Lajme nga vendi
Durmishi: Kemi 30 paraqitje për dëmtim të shtëpive, 10 persona janë strehuar në hapësirat e zjarrfikësve pasi uji ka kapluar tërësisht shtëpitë e tyre
Besar Durmishi nga komuna e Tetovës për TV21 deklaroi se ka rreth 30 paraqitje të dëmit të shtëpive si pasojë e vërshimeve në Tetovë. Durmishi tha se mbrëmjen e kaluar 10 persona janë akomoduar në hapësirat e zjarrfikësve pasi nuk kanë pasur strehë si pasojë e dëmtimit të shtëpive nga moti i ligë.
“Theksoj se edhe ditën e sotme kemi ende qytetarë që na paraqiten, ujin e kanë nëpër bodrumet e tyre dhe punonjësit e zjarrfikësve janë në terren. Deri më tani janë paraqitur afërisht 30 qytetarë të cilët uji dhe vërshimet ua kanë dëmtuar shtëpitë e tyre. Ka pasur diku 10 persona shkaku që uji ka kapluar tërësisht shtëpitë e tyre, janë strehuar tek hapësirat e zjarrfikësve”, tha mes tjerash Durmishi duke apeluar deri tek Qeveria që ta marrin seriozisht situatën në Tetovë.
Lajme nga vendi
Trençevska: Kemi frikë nga abuzimet me “Safe City”, nuk e dimë kush e kontrollon atë
Nënkryetarja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, është skeptike në lidhje me Ligjin për Kundërvajtjet, i cili është i rëndësishëm për funksionimin e projektit “Safe City”.
“Mbikëqyrja mbi të gjithë sistemin nuk është në ligj dhe kjo është një çështje që duhet të diskutohet. Kemi frikë nga abuzimi.
Prandaj, duhet të ketë një mekanizëm për mbikëqyrje dhe kontroll. Mënyra se si është ngritur sistemi, nuk e dimë kush e kontrollon dhe nuk e dimë nëse do të ketë abuzime, dhe duke mësuar nga sundimi dhe praktika e pushtetit të OBRM-PDUKM-së, me të vërtetë kemi dyshime. Kush e ushqen softuerin dhe kompjuterin? Faktori njerëzor, në fund të fundit. Kemi frikë nga çdo lloj abuzimi”, tha Trençevska në emisionin “360 gradë”.
Trençevska pohon se si projekt, LSDM e mbështet atë, duke theksuar se është koha për të ndaluar numrin e viktimave të aksidenteve rrugore. Megjithatë, sipas saj, ata do të diskutojnë brenda partisë një qëndrim përfundimtar në lidhje me një votim të mundshëm për Ligjin për Kundërvajtjet.
Sistemi “Safe City”, sipas njoftimeve nga autoritetet, duhet të fillojë zyrtarisht funksionimin më 1 shkurt.
Lajme nga vendi
Kryetari Mendi Qyra pret kapësin e Kryqit të Shenjtë: Mesazh uniteti dhe bashkëjetese nga Struga
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot realizoi një takim me kapësin e Kryqit të Shenjtë, Petar Çakareski, i cili së bashku me shokët e tij ndau gëzimin e festës së madhe të krishterë – Ujit të Bekuar.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe miqësore, ku kryetari Qyra i uroi Petarit një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Ai theksoi se ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe për ruajtjen e vlerave tradicionale.
Sipas kryetarit, festat fetare dhe traditat janë ura që lidhin njerëzit dhe forcojnë bashkëjetesën, duke e bërë Strugën shembull të respektit dhe harmonisë mes besimeve dhe kulturave të ndryshme.
Komuna e Strugës do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kultivojë mirëkuptimin, respektin dhe unitetin, si themele të një shoqërie të fortë dhe të bashkuar.
Lajme nga vendi
Gripi po bënë “kërdinë”, gjysmëvjetori në Tetovë filloi me mungesën e shumë nxënësve
Gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Tetovës filloi me mungesën e qindra nxënësve, për shkak të virusit stinor. Drejtoresha e shkollës “Liria” në Tetovë thotë se kanë dezinfektuar hapësirat, ndërsa kërkojnë nga prindërit, që fëmijët me simptoma të mos i dërgojnë në Shkollë.
“Sipas të dhënave që sot kemi pa prezencën e nxënësve, nëpër disa klasa kemi pasur numër që mungojnë nga 13 nga pesë, pra kemi mungesë të nxënësve. Kemi bë dezinfektimin e hapësirave dhe gjithë objektit dhe përgatitur për ti pritur nxënësit. Apelojmë gjithë prindërit që nëse fëmijët e tyre rezultojnë me simptoma të gripit, është mirë që fëmijët mos dorëzohen në shkollë”, tha Farije Idrizi Kasami, drejtoreshë e Sh.F. “Liria” Tetovë.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se pos nxënësve, në disa shkolla në fillim të gjysmëvjetorit të dytë për shkak të gripit mungojnë edhe mësimdhënës.
“Gjitha masat janë ndërmarr dhe është bë dezinfektimi i shkollave, parapërgatitjet paraprake për mbarëvajtje të procesit mësimor. E dimë se jemi në kushte të temperaturave të ulëta dhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve mungojnë, por është mirë që të respektohet rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ata fëmijë që janë me viroza mos të lëshohen në shkollë ndërsa mungesa e tyre do arsyetohet me vërtetim mjekësor që fëmija ka qenë me viroz”, deklaroi Nazmi Dauti, sektori për Arsim/komuna e Tetovës.
Dauti thotë se është siguruar mjaftueshëm edhe lëndë djegëse për ngrohje të shkollave, me theks të veçantë në shkollat e malësisë së Sharrit, ku ditëve të fundit, temperaturat rezultojnë deri në minus 12. /Alsat.mk


You must be logged in to post a comment Login