Lajme nga vendi
Të miturit në Maqedoni, gjithnjë e më shumë shpenzojnë kohën në internet
Tridhjetë e nëntë për qind e të anketuarve të përfshirë në një anketë të kryer nga Agjencia për Komunikime Elektronike thanë se të miturit në familjet e tyre shpenzojnë mesatarisht më shumë se pesë orë të lidhur në internet.
“Përafërsisht gjysma e të anketuarve ose 46.3 për qind e dinë se ekziston një program i kontrollit prindëror që do të sigurojë internet të sigurt për personat nën 18 vjeç. Prej tyre, vetëm 10.2 për qind e kanë instaluar tashmë një softuer të tillë, ndërsa nga ata të anketuar që nuk e kanë instaluar një softuer të tillë dhe e dinë se ekziston, rreth 61 për qind do ta instalonin atë. Rreth 10 për qind e të anketuarve që kanë qëndrim pozitiv ndaj instalimit të softuerit të kontrollit prindëror dhe e dinë se ku mund ta gjejnë atë”, thuhet në raportin e anketimit të opinionit publik nga aspekti i mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve elektronike.
Në katër vitet e fundit, thuhet në analizë, është vërejtur një trend në rritje në numrin e familjeve ku aksesi në internet përdoret edhe nga të miturit.
Në vitin 2022, rreth 43.2 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se të miturit përdorin internetin në familjet e tyre dhe 85.6 për qind e tyre të mitur përdorin internetin çdo ditë.
Sipas anketës, numri i përdoruesve të shërbimit të internetit në familje është rritur nga 79 për qind në 89 për qind në pesë vitet e fundit.
Nga të anketuarit që kanë akses në internet në familjet e tyre, vetëm 29.5 për qind e dinë shpejtësinë e lidhjes në internet që duhet të ofrohet nga operatori, dhe 76.8 për qind e tyre besojnë se marrin shpejtësinë dhe sasinë e pritur të të dhënave nga ofruesi i internetit.
Siç thuhet në gjetjet, në katër vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të të anketuarve që janë përballur me një lloj problemi gjatë përdorimit të internetit në shtëpi, pra në vitin 2022 vetëm 29 për qind e të anketuarve nuk kanë pasur problem me lidhjen e tyre të internetit në shtëpi.
Problemet më të shpeshta me internetin janë shpejtësia e paqëndrueshme e lidhjes (34.2 përqind), ndërprerjet/mosdisponueshmëria e shërbimit (30.6 përqind) dhe problemet me pajisjet teknike.
Për shkak të ndërprerjeve apo mosdisponueshmërisë së shërbimit në 12 muajt e fundit, 38.4 për qind e familjeve kanë kontaktuar ofruesin e internetit dhe për 55.7 për qind e tyre problemi që kanë raportuar është zgjidhur në të njëjtën ditë.
Anketa është kryer me pjesëmarrjen e 1100 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart, mes përdoruesve të cilitdo prej shërbimeve të komunikimit elektronik: telefonisë fikse, telefonisë celulare, internetit dhe televizionit.
Mostra është përfaqësuese sipas veçorive të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe vendbanimit, në raport me të dhënat zyrtare statistikore në momentin e kryerjes së hulumtimit, të disponueshme në Entin Shtetëror të Statistikave – të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021.
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.
Lajme nga vendi
Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori


You must be logged in to post a comment Login