Lajme nga vendi
VITI I RI SHKOLLOR : Sh.F “REXHEP VOKA” NË SHIPKOVICË KALON NË MËSIM ME NJË NDËRRIM
“Mirësevini nxënës të dashur” ishte mbishkrimi që pritte nxënësit e rinj por edhe mysafirët në Shkollën Fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë.
Oborri i kësaj shkolle kishte marrë pamje festive, kurse fjalimet dhe koloriti i nxënësve gjatë interpretimit të “valles së shqipeve” poashtu kishin karakter festiv në Malësi të Tetovës, ku mbase edhe vapa e madhe reduktoi programin artistik të përgatitur nga nxënësit.
Vizitën në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e nisi nga Shkolla Fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë dhe Brodec.
Me fillimin e këtij viti të ri shkollor, nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin me një ndërrim, duke krijuar kushte më të mira për procesin mësimor.
“Kemi kënaqësinë sot që nga Shipkovica nga Sh.F “Rexhep Voka” të nisim këtë rrugëtim dhe këtë vit shkollor, me një lajm të mirë për nxënësit e kësaj shkolle, ku kjo shkollë me dy objektet shkollore këtu në Shipkovicë dhe në Brodec, mga ky vit do të ketë mësim me një ndërrim dhe kjo do t`i bashkangjitet shkollës “Besa” në Reçicë të Vogël, ku veçmë kemi organizim të mësimit me një ndërrim. Poashtu, për këtë vit shkollor, i kemi bërë përgatitjet për mësim gjithëditor në 8 shkolla tjera të Komunës tonë. Kjo tregon përkushtimin tonë që në shkollat e Tetovës krijojmë kushte më të mira për mësimnxënie dhe sigurisht fëmijtë tanë të dalim më të mirë në gjithë shtetin dhe të tregojnë rezultate edhe në suaza ndërkombëtare.
Në Sh.F “Rexhep Voka” për vitin shkollor janë regjistruar 15 filloristë, kurse numri i përgjithshëm i nxënësve në Shipkovicë dhe Brodec shkon në 180. Drejtuesit pranojnë tendencën e rënies së numrit por shpresojnë se me risitë arsimore do të rritet cilësia në arsim.
“Ky viti shkollor ka një risi. Risia është që këtë vit kalojmë me një ndërrim, të dy ciklet kalojnë në ndërrimin e parë. Kjo është një mundësi shumë e miër për nxënësit, të punësuarit dhe stafin e shkollës për të përgatitur nxënësit e të ardhmes. Për ta realizuar këtë falënderoj Komunë e Tetovës që na ka përkrahur vazhdimisht dhe ka bërë të mundur financimin e projektit
Kryetari i Komunës së Tetovës, i bëri një rekapitullim nisjes së vitit shkollor në të gjitha shkollat e Komunës së Tetovës. Ai pret që pas javës së parë të vitit të ri shkollor shifrat e nxënësve të jenë sikurse në vitet paraprake.
Në këtë vit, në Shkollat Fillore të Tetovës, deri tani janë regjistruar 865 nxënës kurse në shkollat e mesme 1.280 në vitin e parë. Duke marrë parasysh faktin se dhe këtë javë do të ketë regjistrime të nxënësve, nuk mund të japim vlerësim të saktë, nëse do të ketë rënie të numrit të nxënësve në krahasim me vitin paraprak, duke ditur traditën e viteve paraprake ku regjisrimet bëhen edhe në javën e parë të vitit shkollor, ne besojmë se do të arrihet shifra prej 900 mxënësve të regjistruar në klasë të parë.
Nga Komuna e Tetovës thanë se në këtë shkollë, por edhe në shkolla tjera janë realizuar investime të rëndësishme në përmirësimin e kushteve dhe hapësirave shkollore, me qëllim që nxënësit dhe mësimdhënësit të kenë një ambient më të përshtatshëm për punë dhe mësim.
Ky është vetëm një hap në përpjekjet tona për të përmirësuar vazhdimisht kushtet në shkollat e Komunës së Tetovës! – thonë nga Komuna e Tetovës, duke iu dëshiruar suksese të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve në vitin e ri shkollor!/Tv Koha/
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

