Lajme nga vendi
Shteti i paguan 350.000 euro në vit Bankës evropiane pasi Arsovska nuk e ndërton metronë e autobusëve
Nga buxheti i shtetit, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i paguhen 350 mijë euro në vit interes, sepse kryetarja Danela Arsovska nuk i përdor paratë nga kredia prej 70 milionë euro për futjen e Buss transit sistem (BRT), gjegjësisht nuk e ndërton metronë e autobusëve në Shkup, raporton Sdk, transmeton Portalb.mk.
Paratë mbeten të paprekura, përkatsisht nuk shfrytëzohen dhe për këtë arsye shteti paguan interes, sepse Arsovska që nga ardhja në detyrë në nëntorin e kaluar tha se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve. Ajo tha se ishte projekt i paraardhësit të saj Petre Shilegov dhe qytetarët e kanë zgjedhur atë dhe projektin e saj për 250 autobusë ekologjikë. Paratë nuk mund të ripërdoren dhe të përdoren për projekt tjetër, sepse në marrëveshjen me BERZH-it thuhet se është miratuar pikërisht sepse BRT vlerësohet shumë nga ekspertët evropianë si një projekt i gjelbër që do të mundësojë transport miqësor ndaj mjedisit dhe më të shpejtë në qytet.
Ministria e Financave disa herë ka kërkuar përgjigje nga Arsovska se çfarë planifikon të bëjë me këtë projekt, por ajo nuk i përfill dhe nuk u përgjigjet pyetjeve dhe thirrjeve të tyre.
“Zbatimi i projektit për futjen e transportit BRT është në kompetencë të Qytetit të Shkupit, nga ku Ministria e Financave edhe pse në disa raste ka dërguar kërkesë me shkrim, nuk ka marrë komente për statusin dhe planet për realizimin të projektit. Kushtet për përdorimin e fondeve përcaktohen me Marrëveshjen e huasë. Duke qenë se nuk ka filluar zbatimi i projektit, sipas marrëveshjes, fondet nuk janë tërhequr dhe janë në llogari të BERZH-it. Sipas kushteve të fondeve të patërhequra paguhet interes prej 0.5% në vit”, thanë nga Ministria e Financave.
Kredia prej 70 milionë eurosh është miratuar nga BERZH-i vitin e kaluar në prill dhe është menduar për futjen e dy linjave nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe dhe nga Kisella Voda në Butel. Kredia është marrë nga shteti dhe është nënshkruar nga ministri i Financave Fatmir Besimi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, ish-kryetari Petre Shilegov dhe përfaqësuesi i BERZH-it në vend Andi Aranitasi. Në tetor në faqen e BERZH-it u publikua tenderi ndërkombëtar për futjen e BRT-së në Shkup, për të cilin Arsovska e ndërpreu procedurën pas marrjes së detyrës.
“Projekti do të mbështesë përpjekjet e qytetit në trajtimin e sfidave të transportit publik në mënyrë më efikase dhe më të strukturuar, përmes përgatitjes dhe zbatimit të një plani të qëndrueshëm të lëvizshmërisë urbane. Ballafaqimi me ndotjen në Shkup është prioritet dhe mirëpresim përkushtimin e autoriteteve për veprim të vendosur dhe të shpejtë, ku BERZH është i gatshëm për mbështetje të plotë, gjë që e tregon edhe nënshkrimi i sotëm i këtij projekti”, tha përfaqësuesi i BERZH-it në vend Andi Aranitasi gjatë nënshkrimit të huasë.
Kryetarja Arsovska në muajt e fundit nuk tregon nëse zyrtarisht e ka njoftuar BERZH-in dhe Qeverinë se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve. Ajo vazhdimisht refuzon t’u përgjigjet pyetjeve gazetareske për këtë temë, ashtu siç refuzon t’i përgjigjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
Në korrik të këtij viti ajo tha se janë duke u zhvilluar negociata dhe kur të përfundojnë do ta informojë opinionin. E pyetur se pse po i zhvillon negociatat kur tha se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve dhe nëse kjo do të thotë se po tërhiqet nga deklarata fillestare, Arsovska nuk dha përgjigje konkrete por tha se po punon në interes të qytetarëve me qëllim që të kenë edhe transport publik cilësor.
Projektin e metrosë së autobusëve Qyteti e kanë bërë me ekspertë të huaj, për dy linjat, nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe dhe nga Buteli në Kisela Vodë, linja perëndim-lindje është e gjatë 12.8 km në një drejtim, me 21 stacione. dhe veri- jug është 10.4 km e gjatë dhe ka 20 stacione autobusi. Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përafërt i pasagjerëve që do të përdorin itinerarin e parë do të ishte rreth 65,000 në ditë. Me zbatimin e fazës së parë, pritej që koha e udhëtimit nga 70 minutat e tanishme të zvogëlohet për më shumë se 50 për qind, frekuenca e autobusëve të rritet në 3-4 minuta dhe nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe të arrihet për 35 minuta.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.


You must be logged in to post a comment Login