Sport
LIGA EPARË: SHKËNDIJA (H) – BREGALLNICA HAPIN SIPARIN E XHIROS SË 15-të
Të premten dhe të shtunën do të zhvillohen ndeshjet e javës së 15-të sezonit vjeshtor në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Java e 15-të hapet të Premten, në stadiumin e Çairit me fillim në ora 12:00, mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bregallnicës së Shtipit.
Dy ekipet në xhiron e 14-të pësuan humbje si vendas nga Bashkimi gjegjësisht Struga Trim Lum.
Në Kumanovë, Bashkimi që aktualisht dëshmon formën e mirë, sidomos pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, nesër me fillim në ora 13:00 është nikoqire e Skopjes ku pritet të arkëtojë tre pikët e radhës.
Tre ndeshjet tjera do të zhvillohen të shtunën me fillim në ora 12:00, ku përballen; Arsimi – Vardari dhe Sileksi – Struga Trim Lum, ndërsa nga ora 13:00, zhvillohet ndeshja derbi Tikveshi – Shkëndija e Tetovës.
Sport
KUPA E RMV-së: KF ARSIMI KUALIFIKOHET NË 1/4 E FINALES
KF Arsimi është skuadra e fundit që siguron kualifikimin në mesin e 8 ekipeve më të mira të Kupës së Maqedonisë, pasi mposhti me përmbysje AP Brera Strumica me rezultat 3:1.
Brera e mbylli pjesën e parë në epërsi, por Arsimi reagoi në pjesën e dytë, duke shënuar tri gola dhe siguruar kalimin në fazën tjetër.
Ndeshja u zhvillua në termin shtesë për shkak të angazhimeve të Brerës në Ligën e Kampionëve për të rinj.
Më herët, kualifikimin në 1/4 e finales e kishin siguruar Shkupi, Struga, Vardari, Sileksi, Rabotniçki, Makedonija Gjorçe Petrov dhe Shkëndija e Haraçinës.
Ndeshjet e 1/4 së finales së Kupës së Maqedonisë do të zhvillohen në pranverë.
Sport
LIGA E KAMPIONËVE: E MËRKURA ME REZULTATE SURPRIZË!
Tetë ndeshjet e fundit të raundit të pestë në Ligën e Kampioneve kanë prodhuar rezultate surprizë.
Protagonist i mbrëmjes ishte edhe Vedat Muriqi, i cili i dhuroi Fenerbahces fitoren minimale 1-0 ndaj Shakhtar Donetsk.
Sulmuesi arriti ta dërgonte topin dy herë në rrjetë gjatë takimit, por njëri prej golave të tij u anulua.
Befasia më e madhe u regjistrua në Francë, ku Bayern Munich u mposht 2-1 me përmbysje nga Lille.
Një tjetër ndalesë erdhi në Paris, ku Roma i dha fund ecurisë perfekte të PSG-së duke marrë një barazim 2-2 falë golave të Hermosos dhe Malen me penallti, ndërsa për vendasit realizuan Zabarnyi dhe Dembele nga pika e bardhë.
Interi nuk zhgënjeu në shtëpi dhe triumfoi 2-0 ndaj Stuttgartit me golat e Sucic me penallti dhe Lautaro Martinez.
Fitore të pastra siguruan edhe Liverpooli, që mposhti 0-3 Club Brugge, si dhe Atletico Madrid, që kaloi me shifrat 2-0 skuadrën e Viking.
Në duelin tjetër plot ngjarje, Manchester United u ndal në një barazim spektakolar 2-2 përballë Sporting Lisbonës.
Barcelona triumfoi me rezultatin e thellë 4-1 ndaj Sabah në Azerbajxhan.
Lajme nga vendi
FFM-ja NDAN RRUGËT ME GOCE SEDLOSKIN!
Goce Sedloski (52) nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll. Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me ish-kapitenin e përfaqësueses për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme.
Goce Sedloski nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut!
Nga Federata bëjnë të ditur se ndarja është në interes të të dyja palëve, ndërsa në njoftimin e tyre pranojnë në mënyrë indirekte edhe rezultatet e dobëta të arritura gjatë periudhës së fundit.
“Ndonjëherë në futboll, pavarësisht përvojës, përkushtimit dhe qëllimeve të mira, gjërat thjesht nuk shkojnë ashtu siç dëshirojmë të gjithë”, thuhet në njoftimin e FFM-së.
Sedloski largohet nga posti i përzgjedhësit pas 11 muajsh. Në dhjetë ndeshje të zhvilluara, kombëtarja ka pësuar tetë humbje dhe ka regjistruar dy barazime, me një golaverazh katastrofal prej 1:23.
Veçanërisht zhgënjyese ishte paraqitja e Maqedonisë në Ligën e Kombeve, ku humbi të gjashtë ndeshjet në grupin me Zvicrën, Skocinë dhe Slloveninë.
Pas serisë së rezultateve të dobëta, FFM-ja tashmë duhet të zgjedhë përzgjedhësin e ri, i cili do ta marrë drejtimin e përfaqësueses para ndeshjeve të rëndësishme që e presin në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Në atë periudhë, Maqedonia do të përballet me Qipron në ndeshjet e balotazhit për mbijetesë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

