Lajme nga vendi
Krerët e bashkësive fetarë në Maqedoni dënojnë tentativën për djegien e sinagogës në Shkup
Tentativa për të djegur objektin e Komunitetit Hebraik dhe sinagogën “Bet Jakov” në Shkup përbën një goditje ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës që prej shekujsh kultivohen në tokën e Maqedonisë dhe mbi të cilat bazohet shoqëria jonë. Çdo cenim i një vendi të shenjtë të tjetrit, pavarësisht cilës bashkësie fetare i përket, nënkupton shkelje të vlerave themelore të respektit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Mosrespektimi i shenjtërisë së tjetrit është edhe mosrespektim i shenjtërisë së vetvetes, thuhet në reagimin e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare dhe të krerëve të pesë bashkësive fetare në vend, i cili u lexua sot në konferencë për shtyp nga drejtoresha e Komisionit, Olivera Trajkovska.
Ajo tha se ata e dënojnë ngjarjen e pakëndshme që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 12 prillit dhe shprehin solidaritet dhe mbështetje për Komunitetin Hebraik.
“Prandaj, në frymën e bashkëpunimit ndërfetar dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të tregojmë përgjegjësi, arsye dhe virtyt dhe të mbetemi ruajtës të bashkëjetesës. Respekti i ndërsjellë është ndër vlerat më të mëdha që kemi, ndaj duhet ta ruajmë dhe ta lëmë si amanet për brezat e ardhshëm”, shtoi Trajkovska.
Në konferencë ishin të pranishëm kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – kryepeshkopi Stefan, peshkopi i Kishës Katolike, Kiro Stojanov, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema Shaqir Fetahu, kryetari i Komunitetit Hebraik Pepo Levi dhe kreu i Kishës Ungjillore-Metodiste, pastori Marjan Dimov.
Kryetari i Komunitetit Hebraik, Pepo Levi, theksoi se reagimi i tyre është njëkohësisht dënim dhe shenjë mbështetjeje për komunitetin hebraik, sepse në Maqedoni bashkësitë fetare kultivojnë bashkëpunim afatgjatë, dialog konstruktiv dhe mbështetje të ndërsjellë në çdo fushë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk ka elemente të reja lidhur me ngjarjen dhe nuk insistojnë të merren për hir të hetimit, por është e rëndësishme që autorët të kapen. Megjithatë, tha ai, më thelbësore është të nxirret mësim nga kjo.
“Ky është një eksces që nuk ka ndodhur që nga viti 1943, kur Hitleri dhe ushtria e tij i dërguan 7.144 hebrenjtë tanë në Treblinkë. Prej andej askush nuk u kthye. Asnjëherë nuk është djegur sinagogë. Gjëra të tilla nuk kanë ndodhur në Maqedoni. Shpresojmë që nuk do të lejojmë që konfliktet dhe ndikimet e jashtme të derdhen në Maqedoninë tonë, ku jetojmë në paqe dhe bashkëjetesë”, tha Levi.
Ai shtoi se nuk e dinë nëse bëhet fjalë për terroristë apo huliganë, por përmendi se grupi ISIS ka pasur thirrje që gjatë Pashkëve të digjen objektet fetare të krishtera dhe hebraike.
Reisi i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, tha se në kuadër të BFI-së dhe mes besimtarëve myslimanë nuk ka asnjë problem lidhur me bashkësitë fetare apo besimtarët.
“Rinia jonë ka respekt të madh për të gjitha bashkësitë fetare dhe besimtarët. Kjo shihet në të gjitha vendet ku jetojmë së bashku pa probleme. Prandaj, me përgjegjësi të plotë them se bashkëjetesa në Maqedoni po zhvillohet mirë dhe nuk ka asnjë problem. Bashkësitë fetare së bashku me Komisionin kujdesen për zhvillimin e bashkëjetesës dhe përpiqemi që toleranca të jetë në nivelin më të lartë” , tha ai.
Ai shtoi se incidente të tilla nuk burojnë nga asnjë fe në Maqedoni dhe se institucionet duhet t’i gjejnë autorët dhe të veprojnë ndaj tyre./TV21/
Lajme nga vendi
Qeveria zgjat gjendjen e krizës: TVSH-ja të mbetet 10 përqind
Kreu i ekzekutivit, Hristijan Mickoski konfirmoi se në seancën e fundit Qeveria ka vendosur për vazhdimin e gjendjes së krizës, për një periudhë të caktuar. Ai shtoi se do të ketë një seancë të re, ku do të vendoset që TVSH-ja e derivateve të mbetet 10 për qind. Mickoski tha se vazhdon ndjekja e çmimeve në bursa, dhe mbi bazë të tyre do të konfirmohet lartësia e akcizës.
“Ajo është formulë dhe ne sipas kësaj formule llogarisim kur të mbyllen bursat dhe si indikator mund të dimë çfarë mund të presim në fillimin e javës së ardhshme, në rastin konkret të hënën kur më së shpeshti janë seancat e KRRE-së…Pres që javën e ardhshme së paku të mbeten të njëjta çmimet e naftës, por është e mundur edhe një ulje shtesë, sipas gjendjes së bursave për momentin”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga ana tjetër, Qeveria po përgatit masa për një grup të caktuar të produkteve që kanë shënuar rritje për rreth 10 për qind, edhe pse analiza e tregut tregon se rritja e përgjithshme është vetëm 0,4 për qind.
“Prej kësaj analize kemi indikatorë të caktuar për disa produkte të caktuara që i kanë rritur çmimet e veta, për disa për qind, ose të jem më preciz me për përqindje me numër dy shifrorë, që nënkupton mbi 10 për qind…. Më së shumti te fruta-perimet, më së shpeshti është vërejtur te domatet, trangujt, te vezët.. 28:27 Për momentin mendojmë se si të vijmë te çmime më të lira për qytetarët, për një grup të caktuar të produkteve ku kemi rritje me numër dyshifrorë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mickoski sqaroi se analiza është bërë në 4 zinxhirë marketesh dhe te 55 produkte, ku është bërë krahasimi i çmimeve më 1 shkurt dhe 1 prill./Alsat.mk.
Lajme nga vendi
Qeveria do të “godasë” shtrenjtimin e vezëve! Po “shtyhet” me OKTA-n edhe për 1 denar zbritje te karburantet
Qeveria paralajmëron masa për uljen e çmimeve të frutave dhe perimeve. Duan të ulen çmimet e domateve, trangujve, vezëve. Kjo vjen pas analizës së Inspektoratit Shtetëror të Tregut në katër zinxhirë marketesh, ku është konstatuar se te ky lloj produktesh ka rritje dyshifrore të çmimeve, përkatësisht mbi 10%.
Ndërkohë, kontrolli i ISHT-së ka përfshirë 55 produkte më të shitura, ku te pjesa më e madhe e tyre, kur janë krahasuar çmimet e 1 shkurtit dhe 1 prillit, kanë treguar rritje mesatare prej rreth 0,4%. Sipas analizës, marzhi mesatar i fitimit të marketeve është ulur nga rreth 15% në 14,7%, që sipas Qeverisë do të thotë se rritja e çmimeve nuk vjen nga rritja e fitimeve të marketeve.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk paralajmëroi masa të targetuara për qytetarët, por është zgjatur gjendja e krizës, me çka TVSH-ja për karburantet mbetet e ulur nga 18% në 10% deri në fund të muajit. Mickoski nuk pret që për shkak të çmimeve të naftës në bursat botërore të ketë goditje më të madhe inflacioni në prill.
“Ne nuk duhet të presim goditje më të madhe, sepse pjesëmarrja me përqindje e asaj pjese për të cilën janë rritur shpenzimet e transportit, nuk na jep të drejtë të mendojmë se do të kemi rritje të madhe inflacioniste për muajin e ardhshëm, sepse hyrja në çmimin final të shpenzimeve të transportit krahasuar me rritjen e marzhës së çmimeve të naftës dhe benzinës nuk është aq e madhe, flasim për 1–2%”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se javën e ardhshme, nëse mbeten çmimet aktuale të naftës në bursat botërore, është e mundur ulje shtesë e çmimeve të karburanteve në Maqedoni. Ai theksoi se deri në fund të prillit, është në fuqi vendimi i OKTA-s për të dhënë zbritje prej 3 denarësh për naftën dhe 2 denarësh për benzinën.
“Po negociojmë për karburantin dizel, sepse ai është 75% e portofolit total të konsumit, që të ketë të paktën edhe një zbritje shtesë, do të shohim, mendoj se po “shtyhemi” për edhe një denar për litër”, u shpreh theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Rezervat shtetërore deri tani nuk janë përdorur fare dhe janë të mjaftueshme për 62 ditë të konsumit mesatar ditor. Për më tepër ka rezerva edhe për dy muaj në përçuesin Selanik–Shkup. Nga Qeveria thonë se situata po ndiqet me kujdes dhe se do të merren masa nëse ka presione të reja çmimesh mbi ushqimin dhe energjinë.
Lajme nga vendi
Posta e Maqedonisë bëhet me 100 automjete të reja
Posta e Maqedonisë ka marrë 100 automjete të reja si pjesë e një procesi modernizimi që synon përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në shpërndarjen e dërgesave, si dhe forcimin e kapaciteteve të kompanisë shtetërore.
Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se bëhet fjalë për 90 furgonë të vegjël dhe 10 automjete më të mëdha, të cilat do të shpërndahen në të gjithë vendin. Sipas tij, qëllimi është përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja e cilësisë së shërbimit postar.
“Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, po blen 100 automjete të reja për nevojat e Postës së Maqedonisë. Ky nuk është një vendim i rastësishëm, por një përgjigje ndaj një nevoje reale. Mosha mesatare e automjeteve që ka përdorur deri tani Posta e Maqedonisë është rreth 15 vjet, çka nënkupton pajisje të vjetruara, defekte të shpeshta, kosto më të larta dhe efikasitet të ulët. Kjo ka sjellë vonesa në dërgesa, pakënaqësi te qytetarët dhe ulje të besimit në sistem. Ne kemi vendosur t’i japim fund kësaj gjendjeje”, deklaroi Mickoski.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

