vogël nga Rhode Island është pjesë e një misioni kaq të madh historik.
Ai pret me padurim të vazhdojë punën në programin Artemis dhe fazat e tij të ardhshme, ndërsa NASA synon të nisë ndërtimin e një baze në sipërfaqen e Hënës që nga viti 2028.
“Edhe nga një shtet i vogël dhe një kompani e vogël, mund të bëhesh pjesë e diçkaje shumë të madhe,” përfundoi ai.
Nuk ka munguar edhe përgëzimi nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Ky angazhim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe një shembull pozitiv për studentët dhe të rinjtë, duke dëshmuar se alumnit e UEJL-së janë pjesë e projekteve globale me ndikim të madh – thuhet në komunikatë.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

