Lajme nga vendi
Prej sot deri të premten pritet të kemi mot të paqëndrueshëm
Moti sot në mëngjes do të jetë me diell dhe me vranësira. Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes në shumë vende pritet mot i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë. Proceset lokale do të jenë në formë stuhie me reshje të dendura shiu, erëra të forta, shkarkime elektrike dhe breshër.
Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri në 20, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 25 deri në 34 gradë. UV=7.
Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe vranësira mesatare. Pasdite dhe mbrëmje në pjesë të luginës do të ketë mot të paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Temperatura minimale do të zbresë deri në 19, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 29 gradë.
Deri të dielën do të mbajë mot pjesërisht i vranët, në shumë vende jostabile me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Proceset lokale do të jenë në formë stuhie me reshje të dendura shiu, erëra të forta, shkarkime elektrike dhe breshër. Temperaturat gradualisht do të bien nën mesataren për këtë periudhë të vitit.
Lajme nga vendi
MBJELLJET E GRURIT NË POLLOG NË RREZIK – BUJQIT PËRBALLEN ME KOSTO TË LARTA!
Edhe pse kushtet atmosferike janë të favorshme për mbjelljet vjeshtore, bujqit në rajonin e Pollogut po përballen me pasiguri ekonomike. Çmimet e ulëta të grurit, shpenzimet e larta të prodhimit dhe vështirësitë në shitjen e prodhimit të sivjetshëm po i dekurajojnë fermerët. Agronomët paralajmërojnë se pa masa konkrete mbështetëse, vendi rrezikon të bëhet gjithnjë e më i varur nga importi i grurit.
Vala e fundit e reshjeve ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e mungesës së mëparshme të ujit dhe ka siguruar lagështi optimale dhe produktive në shtresën sipërfaqësore të tokës.
Kjo ka krijuar kushte të favorshme agroekologjike për përfundimin e mbjelljeve vjeshtore dhe për fillimin e zhvillimit vegjetativ të kulturave drithërore.
Agronomi, Alirami Saliu, për Tv Koha, thotë se për mbjelljet vjeshtore ekziston një kalendar i përcaktuar, i cili për kushtet klimatike të rajonit të Pollogut parasheh periudhën nga mesi deri në fund të muajit tetor.
Mbjelljet vjeshtore po hyjnë në fazën përfundimtare. Kushtet atmosferike dhe lagështia në tokë janë të favorshme, por mbetet e paqartë se sa sipërfaqe do të mbillen këtë vit me grurë. Çmimet e ulëta të blerjes, shpenzimet e rritura të prodhimit dhe mungesa e leverdisë ekonomike po i detyrojnë bujqit të heqin dorë nga kultivimi i një pjese të sipërfaqeve bujqësore.
Interesimi i ulët për blerjen e grurit dhe çmimi i ulët i prodhimit të sivjetshëm kanë bërë që një pjesë e fermerëve të mbeten me sasi të pashitura në depot e tyre. Ndërkohë, çmimet e naftës, plehrave artificiale dhe materialeve të tjera të nevojshme për prodhim vazhdojnë të rriten.
Bujqit paralajmërojnë se, nëse shteti dhe Ministria e Bujqësisë nuk ndërmarrin masa konkrete, Maqedonia gjithnjë e më shumë do të bëhet e varur nga importi i grurit.
Kohë më parë nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë shpërndarjen e kartelave të naftës së gjelbër për bujqit.
Siç njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë, për Tetovën janë ndarë gjithsej 1.577 kartela, në vlerë prej 11.953.292 denarësh, mbështetje e drejtpërdrejtë për uljen e kostove të prodhimit bujqësor.
/Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: JO VETËM “ALTA BANKA”, EDHE INSULINA NË DUAR TË BOTËS SËRBE!
“Alta Banka” nuk është rasti i vetëm që një kompani serbe po investon në vendin tonë duke tentuar ta shtri ndikimin në vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Arta Bilalli nga kjo parti tha se blerja e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me biznesmenin Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart, është një rast tjetër që dëshmon tezën e opozitarëve.
ARTA BILALLI ZENDELI – BDI
“Më 3 prill 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, me vendimin nr. 08-55, miratoi blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart. Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit. Prandaj, sot pyesim publikisht: Kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë? Pse Komisioni e miratoi këtë përqendrim dhe a ka pasur ndikim politik në këtë vendim?
Megjithatë, sapo përfundoi konferenca, rasti i përmendur nga Arta Bilalli u lidh me Qeverisjen e Arben Taravarit dhe kohën kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
TV Koha kontatoi Taravarin, në një përgjigje me shkrim ai tha se kompania për të cilën flet BDI-ja është kompani private dhe se, shit blerja e kompanive private nuk është kompetencë e ministrit dhe ministries.
ARBEN TARAVARI – Ish Ministër i Shëndetësisë
Kompanitë private, kush i shet dhe kush i blen, nuk janë çështje që bien në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk kam pasur asnjë informacion se kush e ka shitur apo blerë ndonjë kompani të caktuar. Kjo nuk është përgjegjësi e ministrit dhe as e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, Phoenix Pharma në Maqedoninë e Veriut është një nga kompanitë kryesore të distribucionit me shumicë të barnave dhe produkteve farmaceutike. Roli i saj është shumë i rëndësishëm, sepse lidh prodhuesit e barnave me farmacitë, spitalet, institucionet shëndetësore dhe pacientët./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Piloti shqiptar shpallet më i miri me avionët F-35 në forcën ajrore të SHBA
Një tjetër histori suksesi që bën krenar çdo shqiptar! Edmond Smajli, pilot me origjinë nga Kosova, është shpallur më i miri në drejtimin e avionëve luftarakë F-35 në Forcën Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
F-35 konsiderohet si një nga avionët më të avancuar dhe më të sofistikuar në botë, dhe të arrish të vlerësohesh si më i miri në këtë kategori është një arritje e jashtëzakonshme.
Me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim maksimal, Smajli ka arritur të dallojë mes elitës së pilotëve amerikanë, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme dhe disiplinë të fortë.
Ky sukses nuk është vetëm personal, por një moment krenarie për gjithë shqiptarët, duke treguar se talenti dhe puna e palodhur nuk njohin kufij.
Një emër që tashmë shkruhet me germa të arta në historinë e aviacionit ushtarak!


You must be logged in to post a comment Login