Lajme nga vendi
Maqedonia në alarm nga mushkonjat
Në disa komuna të Shkupit është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa për mbrojtje nga mushkonjat.
Sipas të dhënave deri më 11 gusht 2026, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 26 raste të etheve të Nilit Perëndimor, 25 prej tyre në Shkup. Një pacient ka ndërruar jetë.
Për të ulur rrezikun e infektimit, ekspertët rekomandojnë:
Të mos lini ujë të ndenjur në oborr apo pranë shtëpisë.
Të pastroni rregullisht ulluqet dhe enët ku mund të mblidhet ujë.
Të vendosni rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer.
Të përdorni repelentë kundër mushkonjave.
Të vishni rroba të gjata dhe me ngjyra të çelëta.
Të shmangni qëndrimin jashtë në agim dhe muzg, kur mushkonjat janë më aktive.
Të mirëmbani pishinat, fontanat dhe hapësirat e tjera me ujë.
Të përdorni masa mbrojtëse gjatë punëve në oborr dhe kopsht.
Të ndërroni rregullisht ujin në enët e shpendëve dhe kafshëve.
Nëse shfaqen temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh, qafë të ngrirë ose çrregullime të vetëdijes, të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk kanë simptoma, por në raste të rralla sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze neurologjike.
Autoritetet po zbatojnë mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike dhe masa për kontrollin e mushkonjave në zonat me rrezik.
Parandalimi mbetet mbrojtja më e mirë: eliminoni ujin e ndenjur, përdorni repelentë dhe shmangni pickimet e mushkonjave. (INA)
Lajme nga vendi
Taravari: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Lirim Hajredinit
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Lirim Hajredinit, drejtor operativ i televizionit Alsat-M dhe një emër i njohur i medias shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Humbja e tij është e rëndë para së gjithash për familjen dhe të afërmit, por edhe për kolegët dhe gjithë komunitetin mediatik, ku për shumë vite dha kontributin e tij profesional.
Aleanca për Shqiptarët i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hajredini, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij në televizionin Alsat.
Në këto momente të dhimbshme, jemi pranë familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Lirimin.
Lajme nga vendi
Angellov: Dje ishte dita më e vështirë e këtij sezoni me zjarret
Dje ishte dita më e vështirë e këtij sezoni zjarresh për sa i përket kërcënimit për zonat e populluara, pasi patëm dy zjarre alarmante, tha Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).
Situata ishte veçanërisht e vështirë në fshatin Bogomillë në komunën e Çashkës, ku zjarri arriti në shtëpitë e para. Reagimi i shpejtë i popullsisë lokale, së bashku me ndërhyrjen e zjarrfikësve të Velesit, parandaloi që zjarri të shkaktonte një katastrofë më të madhe.
Më kritikja ishte në Rajonin e Pelagonisë, ku zjarret kërcënuan fshatrat Ivanovci, Lozneni dhe Novo Selane. Angellov personalisht mbërriti në Lozneni, ku, siç e përshkroi ai, vija e zjarrit ishte vetëm pesëdhjetë metra larg shtëpive dhe lëvizte nëpër bar të thatë mbi gjysmë metri të lartë.
“Deri në orën 7:30 e mëngjesit të sotëm, në vend janë regjistruar gjithsej 40 zjarre, nga të cilat gjashtë janë aktive, tre janë nën kontroll dhe 31 janë shuar”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësra
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësra.
Në orët e pasdites pritet të ketë reshje të shiut dhe erë të fortë.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13 deri 19 gradë, ndëra temperaturat maksimale do të lëvizin nga 28 deri 33 gradë celsius.
Edhe për nesër moti pritet të jetë i paqëndrueshëm dhe me reshje lokale të shiut.

