Lajme nga vendi
Nis gjykimi në Kumanovë: 25-vjeçari akuzohet për pesë vr’asje dhe dy tentativa, ja pse i ka kryer krimet
Në Gjykatën Themelore në Kumanovë ka nisur procesi gjyqësor ndaj 25-vjeçarit Trajko Bojkovski nga Staro Nagoriçani, i akuzuar për një seri veprash të rënda penale, duke përfshirë pesë vrasje dhe dy tentativa për vrasje.
I akuzuari u shoqërua në sallën e gjyqit nga punonjësit e policisë me pranga në duar. Ndërsa mediat po xhironin mbërritjen e tij, Bojkovski lëkundej në karrige dhe shikonte drejt tavanit, pa reaguar ndaj pranisë së publikut.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka ngritur më parë aktakuzë ndaj tij, duke e ngarkuar për një vepër penale të vrasjes dhe disa vepra penale të të njëjtit formë të kualifikuar, si dhe për dy tentativa për vrasje. Sipas aktakuzës, duke qenë se ai ka privuar nga jeta me paramendim disa persona, rrezikon një dënim me burg prej të paktën dhjetë vjetësh ose me burgim të përjetshëm.
Prokuroria bën me dije se, sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, ai i ka kryer veprat nga motive të tjera të ulëta, përkatësisht me qëllim të kënaqjes së pasioneve të tij seksuale mbi trupat e pajetë të grave.
Sipas aktakuzës, vrasja e parë është kryer natën mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025 në fshatin Kleçovcë, ku i akuzuari ka privuar nga jeta një grua të moshuar dhe të pafuqishme në shtëpinë e saj. Në periudhën mes 5 dhe 7 qershorit të vitit 2025, në fshatin Dragomancë, në mënyrë të ngjashme ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër.
Prokuroria e ngarkon atë edhe për faktin se më 22 korrik të vitit 2025, në fshatin Çellopek, ka tentuar të vrasë një grua, por është arratisur pasi ajo ka filluar të thërrasë djalin e saj.
Në aktakuzë thuhet se mes datave 17 dhe 18 janar të vitit 2026, në Nagoriçan të Vjetër, ai ka vrarë një grua tjetër, ndërsa mes datave 5 dhe 6 shkurt të vitit 2026, në Çellopek, ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër të moshuar dhe të pafuqishme.
Rasti i fundit, sipas Prokurorisë, daton më 9 shkurt të vitit 2026, kur në Çellopek ka tentuar sërish të privojë nga jeta një grua, por ka hequr dorë dhe është arratisur pasi ka dëgjuar një zhurmë.
Lajme nga vendi
GASHI: PRES SQARIM TË PLOTË DHE TRANSPARENT NGA AUTORITETET SHQIPTARE!
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e deputetëve të Kuvendit të RMV-së në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Gashi kërkon sqarim të plotë dhe transparent nga autoritetet shqiptare, duke theksuar se deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe se çdo trajtim ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me dinjitetin dhe funksionin që ushtrojnë.
“Si Kryetar i Kuvendit, shpreh shqetësimin për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës. Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit” – thuhet në reagimin e Kryeparlamentarit Afrim Gashi.
Ai shtoi se pret që rasti të sqarohet, në funksion të ruajtjes së besimit reciprok dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vllazërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent” – thotë Gashi.
Jo vetëm reagimin e Kuvendit, ndalesa e deputetëve shqiptarë në Kufirin me Shqipërinë ka provokuar edhe reagimin e deputetëve opozitarë në Shqipëri të cilët e kanë vlerësuar si të ulët dhe të panevojshëm gjestin e shtetit shqiptar.
Lajme nga vendi
VLEN: DO TA NDJEKIM NGA AFËR REALIZIMIN E AUTOSTRADËS SHKUP – BLLACË!
Autostrada Shkup–Bllacë është një nga ato projekte për të cilat qytetarët kanë dëgjuar shumë. Është premtuar në gjashtë palë zgjedhje, por ajo që panë për 16 vite ishte fjalë dhe vetëm fjalë, thanë gjatë një press-konference nga VLEN. Sipas tyre, me VLEN-in në institucione, autostrada Shkup–Bllacë ka kaluar nga premtimi në realizim. Gjatë press-konferencës, në pika të shkurtra, u sqarua çfarë është bërë që ky projekt më në fund të jetësohet.
Segmenti i dytë i kësaj autostrade, me gjatësi rreth 10.5 kilometra, është një investim prej rreth 200 milionë eurosh. Financimi është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me mbështetje të Bashkimit Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Ky nuk është një projekt i zakonshëm rrugor. Trasa kalon në terren të vështirë malor dhe kërkon zgjidhje serioze inxhinierike. Në këtë segment parashihen pesë tunele të dyfishta, me gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura, galeri mbrojtëse dhe objekte të tjera mbështetëse, që do ta bëjnë këtë aks më të sigurt, të shpejtë dhe sigurisht më funksional.
Të nderuar,
Propaganda e mbajti autostradën Shkup–Bllacë zvarrë që nga viti 2008, por puna jonë e solli deri te financimi, kontrata dhe fillimi i realizimit.
Ashtu siç kemi thënë, për ne patriotizmi matet me punë, me projekte, me rrugë që ndërtohen dhe me qytetarë që fitojnë kushte më të mira për jetë.
Ne do ta ndjekim nga afër realizimin e këtij projekti, me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë, që punimet të zhvillohen sipas standardeve më të larta dhe brenda afateve të parapara.
E dimë se qytetarët janë lodhur duke dëgjuar për këtë autostradë. Tani është koha ta shohin duke u ndërtuar, u tha në press-konferencën e VLEN-it.
Lajme nga vendi
RRUGA E BUTIQEVE NË TETOVË PRET ARDHJEN E MËRGIMTARËVE
Rruga e butiqeve, dikur një nga pjesët më të frekuentuara të qytetit gjatë muajve të verës, sot, duket ndryshe. Pronarët e bizneseve thonë se kriza ekonomike ka ndikuar dhe dukshëm ka rënë numri i klientëve. Megjithatë, kanë një shpresë se me ardhjen e mërgimtarëve, do të rritet puna. Madje në shenjë mirënjohje për mërgimtarët, ata kishin vendosur edhe në mbishkrim mirëseardhje.Shitësit në këtë zonë thonë se puna ka rënë nga viti në vit.
Por ka edhe biznese që thonë se puna e tyre nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me sezonin e verës dhe dasmat por se puna e tyre është konstante. Megjithatë, ata thonë se fluksi i njërëzve është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
Në këtë rrugë mund të shihje shumë letra se lokalet jepen me qera dhe gjithashtu letra të ngjitura ku kërkoheshin punëtorë. Por si duket Tetova ka krizë për të dy këto sende kyqe, biznese të sukseshme dhe punëtorë./Tv Koha/

