Lajme nga vendi
SPB : Kronika e zezë për ditën e djeshme 07 Maj Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 14:45 në rrugën “Iliria” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 30-vjeçar nga Shkupi, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga ish-partnerja e tij 33-vjeçare se ai e ka ndjekur për një kohë të gjatë, ndërsa rreth orës 08:00 në vendin e saj të punës i ka drejtuar kërcënime asaj dhe familjes së saj. Personi është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje, në ora 13:00, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga Gostivari. Ai dyshohet se rreth orës 01:00 në shtëpinë familjare, pas një debati paraprak, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 30-vjeçare. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në ora 16:30, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore e Gostivarit, është denoncuar se në një shtëpi në rrugën “Nikolla Tesla” në Gostivar është gjetur i vdekur një 77-vjeçar nga Shkupi, i cili jetonte vetëm. Mjeku ka konstatuar vdekjen. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga ekipi i DPB Gostivar, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dorëzuar në Mjekësinë Ligjore për obduksion.
……Dje, në ora 17:30 në lagjen Fazaneria në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 34-vjeçar nga Gostivari. Gjatë kontrollit, tek ai janë gjetur dhe konfiskuar marihuanë dhe një peshore digjitale. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, rreth orës 17:05, në SPB Tetovë, një 47-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se në oborrin e një shkolle fillore në Tetovë ku ai mëson, djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga dy bashkënxënës të tij. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje, në ora 22:50 në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Tearcës kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Odri i Tetovës. Gjatë kontrollit në trafik, është ndaluar një motoçikletë e drejtuar nga ai dhe pas kontrolleve të bëra, është konstatuar se ai e drejtonte motoçikletën pa pasur patentë shoferi. Motoçikleta është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në ora 20:50 në rrugën “Jovan Onçeski” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 44-vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga babai i tij 68-vjeçar se në shtëpinë familjare është sjellë në mënyrë agresive ndaj tij dhe bashkëshortes së tij. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 1,26 promilë alkool në gjak. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, rreth orës 20:00, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 28-vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga bashkëshortja e tij 25-vjeçare, me të cilën janë në procedurë divorci, se ai i ka sulmuar fizikisht atë dhe prindërit e saj. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

