Lajme nga vendi
AKI PROPOZON 67 EMRA TË RINJ PËR RRUGËT E TETOVËS, KËSHILLI E PRANON
Këshilltarët e AKI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare për emërtimin e 67 rrugëve të qytetit. Sipas koordinatorit të këtij grupi, propozimet janë hartuar duke respektuar plotësisht përkatësitë etnike dhe realitetin historik të Tetovës.
BERAT MURATI –“Sot, si grup i këshilltarëve të AKI-së, në cilësinë e koordinatorit dorëzova një kërkesë për plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës pranë kryetarit të Këshillit Komunal. Kërkuam që si pikë e parë të vendoset propozim-vendimi për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në territorin e Komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për një propozim konkret për 67 rrugë dhe sheshin e Tetovës. Ky propozim është hartuar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke pasqyruar realitetin historik, si dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike dhe trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë.”
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Komunal në Tetovë, Jusuf Abduli, konfirmoi pranimin e kësaj kërkese. Ai bëri të ditur se kjo pikë do të futet në rend dite për debat gjatë seancës së të hënës, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga votat e shumicës së këshilltarëve.
JUSUF ABDULI – “Ditën e hënë, Këshilli Komunal do të mbajë seancën e tij të 15-të, ku do të shqyrtohen shumë pika të rëndësishme për qytetin e Tetovës. Ne aktualisht jemi në bisedime dhe konsultime e sipër. Të njëjtën kërkesë do ta shqyrtojmë në atë seancë së bashku me këshilltarët e pozitës. Do të zhvillohet debat dhe më pas do të merret vendim, ashtu siç parashihet me rregullore, përmes votimit të shumicës.”
Debati për emrat e rrugëve në Tetovë u riaktualizua pasi Gjykata Kushtetuese, para një muaji, shfuqizoi një vendim të vitit 2007 për ndryshimin e toponimeve. Me këtë vendim të Kushtetueses, 14 rrugë në Tetovë do të duhet të kthejnë emrat e tyre të vjetër, përfshirë edhe Sheshin “Iliria”, i cili juridikisht kthehet në emërtimin e mëparshëm “Marshall Tito”./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

